HETIMET/ Prokuroria Tiranë: Brenda 48 orëve sillni dëmet, na lajmëroni para çdo shembje! Në Durrës sekuestrohen dosjet e pallateve në 10 vitet e fundit

TIRANE-Prokuroria e Tiranës në datë 27 Nëntor, pra një ditë pas tërmetit ka regjistruar procedimin penal për nisjen e hetimeve për ndërtimet abuzive. Ndërkohë që dje organi i akuzës së kryeqytetit i ka kërkuar bashkisë së Tiranës dhe policisë që të lajmërohen para cdo shembje. Shkresa të cilën e ka siguruar gazetari i Report Tv Arsen Rusta është me firmë te drejtueses  së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Gjithashtu prokuroria kërkon nga bashkia dhe policia që t'u vendosin në dispozicion për 48 orë, pra deri në datë 5 dhjetor të gjithë listën me objektet e dëmtuara. "Na vini në dispozicion listën e objekteve të dëmtuara" thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur dje. Gjithashtu prokuroria kërkon dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëme nga tërmeti. Policia dhe bashkia nuk kanë raportuar asnjë informacion në Task Forcën e prokurorisë për objektet e dëmtuara.  Por pas shkresës së 27 nëntorit, Imeraj ridërgon një tjetër shkrese, ku kërkon që brenda 5 dhjetorit të dorëzojnë raportet si policia dhe bashkia. 

Ndërkohë që Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet e lejeve të ndërtimit në Zyrën Urbanistike të 10 viteve të fundit për qindra pallate e godina të tjera që u dëmtuan nga tërmeti i 26-nëntorit dhe që lanë pas shumë viktima. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku bën me dije se Prokuroria ka sekuestruar gjithashtu edhe dokumentet e legalizimeve të shtesave (horizontale dhe vertikale)  të qindra pallateve në qytetin e Durrësit. Të gjitha këto dokumente do të ballafaqohen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti në objektet përkatëse. Ky sekuestrim dokumentesh vjen në kuadër të hetimeve të hapura nga Prokuroria e Durrësit që po kryhen për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre humbën jetën dhjetëra persona.

Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës nisën tre hetime për dëmet e mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Një hetim është për godinat e shembura që lanë pas viktima nënë rrënoja. Hetimi i dytë po kryhet për 200 godina të dëmtuara në Durrës. Ndërsa hetimi i tretë është për qindra godina te tjera të dëmtuara në Tiranë. Prokuroria ka marrë në terren edhe mostrat e nevojshme (Hekur, beton, tulla...) të cilat do të analizohen në laboratorë për të përcaktuar për fortësinë e tyre.

Shkresat e prokurorise se Tiranes qe jane firmosur ne date 27 per nisjen e procedimit dhe ne date 2 dhjetor drejtuar bashkise Tirane dhe policise

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Hetimi për ndërtimet abuzive/ 10 prokurorë zbarkojnë në Kadastrën e Durrësit

1575378171_1575369459216.jpg
Në zyrën e Kadastrës në Durrës mesditën e sotme ka shkuar një grup prej 10 prokurorësh, gjashtë ë organit të akuzës së qytetit bregdetar dhe katër të Tiranës në kuadër të sekuestrimit të provave që po bëhen për hetimet në lidhje me pallatet dhe ndërtesat që ka pasur abuzime me ndërtimin duke sjellë edhe pasojat tragjike nga tërmeti.

Ora 13:48
Durrës, Lleshaj: Fotot, materialet e gjithçka, janë grumbulluar provat për cdo pallat


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i caktuar nga kryeministri Rama që bashkë me policinë kriminale të identifikojnë përgjegjësit, ata që janë abuzuar me ndërtimet që u shembën nga tërmeti. Nga Durrësi ku ishte paraditen e sotme Lleshaj tha se "Edhe njëherë theksoj se askush nuk vë gishtin në një pallat, pa u marrë të gjitha provat, fotot, materialet e gjithçka. Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë" tha ai.

Prononcimi i plotë i Sandër Lleshajt
Prononcimi për media i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas inspektimit të disa objekteve që do të shemben, pasi kanë pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 Nëntorit: Ministri Lleshaj: Sigurisht, këto ditë ne kemi parë vetëm atë pjesën më tragjike të asaj që ka ndodhur, varrimin e shumë njerëzve që humbën jetën. Kjo që po shohim tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë. Tani thjesht po bëhet transporti i tyre drejt vendeve të grumbullimit të mbetjeve.

Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera. Që ditën e parë pavarësisht se publiku ka parë forcat e ndërhyrjes që kanë bërë punën për evakuimin e njerëzve, për shpëtimin e njerëzve, paralel me këta kanë punuar edhe strukturat e tjera të Policisë, të cilat nuk janë edhe aq shumë të dukshme ndoshta nga pikëpamja e uniformave, kanë punuar për të evidentuar gjithçka që lidhet me veprimtari të mundshme kriminale.

