Është zbardhur sot vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë firmosjes në Kuvend të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampit në Gjadër për pritjen e emigrantëve afrikanë.
Votimi me shumë gjasa do të bëhet të enjten e 22 shkurtit, siç deklaroi dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi sot në mbledhjen e grupit. Për ta miratuar marrëveshjen kërkohen 71 vota e socialistët i kanë.
Prej 18 janarit, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim, në 3 seanca, kërkesën e një grupi prej 30 deputetësh opozitarë të cilët kërkuan që protokolli mes dy vendeve të shpallej antikushtetues. Më 29 janar 2024 Gjykata Kushtetuese me një votim 5 me 4 shpalli marrëveshjen Kushtetuese, ndërsa sot u zbardh dhe vendimi i arsyetuar në 43 faqe.
“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi. Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.”- thuhet në përfundimin e Gjykatës Kushtetuese.
1- Holta Zaçaj,
2- Fiona Papajorgji
3- Sandër Beci
4- Genti Ibrahimi
5-Marjana Semini
Gjyqtarët që votuan KUNDER marrëveshjes
1-Marsida Xhaferllari
2-Sonila Bejtja
3-Ilir Toska
4-Elsa Toska
Nuk ndryshohet integriteti territorial
Gjykata kushtetuese analizoi fillimisht nëse protokolli për migracionin e kishte të nevojshme autorizimin nga presidenti, pasi kemi të bëjmë me dhënie territori, siç pretendon opozita dhe Avokati i Popullit apo ishte e drejtë e kryemimistrit autorizimi për lëshimin e plotëfuqisë për grupin negociator dhe më pas nënshkrimi.
Sa i takon territorit në konceptin territorial Gjykata vlerëson se protokolli për Migracionin nuk ka parashikuar rregulla që passjellin efekte mbi tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë në favor të shtetit italian. Ai ka parashikuar kalimin në përdorim nga shteti shqiptar tek autoritetet shtetërore italiane të dy zonave, të cilat do të përdoren për të pritur dhe akomoduar migrantët që synojnë të hyjnë në Itali. Këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar dhe ato do të vazhdojnë të mbeten të tilla gjatë gjithë kohëzgjatjes së përcaktuar shprehimisht në Protokolli si dhe pas përfundimit të zbatimit të tij.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk përcakton apo ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, pasi, në thelb, ai nuk ndryshon apo cakton kufij të saj, duke ruajtur në këtë mënyrë të paprekura të gjitha elementet e territorit në aspektin fizik" thuhet në faqen 18 të vendimit
Edhe në aspektin juridiksional të territorit Gjykata vëren se në tekstin e Protokollit për Migracionin nuk rezulton të ketë ndonjë parashikim sipas të cilit shteti shqiptar heq dorë shprehimisht nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin e tij.
Juridiksioni i italisë dhe Shqipërisë në zonat pritëse
Më tej Gjykata argumenton se drejta ndërkombëtare nuk përjashton ushtrimin e juridiksionit të një shteti, në këtë rast të Italisë, si shtet pritës i emigrantëve në mënyrë ekstraterritoriale. Në këtë kuptim, autoritetet italiane kanë juridiksion parësor në dy zonat e territorit shqiptar, sepse Republika e Italisë është shteti pritës i migrantëve të paligjshëm.
Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin është një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e detyrave midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për çështjet e migrantëve dhe nëngrupit të azilkërkuesve, që synon të shmangë një vakuum juridiksional dhe përgjegjësish për të drejtat dhe liritë themelore të tyre, ndaj kalimi i juridiksionit autoriteteve italiane për çështjet e migrantëve dhe azilkërkuesve ka qenë i nevojshëm.
Nga ana tjetër shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës së zbatimit të Protokolli për Migracionin.
Gjykata çmon se Protokolli për Migracionin nuk ndryshon juridiksionin territorial të shtetit shqiptar në lidhje me Kushtetutën, KEDNJ-në dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar vazhdon të ushtrojë juridiksionin e tij edhe gjatë kohës që Protokolli për Migracionin do të jetë i zbatueshëm
Madje Shqipëria, bazuar në nenin 5 të Kushtetutës, duke zbatuar të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, ka detyrime pozitive për marrjen e të gjitha masave për të respektuar të drejtat e migrantëve, përfshirë azilkërkuesit, që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, përfshirë parimin e moskthimit (nonrefoulement).
