Pas pesë vitesh me ritme të larta rritjeje, statistikat e muajit qershor tregojnë një ngadalësim të dukshëm të hyrjeve turistike në Shqipëri. Qeveria e lidh këtë zhvillim me efektin e asaj që e ka cilësuar si "Revolucioni Flamingo", duke argumentuar se ka ndikuar në frenimin e hovit turistik.

Sipas të dhënave të publikuara këtë të premte nga INSTAT, gjatë muajit qershor në Shqipëri hynë 1,346,279 të huaj, vetëm 17,075 më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 1.3%, shumë më e ulët krahasuar me ritmet dyshifrore që sektori ka regjistruar në vitet e fundit.

HYRJET E SHQIPTARËVE DHE TË HUAJVE
                              Shqiptarë           Të huaj
Qershor 2025        733.571          1.329.204
Qershor 2026        735.370          1.346.279
Diferenca               +1.799            +17,075

Por nga ana tjetër "Revolucioni Flamingo" duket se ka pasur pak impakt edhe në tërheqjen e diasporës, pasi hyrjet e shtetasve shqiptarë në qershor u rritën me vetëm 0.2%, ose 1.799 persona më shumë se në qershor të 2025-ës. Në total në muajin e kaluar erdhën në vend 735,370 shtetas shqiptarë.

Të dhënat tregojnë se ngadalësimi në qershor lidhet kryesisht me rënien e vizitorëve nga tregjet tradicionale të rajonit. Rënien më të madhe e regjistron Kosova, me 51 mijë vizitorë më pak, Maqedonia e Veriut me 15 mijë më pak, Gjermania me tkurrje 13.2 mijë vizitorë, më pas Turqia me ulje 11 mijë dhe më tej Mali i Zi -6.2 mijë, Greqia -3.6 mijë vizitorë më pak se në qershor të 2025-ës.

Nga ana tjetër, tregjet evropiane e kanë kompensuar pjesërisht këtë tkurrje. Vizitorët nga Italia u rritën me mbi 25 mijë, ndjekur nga Polonia me afro 17 mijë turistë më shumë. Në rritje janë edhe hyrjet nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat u zgjeruan me rreth 12.4 mijë vizitorë.

HYRJET E TË HUAJVE NË SHQIPËRI
                                     Qershor 2025       Qershor 2026
Kosova                              489.070                 437.880
Italia                                 111.198                 136.243
RMV                               101.376                   86.153
Greqia                               62.454                   58.853
Mali i Zi                            60.135                   53.923
Polonia                              47.961                   64.719
Mbretëria e Bashkuar     36.890                   49.275
Gjermania                        53.356                   40.191
Franca                              32.802                   37.383
Shtetet e Bashkuara         33.823                    35.899
Turqia                               41.240                   30.178
Ukraina                            18.331                   28.314
 

Por pavarësisht këtij ngadalësimi në muajin e kaluar, panorama turistike e vendit mbetet pozitive. Gjatë periudhës janar-qershor 2026, Shqipëria priti 5 milionë vizitorë të huaj, rreth 297 mijë më shumë se një vit më parë.

HYRJET E SHQIPTARËVE DHE TË HUAJVE
                                             Shqiptarë          Të huaj
Janar-Qershor 2025          3.836.299          4.761.648
Janar-Qershor 2026          4.107.281          5.059.069
Diferenca                           +270,982            +297,421