Të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar. Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë. Pra gjithçka është bërë me një skrupolozitet të paqortueshëm dhe sot për çdo godinë që është rrëzuar përfundimisht, provat janë të administruara sipas procesit përkatës procedural ligjor. Ndërkohë që një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të na japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur, sepse kemi diferenca.

Kemi raste kur dy pallate janë ngjitur dhe një pallat është shembur dhe tjetri jo, pra një përgjigje duhet kërkuar përse është shembur ky dhe jo ky tjetri. E para, gjëja kryesore që ka të bëjë me fiksimin dhe administrimin e provave është bërë. Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia,  çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale.

Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive dhe kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin.

Pra janë këto 3 grupe, të cilat do të hetohen me rigorozitet maksimal.Sot Kryeministri e përmendi edhe në takimin e mëngjesit të Qeverisë që kjo punë duhet të ndodhë shpejt dhe me seriozitetin më të lartë. Dhe pikërisht për këtë jam këtu, bashkë me një ekip të Policisë së Shtetit në mënyrë që ky shqetësim publik të marrë përgjigje sa më parë. Edhe njëherë theksoj se askush nuk vë gishtin në një pallat, pa u marrë të gjitha provat, fotot, materialet e gjithçka. Gjithçka është marrë dhe do të merret deri në fund.  Aktualisht jemi të përqendruar te banesat kolektive dhe pastaj në fazën tjetër do të shkojmë në banesat individuale. Por sidomos kolektivet janë prioriteti absolut i momentit.

Ora 13:23
Tërmeti tragjik/ 23 viktimat e Durrësit, ja çfarë sekuestroi prokuroria për 6 objektet

Dokumenti i prokurorise se Durresit

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar dokumentin e prokurorisë së Durrësit të firmosur nga dy prokurorët Edmond Koloshi dhe Pali Deçolli që tregon se cfarë kanë konstatuar dhe sekuestruar në objekte lidhur me hetimet që po kryen për vdekjen e 23 personave nga tërmeti tragjik. Prokuroria ka sekuestruar dosjet e pallateve në bashkinë e Durrësit, Kadastër, IKMT Tiranë, IMT Durrës dhe degën rajonale të Tatimeve. Dokumentet janë sekuestruar nga OPGJ-të dhe policia. Por ku janë dyshimet e para?

Prokurorët në dokumentin që ka siguruar Report Tv theksojnë se dëmtimet dhe shembjen e objekteve kanë ardhur për shkak; të ndërtimeve pa leje, pa respektuar rregullat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Gjithashtu prokurorët arrijnë në konkluzione se inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë nuk kanë kryer detyrën, po ashtu edhe mbikëqyrësit shtetërorë. Për këtë arsye janë sekuestruar aktet e pronësisë, legalizimet, lejet e ndërtimit, procesverbalet e mbikëqyrjes së punimeve, kolaudimet, inspektimet, si edhe të dokumentet e ushtrimit të aktiviteteve për bizneset.

Ora 13:20
Prokuroria Durrës: Po vijojmë të marrim provat në terren dhe të sekuestrojmë dokumentet

1575375667_1575369459213.jpg
Prokuroria e Durrësit deklaron se po vijon që të marrë provat në objektet ku janë konstatuar prishjet dhe dëmtimet nga tërmetet. Prokuroria thotë se sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas. Prokuroria qartëson se edhe kur prishen pallatet provat mbeten.

"Lidhur me rastin në fjalë grupi i hetimit të çështjes po kryen veprimet hetimore përkatëse siç parashikon K.Pr.Penale dhe një ndër to është dhe kqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore kqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas.

Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, por është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, ata (grupi hetimor),  të jenë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdojnë dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato" deklaron prokuroria e Durrësit.

Ora 13:03
Prokuroria: Edhe kur prishen pallatet provat mbeten

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson nga prokuroria se për çdo pallat që duhet shembet dhe për këto arsye është provë e krimit, fillimisht bëhet fotografimi i vendit të ngjarjes, më pas do maten  trashësia e hekurit dhe sa është e dukshme, dhe do marrin kampionet e hekurit dhe te betoni për të analizuar në laborator. Pra foto bashkë me kampionet e inerteve bëhen pjesë e dosjes. Këto informacione pastaj do krahasohen me të dhëna të parashikuara në fazën e ndërtimit, pikërisht lidhur me strukturën: pra numri dhe trashësi të kolona bashkë me llojin e hekurit dhe llojin e betonit. Sipas Artan Shkrelit që drejton ekipin qeveritar që mbivëzhgon monitorimet mbi pallatet e dëmtuara dhe mbivëzhgon edhe mbi shembje të atyre që rezulton të pabanueshme dhe në rrezik shembje, pretendon që për cdo pallate të shembur bëjnë fotografi dhe krijohet një dosje teknike që mund të vendoset në dispozicion të prokurorit.