Gjykata vëren se megjithëse de facto zonat e parashikuara në Protokollin për Migracionin do të përdoren nga autoritetet italiane për shqyrtimin sipas legjislacionit italian të kërkesave për azil të migrantëve që synojnë të hyjnë në Itali, kjo nuk shmang përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare nga detyrimi pozitiv vis-à-vis migrantëve. Kjo përgjegjësi është e sanksionuar në Kushtetutë, si dhe në të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, ku përfshihen, por pa u kufizuar në to, KEDNJ-ja dhe Konventa e Gjenevës.
Në këtë kuptim, Protokolli për Migracionin nuk e kufizon shtetin shqiptar në ushtrimin e juridiksionit të tij në nivel kushtetues dhe konventor' argumentohet në vendim.
Po kështu protokolli, si marrëveshje ndërkombëtare, në rast ratifikimi të tij do të bëhet pjesë e sistemit normativ shqiptar dhe do të pozicionohet në hierarkinë e akteve normative nën Kushtetutën dhe mbi ligjet e zakonshme.
Ska nevoje opinioni i GJENDNJ
Gjykata çmon se përcaktimet e Protokollit nuk sjellin kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi standardet minimale të KEDNJ-së, janë të zbatueshme. Shteti italian është i detyruar të zbatojë normat ndërkombëtare për azilkërkuesit, refugjatët dhe të drejtat e njeriut, ku përfshihen Konventa e Gjenevës dhe KEDNJ-ja, sipas parimit të ekstraterritorialitetit. Po kështu nuk vihet në dyshim ekzistenca e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin.
Gjykata e vlerëson 'të panevojshme marrjen e një opinioni këshillimor nga GJEDNJ-ja' e konstaton se "për të drejtat dhe liritë themelore të migrantëve që rregullohen nga Protokolli për Migracionin vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar, ndaj mbrojtja e tyre është e përforcuar"
Rama autoriteti që njeh ligji
Për këtë pikë Gjykata analizon Traktatin e Miqësisë, - ratifikuar nga Kuvendi me ligjin nr. 8031, datë 16.11.1995 - si marrëveshje kuadër, e cila shërben si bazë e mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të nënshkruhej nga Qeveria. Pra, ai mund të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga ministri për Punët e Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.
Kjo do të thotë se procedurat e negocimit nga pala shqiptare janë zhvilluar rregullisht dhe në përputhje me parashikimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare
Po kështu Kryeministri është autoriteti që njeh ligji për lidhjen e marrëveshjes si përfaqësuesi më i lartë i pushtetit ekzekutiv.
Për më tepër që dispozitat e Protokollit për Migracionin përmbajnë rregulla që përfshihen brenda kompetencave të vetë pushtetit ekzekutiv, pasi ato lidhen me shërbime të tilla që ofrohen nga autoritetet e institucioneve të ekzekutivit ndaj migrantëve, si siguria (shërbimet policore), përkujdesi shëndetësor, ushqimor dhe çdo shërbim tjetër që do të mbulojë nevojat e tyre, në bashkëpunim me palën italiane.
Me hyrjen në fuqi të vendimit masa e pezullimit të procedurave për ratifikimin e Protokollit për Migracionin nga Kuvendi i cili u mor nga kjo gjykatë më 18 janar bie automatikisht. Protokolli i cili u firmos më 6 nëntor 2023, do të mbetet në fuqi për pesë vjet, me të drejtë rinovimi, në formë të heshtur, për një periudhë tjetër pesëvjeçare.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Firmosja e marrëveshjes 6 nentor 2023
Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska është një nga 4 gjyqtaret që ka votuar kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantë, pra pro kërkesës së 30 deputetëve të opozitë të cilët kërkuan që protokolli të shpallej antikushtetues .
