Studentët e Universitetit të Mjekësisë prej dy ditësh po protestojnë para ministrisë së Arsimit kundër paralajmërimit të qeverisë se studentët e mjekësisë do duhet të punojnë 3 vite me detyrim në vendin tonë pas përfundimit të studimeve, ose në të kundërt do të duhet të paguajnë vlerën reale të tarifës. Dy studentë të mjekësisë, Elda Isaku dhe Klajdi Xhambazi folën në Report Tv për protestën e tyre dhe kërkesat që i kanë parashtruar ministres së Arsimit.

E ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, studentja Isaku thotë se një nismë e tillë cenon liritë dhe të drejtat e njërit. Ajo vë theksin edhe tek sallat ku bëjnë mësim, për të cilat thotë se nuk janë në kushtet e duhura, deri tek mungesa e literaturës bazë. Një tjetër problematikë, Isaku thotë se janë edhe praktikat që zhvillojnë, për të cilat kërkojnë që të vendosen mjekë specializantë si mentorë gjatë periudhës së praktikave.

“Arsyeja pse dolëm të organizon këtë proteste ishte një draft që thonin që ne pas diplomimit duhet të punonim në Shqipëri 3 vite, si detyrim, e kemi detyrim të bëjmë 3 vite punë ku na caktojë ose do paguajmë tarifën reale, që është rreth 5 mijë euro për vit. Ajo që në paguajmë thuhet se është sa 1/12 e tarifës e reale. Cenohen liritë dhe të drejtat e njeriut.

Sallat që bëjmë mësim, ca literature mësojmë, e bëjmë në mënyrë autodidakte nuk kemi literaturë bazë. Nëse se ke si mund të kërkosh që mund të kesh mjekë të përgatitur, të mos flasësh për praktika që lënë shumë për të dëshiruar në spitale”, tha Isaku.

Po ashtu, edhe Xhambazi thotë se kushtet duhet të përmirësohen, pasi janë ato që e çojnë para sistemin shëndetësor.

"Është diskriminuese, e konsideroj një hap pas në sistemin shëndetësor. Duam kushte, jo tarifa. Kushtet për ne e çojnë para sistemin shëndetësore. Përsa kohë nuk e trajton problemin e vërtetë, që janë kushte e vështira, neve na detyron që të largohemi edhe pse 3 vite më pas.

Nuk duam të larg, detyrohemi të largohemi. Sapo mbarojmë shkollën përballemi me realitetin e hidhur në spital. Na thotë që ne se paguajmë më tarifën, koston e përgatitjes së mjekëve po iu ofrojmë kontratë që do rrini me tre vite për detyrim. Është mbi 10-fshih i çdo un tjetër në Shqipëri. Është fyese për ne kjo pozitë në të cilën na ka vendosur, që të dyja janë të padrejta", u shpreh ai. 

Kërkesat e studentëve
1. Dalje publike të një prej Ministrive apo e Rektoratit ku të deklarojë publikisht që ky draft nuk do të vazhdojë të hartohet dhe ndërprerjen imediate të propozimit pasi bie ndesh me Të Drejtat dhe Liritë e personit për të zgjedhur lirisht pa asnjë detyrim profesionin, vendin e punës dhe kualifikimet e tij.
2. Bazuar në tarifën që ne paguajmë aktualisht e cila është më e larta nga të gjitha universitetet e tjera në Shqipëri kërkojmë që:
a. Të përmirësohen kushtet e sallave të seminareve dhe leksioneve dhe ndërtimin e sallave të reja me kapacitet mbajtës për të gjithë studentët e një paraleli.
b. Të vihen ne dispozicion ambiente të posaçme (Qendra e Simulimit) për kryerjen e praktikave (psh: intubim, vendsoje e vigonave, praktikimi I ndihmës së parë etj) c. Ndërtimi i bibliotekave te aksesueshme në çdo orar të ditës nga studentët.
3. Rivlerësimi i të gjithë literaturës me të cilën studiojmë nga një komision i posaçëm dhe ngritja sa më parë e grupeve të punës për krijimin e literaturave të reja sipas standardeve europiane.
4. Standardazimi i kryerjes së praktikave nëpër pavione dhe vendosja e mjekëve specializante si mentorë për studentët për kryerjen sa më mirë të cikleve klinike.
5. Ringritjen sa më parë të strukturave të Qeverisë Studentore.