Ora 11:35
Në Durrës sekuestrohen dosjet e pallateve në 10 vitet e fundit për qindra objekte

Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet e lejeve të ndërtimit në Zyrën Urbanistike të 10 viteve të fundit për qindra pallate e godina të tjera që u dëmtuan nga tërmeti i 26-nëntorit dhe që lanë pas shumë viktima. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku bën me dije se Prokuroria ka sekuestruar gjithashtu edhe dokumentet e legalizimeve të shtesave (horizontale dhe vertikale)  të qindra pallateve në qytetin e Durrësit. Të gjitha këto dokumente do të ballafaqohen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti në objektet përkatëse. Ky sekuestrim dokumentesh vjen në kuadër të hetimeve të hapura nga Prokuroria e Durrësit që po kryhen për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre humbën jetën dhjetëra persona.

Sipas Prokurorisë së Durrësit dyshohet se tërmeti shënoi viktima edhe për shkak të ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave përgjegjës e mbikëqyrës për përmbushjen e rregullt të punës.

Lidhur me rastin në fjalë grupi i hetimit të çështjes po kryen veprimet hetimore përkatëse ku njw ndwr veprimet hetimore wshtw edhe këqyrja në vend ku janë konstatuar prishje dhe dëmtime të objekteve. Sipas parashikimeve ligjore këqyrjet janë shoqëruar dhe me fotografi dhe marrjen e provave të domosdoshme në vendngjarje për verifikimet e duhura që do të bëhen më pas.

Duke parë rrezikshmërinë që paraqesin objektet e dëmtuara dhe shpejtësinë që duhet për evitimin e pasojave të tjera nuk mund të bëhet sekuestrimi i këtyre objekteve, por është çmuar që pas kryerjes së veprimeve proceduriale në vendngjarje, ata (grupi hetimor),  të jenë të lirë për të vendosur për vijimësinë e objektit nga instancat përkatëse sipas çdo rasti. Njëkohësisht vazhdojnë dhe sekuestrimi i dokumentacionit përkatës për këto objekte në zyrat që i administrojnë ato.

Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtarë që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre". Po ashtu, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime, si projektet, leje ndërtimi, akt kolaudimi etj., janë sekuestruar në çdo institucion shtetëror.

Përveç provave të lejeve të ndërtimit dhe dokumenteve të legalizimit në cilësinë e provës materiale Prokuroria e Durrësit ka marrë edhe mostra në terren nga godinat e prishura dhe të shembura siç janë fijet e hekurit, copat e betonit, rëra etj. Këto mostra do të analizohen në laboratorët përkatës ku do të përcaktohet edhe nëse kanë qenë të rregullta dhe në masën e duhur për të mbajtur peshën e ndërtimeve të kryera.

Ndërkohë hetim për tragjedinë e ndodhur me tërmetin e 26 nëntorit, kanë hapur edhe Prokuroria e Tiranës dhe e Krujës, të cilat do të bëjnë të njëjtat veprime si Prokuroria e Durrësit. Dhjetëra jetë të humbura u nxorën nga rrënojat e godinave të shkërmoqura nga tërmeti,  por edhe qindra pallate dhe banesa të tjera që u dëmtuan, por që, duke qenë se nuk u shembën krejtësisht, nuk shkaktuan viktima, mendohet të jenë ndërtuar në mënyrë abuzive.

Kujtojmë se gjendja e mjerueshme e tre pallateve në Thumanë që u shembën pas tërmetit, është denoncuar prej vitit 2010 por nga kjo kohë e deri më 26 nëntor, askush nga zyrtarët nuk kishte marrë masa, për të parandaluar një tragjedi të tillë. Mosveprim ky që në ditët në vijim ka shumë gjasa që të shoqërohet edhe me verifikime hetimore nga prokuroria e Krujës.

Nga ana tjetër objektet e rrëzuara si Bar-Restorant dhe Hotel “MiraMare” në Durrës, janë ndërtime që kanë nisur si godina 2 katëshe dhe që më pas në vitet në vijim, janë rritur me leje ose pa lejë nga bashkia Durrës, me tre apo katër kate të tjera. Kjo ka bërë që pesha mbi kolonat e projektuara për ndërtim dy kate, të rritet mbi kapacitetin e mundshëm.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Skerdi: 03/12/2019 19:21

    Hetimi te filloje nga viti 1993 ,,jo vetem 10 vitet e fundit,,,te gjithe kryebashkiaket e durresit ,,tiranes,vlores,,shengjinit,,velipojes jane fajtore..

    Përgjigju
  • Kafsha: 03/12/2019 17:58

    Shpikesit ngrejne pallate nga 30 kate ndertojne pallate ne rere ne keneta

    Përgjigju
  • dhurata: 03/12/2019 16:34

    te shikohet urgjent pallati 30 katesh te shkembi kavajes. nje termet tjeter po te hedhe ate shkakton katastrofe pasi bie mbi pallatet e tjera, dhe pse ka patur probleme asnjehere nuk eshte pare ashtu suc duhet , nder vite jane shtuar katet

    Përgjigju
  • Tirona: 03/12/2019 13:02

    Shembni sa me shpejt qe te zhdukni provat se nuk dihet si mer puna

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim