Gjyqtarët kërkojnë që të dalin në pension 75 vjec, element ky që sipas tyre do të ndihmojë në uljen e stokut të dosjeve që presin për gjykim. Fatmir Xhafaj tha se ky është problemi më i madh i drejtësisë sot, dhe shfaqi rezerva për disa ndryshime që mazhoranca kërkon tu bëjë ligjeve të reformës, për arsye teknike.
***
Në mungesë të opozitës, komisionet parlamentare vijuan punën, përfshirë dhe prezantimin e dy nismave ligjore që prekin për herë të parë dy ligje bazë të reformës në drejtësi.
Edhe pse propozimet e socialistëve kanë natyrë teknike, ato hapën debate në Komisionin për Mbikëqyrjen Institucionale të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ku pyetja kryesore është: a i japin këto ndërhyrje zgjidhje problemit më të madh që është numri i lartë i dosjeve që presin gjykimin?
“Nga Unioni i Gjyqtarëve na ka ardhur një propozim që mosha e pensionit për magjistratët të shtyhet në 75 vjeç. Për fat të keq, kjo çështje ka shkuar tashmë ne emergjencë”, tha Olsi Komici.
“Nuk ka problem më të madh se ky, por a e zgjidhin këto ndërhyrje ligjore?”, tha Fatmir Xhafaj.
Xhafaj, i cili udhëhoqi 10 vjet më parë reformën në drejtësi, është kritik ndaj një ndërhyrjeje pa një analizë të plotë, edhe pse kjo bëhet për të plotësuar kushtet e Bashkimit Evropian.
“Çfarë ka ndodhur? KLGJ dhe KLP nuk kanë bërë punën e tyre dhe ne ndërhyjmë për një zgjidhje përjashtuese për krerët e gjykatave dhe prokurorive. Po sikur të ndodhë prapë në të ardhmen kështu?”, tha Fatmir Xhafaj.
Duhet një analizë e thellë e këtij 10 vjeçari, që të mos bëjmë ndryshime të ndryshimeve, është e dëmshme.
“Vendosim filtra të fortë për pasurinë, dhe lidhjet e anëtarëve jo magjistratë në KLGJ e KLP”, Olsi Komici.
"Ne i futëm aty anëtarët nga avokatia, akademia apo shoqëria civile që të sjellin më afër interesin qytetar. A e zgjidh kjo ndërhyrje këtë? E garanton profesionalizimin?", tha Xhafaj.
Propozimet ligjore të sjella nga ish komisioneri në KPK, deputeti Komici, përvecc forcimit të rregullave për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ e KLP, synojnë gjithashtu t’i japin zgjidhje edhe zgjedhjes së drejtuesve të rinj në gjykata e prokurori, vende të mbetura vakante prej vitesh.
Komente