Mendimin e saj të veçuar, bashkangjitur në vendimin e zbardhur 43 faqesh të gjykatës, e lidh me mungesën e autorizimit nga Presidenti i Republikës për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e Protokollit nga përfaqësuesit e palës shqiptare.
Sipas saj shteti shqiptar brenda territorit të tij fizik i ka dhënë juridiksion shtetit italian, dhe në këtë kuptim ky Protokoll është marrëveshje, e cila i përket kategorisë së marrëveshjeve të parashikuara nga neni 121, pika 1, shkronja “a”, të Kushtetutës.
Më tej shton se protokolli përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me natyrë politike, të cilat lidhen mes shteteve, pra me palë shtetin shqiptar dhe në emër të Republikës dhe në këto kushtet plotfuqia nuk duhej të ishte lëshuar nga Ministria për Punët e Jashtme pas autorizimit të dhënë nga Kryeministri, por nga Presidenti i Republikës, si autoriteti i vetëm kushtetues për lëshimin e plotfuqisë,
...Mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të Presidentit të Republikës të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të garantuar nga neni 7 i Kushtetutës" argumenton gjyqtarja Toska.
Gjyqtarja ndalet dhe tek Traktati i Miqësisë i vitit 1995 duke thënë se nuk mund të përdorej si bazë kushtetuese për Protokollin për Migracionin, 'pasi pavarësisht parashikimeve të nenit 180, pika 1, të Kushtetutës, është Kushtetuta, e miratuar në vitin 1998, e cila sipas parimit të hierarkisë së normave juridike prevalon ndaj çdo marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar para ose pas saj"
Ajo argumenton se autorizimi për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e tij do të duhej të ishte lëshuar nga Presidenti i Republikës prandaj kërkoi që kërkesa e opozitës të pranohej.
Katër gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të mendimit se Gjykata duhej ta kishte deklaruar Protokollin për Migracionin të papajtueshëm me Kushtetutën dhe të ndalonte ratifikimin e tij nga Kuvendi. Konkretisht Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska kanë dhënë mendimin e tyre të pakicës në vendim ndërsa një tjetër mendim ka dhënë dhe gjyqtarja, Elsa Toska.
Sipas 3 gjyqtareve protokolli ka parashikuar kalimin nga shteti shqiptar në përdorim të autoriteteve shtetërore italiane të dy zonave, ku shteti shqiptar i ka transferuar të drejtën autoriteteve italiane të ushtrojnë pushtet shtetëror ekskluziv sipas legjislacionit italian për trajtimin e çështjeve që lidhen me migrantët.
Sipas marrëveshjes të dyja zonat, me sipërfaqe, gjithsej, 77700 m2 - njëra zonë ndodhet në portin e Shëngjinit, ndërsa zona e dytë në Gjadër, Lezhë - u jepen në përdorim pa kundërshpërblim autoriteteve italiane për 5 vjet (neni 3), me mundësinë e përtëritjes me heshtje edhe për 5 vjet të tjera.
Po kështu pala shqiptare i jep të drejtën e palës italiane për të ndërtuar dhe menaxhuar strukturat e nevojshme në këto zona në përputhje me legjislacionin italian, pa pasur nevojë për leje ndërtimi ose formalitete të tjera të ngjashme të kërkuara nga legjislacioni shqiptar. Shpenzimet e bëra nga pala italiane për ndërtimin e strukturave përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore.
Gjithashtu vëren dhe kufizim të veprimit të legjislacionit shqiptar dhe të juridiksionit të autoriteteve shqiptare në dy zonat ku do të zbatohet Protokolli për Migracionin, 'çka sjell kufizim të garancive kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të refugjatëve në territorin shqiptar' thonë ata.
Ata rendisin 5 arsye
1 - Qeveria shqiptare i ka kaluar qeverisë italiane të drejtën e përdorimit të dy zonave territoriale, brenda të cilave autoritetet italiane autorizohen të ushtrojnë pushtet publik për çështjet që lidhen me migrantët, duke kufizuar/ndaluar njëkohësisht juridiksionin e autoriteteve shqiptare në këtë pjesë të territorit të vendit.
