'Pasdite në kopshtin e shtëpisë', 'Servili i Grave' dhe 'Hana, vajza që kapi diellin', tre librat e rinj në rubrikën 'Në librari'

“Pasdite në kopshtin e shtëpisë” nga Selma Dino, “Servili i Grave” nga Ergys Meta dhe 'Hana, vajza që kapi diellin'  Rovena Rrozhani janë titujt e ri që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.

Titulli: Pasdite në kopshtin e shtëpisë
Autor: Selma Dino
Botues: Dudaj
Çmimi: 1400 lekë

Çfarë tmerri shkakton lufta, sa shumë dhimbje, kombe të tëra në kaos e mjerim! Por ata që e ndiejnë thellë në shpirt përjetë janë familjet dhe njerëzit më të dashur të të rënëve dhe viktimave të saj. Dikush humbet birin, të tjerë njeriun e jetës, dashurinë e zemrës së rinisë të pafajshme…

Edhe në jetën e Anës dhe të familjes së saj u përjetua ethshëm fatkeqësia që solli lufta. Por ja, në mes të kësaj vorbulle plage dhe gjaku janë ato mirësitë e vogla njerëzore që lindin ashtu si rastësisht… Po, janë këto që i japin shtysën ardhjes së të mirës së madhe, si shkëndija e vogël që shpesh i jep zanafillën flakës gjigande.

Kjo është atmosfera ku i vendos ngjarjet libri “Pasdite në kopshtin e shtëpisë” me autore Selma Dinon.

Autorja tregon që libri i merr ngjarjet nga jeta dhe mbi të ka krijuar një ‘fiction’, ndërsa është përpjekur të tregojë  periudhën që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore   dhe më tej gjithë periudhën e regjimit komunist dhe vuajtjet në atë regjim.

“Pasdite në kopshtin e shtëpisë” është libri i parë i sagës, e cila vazhdon më pas me romanet “Muri”, “Gjerdani” dhe “Kthimi në kopsht”. Dino ka sjellë vetëm pjesën e parë të librit, të përkthyer nga ajo vetë prej gjuhës italiane, pasi vetë autorja jeton prej vitesh në Itali.

Të katër vëllimet janë përfunduar së shkruari dhe tre prej tyre janë botuar në Itali në gjuhën italiane dhe janë pritur mirë  nga lexuesi. Libri është shkruar në një formë klasike dhe sjell në detaje përshkrime të ngjarjes dhe vendit ku ndodh ajo, si dhe të personazheve dhe dialogjeve të tyre.

2 Titulli: Servili i grave
Autori: Ergys Meta
Botues: Artini
Çmimi: 1000 lekë

Ai është një kineast, por edhe një shkrimtar. Pas filmit të tij të parë me metrazh të gjatë, Ergys Meta vjen edhe me romanin e tij të parë, të titulluar “Servili i grave”. Libri është një roman distopik që përpiqet të rrëfejë se si do të ishte Shqipëria 100 vite më vonë nëse nuk do të kishte rënë Muri i Berlinit.  Mes personazheve zhvillohet një eksperiment social me femrat dhe meshkujt, duke i dhënë femrës fuqinë më të madhe të mundshme dhe duke përjetuar një lloj periudhe matriarkati.

3 Titulli: Hana, vajza që kapi diellin
Autori: Rovena Rrozhani
Botues: Toena
Çmimi: 1300 lekë

Hana, vajza që kapi diellin" nga Rovena Rrozhani është shkruar në kuadër të iniciativës "Awake not Sleeping Writing Workshops", të organizuar nga Zyra Rajonale e UN Women për Europën dhe Azinë Qendrore.

Në këtë libër Rrozhani evokon folklorin të shkrirë në një përrallë moderne.

Libri fitoi Fondin e krijimtarisë për fëmijë të Qendrësn Kombëtare të Librit dhe Leximit, në korrik 2024. Historia e Hanës është sjellë e ilustruar nga piktorja Mirjana Madhi, e cila ka zbërthyer në piktura fatin e vajzës së pasqyrabërësit të cilës i bie detyra e vështirë për të shpëtuar fshatin e saj nga errësira dhe mjerimi.

Kjo përrallë me të papritura i mëson fëmijëve nuk është forca fizike që zgjidh sfidat, por vetëbesimi dhe zgjuarsia.

Hana, vajza që kapi diellin” vjen pas disa librash për fëmijë që mbajnë firmën e Rrozhanit, si: “Lëndina e arushëve” dhe “arinjtë duan të fluturojnë” apo “Fani në kërkim të dritës”, “Tullumbacja e bardhë” dhe “Rozi dhe domatja kërcimtare”.

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Nustricionisti dhe specialisti i Mjeksisë Holistike, Altin Joka: Ndryshimi i stilit të jetës dhe të ushqyerit ju zgjat jetën

Nustricionisti dhe specialisti i Mjeksisë Holistike, Altin Joka: Ndryshimi i stilit të jetës dhe të ushqyerit ju zgjat jetën