Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva, i cili nuk justifikon pasurinë e tij prej 20 milionë lekësh dhe apartamente e troje në Tiranë dhe Durrës.

Avokati i gjyqtarit, Fatmir Braka, e ka cilësuar vendimin e KPK të padrejtë dhe të parregullt, duke deklaruar se do ta apelojë.

“Vendimi i padrejtë, i parregullt, do ta apelojmë. Do ketë pasoja dhe për gjyqtarë të tjerë, pasi nuk pranojnë ekspertim, ndaj nuk ka objektivitet”

Fatmir Braka, avokati i gjyqtarit Trezhnjeva

Përse u shkarkua Trezhnjeva?
Sipas komisionit të Vettingut, vlerësimi për këtë gjyqtar ishte mjaftuar vetëm me pasurinë, ku nga verifikimet rezultoi se ai nuk justifikonte pasurinë në vlerën e 20 milionë lekëve.

Në pasuritë pa burim të ligjshëm të gjyqtarit Trezhnjeva u renditën një apartament në Tiranë, një në Durrës dhe afro 1300 m2 truall në zonën e Mulletit në Tiranë. Për këto pasuri gjyqtari u shpreh se i kishte vënë me punë të ligjshme dhe qëllimisht KPK si kishte llogaritur një periudhë fitimi nga të ardhurat përgjatë viteve 1981-1994.

KPK ka arritur gjithashtu në përfundimin se gjyqtari ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e vajzës së tij, Olta Trezhnjeva, që punon pranë fondit të barnave. Trezhnjeva është gjyqtari i dytë i shkarkuar për mosjustifikim pasurie.
Në çdo tre gjyqtarë dy nuk i shpëtojnë skanimit të trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e mundshme krimin dhe aftësitë profesionale. Vetingut i janë nënshtruar Fatos Lulo, Besim Trezhnjeva dhe Vitore Tusha, por vetëm kjo e fundit ka shpëtuar. Ky është trendi dhe treguesi i parë nga zbatimi i ligjit për pastrimin e pallatit të drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Teksa ende asnjë prokuror nuk ka kaluar në filtrin e Vetingut, më shumë se sa gjysma e gjyqtarëve, të cilët po i nënshtrohen procesit, nën mbikëqyrjen e Perëndimit, po përjashtohen nga sistemit i drejtësisë, për shkak të pamundësisë për justifikimin e pasurive të deklaruara, me dokumentacion ligjor.
Ky raport mund të thellohet në kushtet kur ‘kosa e Vetingut’ nuk ka prekur ende anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, të lakuar prej vitesh në media dhe raportet ndërkombëtare, për pasurinë e pazakontë në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara. Ndërkaq, zbatimi i ligjit të Vetingut mund të prodhojë një problem të ri, atë të boshatisjes së drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët si dhe të pamundësisë së Shkollës së Magjistraturës për të prodhuar një numër të madh kandidatësh, për plotësimin e vendeve vakante. Për këtë shqetësim, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka theksuar se shqiptarët më mirë të mbeten pa gjyqtarë se sa me gjyqtarë të korruptuar.