2- Kufizimi i veprimit të legjislacionit shqiptar dhe i juridiksionit të autoriteteve shqiptare në dy zonat ku do të zbatohet Protokolli për Migracionin, sjell kufizim të garancive kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të refugjatëve në territorin shqiptar. Për rrjedhojë, në ndryshim nga shumica, vlerësojmë se Protokolli për Migracionin është marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë edhe me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
3- Në kushtet kur Protokolli për Migracionin ka natyrë politike, vlerësojnë se plotfuqia e lëshuar nga Ministria për Punët e Jashtme pas autorizimit të dhënë nga Kryeministri nuk është në përputhje me Kushtetutën, pasi në rastin konkret, autorizimi duhej të ishte dhënë nga Presidenti.
4- Traktati i Miqësisë nuk mund të shërbejë si bazë në drejtim të plotfuqive për negocimin dhe nënshkrimin e Protokollit për Migracionin, ndaj ai nuk mund të përdoret si argument i mjaftueshëm për kushtetutshmërinë e tij. Ai akt nuk ka parashikuar dhe nuk mund të parashikonte që pas 30 vjetësh flukset migratore të paligjshme nga vendet e treta të menaxhoheshin bazuar në atë traktat.
5- Zhvillimet e fundit migratore që po ndodhin në kufijtë e jashtëm të Evropës dëshmojnë se çështja e migrantëve ka marrë përmasa jetike, e cila u ka vendosur të gjitha shteteve barrën dhe presionin dhe ka shtuar vetëdijen e tyre për të gjetur forma dhe mjete për të përballuar vështirësitë. Çmojnë se në rastin konkret duhej gjetur balanca e duhur dhe mekanizmat më efikase për mbrojtjen e përshtatshme të tyre.
Ndërkohë gjyqtarja Elsa Toska ka pasur tjeter mendim ku argumenton se autorizimi për dhënien e plotfuqisë për negocimin dhe nënshkrimin e tij do të duhej të ishte lëshuar nga Presidenti i Republikës.
Hartimi i Protokollit për Migracionin deri në nënshkrimin e tij ka zgjatur rreth 5 muaj. Të gjitha hapat zbulohen në vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese.
Mësohet se ka qenë pala italiane që më 23 maj të 2023 përmes ambasadorit të saj, Fabrizio Bucci, që ka përcjellë notën verbale për nisjen e veprimeve prë një marrëveshje të mundshme, ndërkohë që më 21 gusht, pak ditë nga pushimet në Vlorë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, (14 gusht 2023) pala italiane përcolli draftin e parë të marrëveshjes.
Hapat deri ne firmosjen e marreveshjes
- 23 Maj 2023 Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri,me notë verbale i ka bërë të ditur sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave nisjen e veprimeve për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në fushën e migracionit të paligjshëm.
-21 Gusht 2023 pala italiane, nëpërmjet notës verbale të ambasadorit, ka përcjellë draftin e marrëveshjes
-Me urdhrin nr. 99, datë 25 Gusht 2023 të Kryeministrit është ngritur grupi ndërinstitucional i punës me përfaqësues të institucioneve shqiptare për negocimin me palën italiane të projektmarrëveshjes. Grupi i punës kryesohej nga zëvendësministri i Mbrojtjes (Shënim redaksia: Në këtë post Enkelejd Joti) dhe ka pasur në përbërje përfaqësues nga institucione në nivel ministrie: drejtësia, punët e jashtme, financa dhe ekonomia, e brendshmja, mbrojtja, si dhe Policia e Shtetit dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
- Në datat 13 Shtator 2023 dhe 13 Tetor 2023, me autorizim të Kryeministrit, është kërkuar lëshimi i plotfuqisë nga Ministria për Punët e Jashtme për anëtarët e grupit negociator.
- Në datat 25 Shtator 2023 dhe 13 Tetor 2023 ministri për Punët e Jashtme ka lëshuar plotfuqitë për negocimin e projektmarrëveshjes.
- 06 Tetor 2023 pala italiane ka përcjellë një variant të ripunuar të këtij drafti.
Në datat 17 dhe 18 tetor 2023 janë zhvilluar bisedime në nivel teknik për përmbajtjen e projektmarrëveshjes.
Me shkresën e datës 03 Nentor 2023, Ministria e Mbrojtjes i ka bërë të ditur ambasadës italiane dy zonat e identifikuara për t’i përdorur sipas marrëveshjes.
Në të njëjtën datë ambasada italiane ka përcjellë me notë verbale tekstin përfundimtar të Protokollit për Migracionin së bashku me dy anekset e tij. Po kështu, në të njëjtën datë Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mendim nga institucionet e linjës për projektvendimin për miratimin në parim të Protokollit për Migracionin, të cilat, po brenda ditës, kanë dhënë përgjigje positive duke u shprehur parimisht dakord.
06 Nentor 2023 Këshilli i Ministrave, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 10 të ligjit nr. 43/2016, ka miratuar në parim Protokollin për Migracionin
6 Nentor 2023 u nënshkrua nga kryeministrat e dy shteteve, Edi Rama e Giorgia Meloni.
shqiptaret jane popull emigrnatesh, qe bredhin europen per vete. le te vijne edhe keta te mjere ne shqiperi qe te shpetojne nga mizerja dhe luftrat, torturat dhe uria
Përgjigjuper ju komentuesit e deritanishem, prisni dhe pak sa te fillojme komentet ne patronazhistet.
PërgjigjuKjo eshte marreveshja me e turpshme qe kane bere ndonjehere maskarenjte e tradhetaret qe kemi per drejtues te Shqiperire! Renditet ne te njejten liste me paturpesite e tjera si intrigat e marreveshjet e fshehta te Esat Toptanit me serbet,malazeste e te tjere per te ardhur ne pushtet,perfshi dhe dorezimi i Shkodres,dorezimi i kurores dhe bashkimi i Shqiperise me Italine ne 39',marreveshja e Ballit per te mos luftuar nazistet,marreveshja e deshtuar e armeve kimike,shitja e detit Greqise nga Berisha dhe kjo e fundit, paturpesia Rama-Meloni.Dhe nje iluminim i ri per delet e Kuvendit qe do t'a ratifikojne:CNN tek emisioni i Fareed Zakarise qe jep cdo te diele,foli per G.Melonin dhe politikat e saj,u permend mes marreveshjeve te tjera qe ka bere ajo per emigrantet dhe kjo qe beri me Ramen,por menyra se si u tha,te linte pershtypjen qe Melonit i takonte gjithe lavdia dhe jo Rames sic levdohet dhe e konsideron kthim nderi!
Përgjigjupopulli i shengjinit dhe lezhes,,,te ngrihet te djege kete kamp,,dhe te mos lejoje qe shqiperia te kthehet ne hale te botes...se do rdi rama te beje coka per hallin e vet,,sepse ka hall se mos e fusin ne burg pasi te kete lene zyren...sepse e di qe ka vjedhur si saliu dhe meta...
PërgjigjuGjykata thote nuk shkel te drejtat e njeriut. Ata te amnesty international dhe human rights watch ja fusin kot. Kjo eshte marreveshje raciste dhe nje turp per Shqiperine. Gati gjysma e parlamentit Italian nuk e votoi sepse e dine qe eshte thjesht politike. Njoll e zez per Ramen dhe PS.
PërgjigjuPoshte marreveshja fashiste Meloni-Rama! Turp i madh per Partine Socialiste miratimi i kesaj marreveshje fashiste. Shqiptaret si xhelate te emigranteve te mjere per llogari te fashisteve italiane ! Rama fashist !
Përgjigjuafrikanet qe do vijne aty dhe nuk shkulen me!Antishqiptaret me te medhenj qe ka pare ndonjehere shqiperia po drejtojne kete vend!
PërgjigjuNormal qe nuk do ikin sepse ata nuk kane marreveshje me asnje vend ne Europe per kthimin e shtetasce te vet , italianet nuk jane budallenj qe i shellin te ne duke paguar ca te holla . Edhe Afghanet do rrinin vetem 6 muaj teorikisht dhe pastaj do ti merte amerika por mbas kaq vitesh ata jane perseri ketu ne vendin tone . Zoti na ndihmofte me keta putana politikane qe kemi