Protesta pa 'busull' e Lulzim Bashës

Protesta pa 'busull' e Lulzim Bashës

Debatet  mes mazhorancës dhe opozitës kanë qenë të pranishme në çdo kohë qeverisjeje, por muajt e fundit në Shqipëri, përplasjet janë bërë edhe më intensive nga të dyja palët.  Përpjekja për rrëzimin e qeverisë së tanishme nisi vrullshëm në shkurt me thirrjen nga PD-ja për protesta anti-qeveritare. Opozita e bashkuar me në krye Lulzim Bashën nga shkurti e deri përpara 30 qershorit, për 4 maj me radhë, zhvilloi një sërë protestash, e cila, nga kauza për të rrëzuar Ramën, krijimin e një qeverie transitore, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndryshoi slogan: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor. Por zgjedhjet u mbajtën, edhe pse në më shumë se shumicën e bashkive vetëm me një kandidat nga mazhoranca, tashmë të njohura edhe nga ndërkombëtarët dhe në proces certifikimi nga KQZ, bashki më bashki.

Pasi nuk ja doli të ndalë 30 qershorin, pavarësisht tentativave të dhunshme duke sulmuar me bomba molotov disa KZAZ në bashkitë konsideruar bastione të demokratëve, me në krye Bashkinë e Shkodrës, Basha thirri sërish protesta kombëtare. E radhës është më 8 korrik, të hënë në 20:00 para kryeministrisë.

Njëjtë si në protestat e mëparshme, pikënisja e protestës është në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" para kryeministrisë, për të vijuar (ndoshta) me skenarin e marshimeve drejt Parlamentit e së fundi në selinë blu ku gjithçka mbyllet me himnin kombëtar, të cilin Basha nuk e këndon më 'solo'.

E fundit protestë kombëtare kundër qeverisë, nuk pati molotov, nuk pati djegie pemësh, të kazanëve të plehrave e as goditje ndaj kryeministrisë, parlamentit e forcave të policisë. Një thirrje e fortë e SHBA-ve me emra të përveçëm të Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, mjaftoi që shumë lehtë ata të dëshmonin, se nëse donin, protestat mund të ishin mëse paqësore. Thirrja ishte e tillë se si udhëheqësit e opozitës nuk duhej të lejonin dhunë: Ti bënin thirrje publike simpatizantëve për qetësi, ndryshe do të futeshin në listat e  organizatave të dhunshme të SHBA. Më i ashpër ishte zv/ndihmës sekretari amerikan për shtetin Matthew Palmer i cili tha se kush pengon procesin zgjedhor do të shkëpusë marrëdhëniet me SHBA. Njëjtë, Basha dhe Kryemadhi faktuan se nëse ata duan, zgjedhjet mund të zhvillohen pa incidente, ndryshe nga ç'kishte ndodhur gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Në gjithë këtë histori përplasjesha politike, kokëfortësish për të mos u ulur në dialog, palët e prekura nga trazirat kanë qenë forcat e policisë dhe vetë protestuesit, të cilët morën përsipër edhe riskun e futjes në burg për kauzën (pa kauzë) të opozitës.

Sulme me mjete të forta, bomba molotov e kundërpërgjigje me gaz lotsjellës ishte panorama që ofroi kjo valë protestash opozitare.

Basha e Kryemadhi ishin bashkë në më shumë se gjysmën e këtij rrugëtimi. Edhe bllokimi i rrugëve, si një formë e mosbindjes civile, i gjeti ata bashkë. Ku sërish pala më e prekur ishin efektivët e policisë që përplaseshin me militantët e opozitës, dhe qytetarët që bllokoheshin në trafik.

Por me afrimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita nuk dukej më dhe aq e bashkuar. Madje ndarja u bë e qartë. PD e vetme, me kryebashkiakët e zgjedhur prej saj që do duhej të linin karrigen e pushtetit pas bojkotit nga opozita të garës elektorale të 30 qershorit, nisi të sulmojë me molotov  KZAZ-të duke shkatërruar materialet zgjedhore në përpjekjet e saj të fundit për të penguar zgjedhjet vendore.

Teksa LSI qartazi u radhit krah presidentit Ilir Meta, duke pranuar menjëherë dekretin e tij për ribërjen e zgjedhjeve vendore më 13 tetor 2019, Lulzim Basha nuk e ka pranuar këtë fakt. Për të nuk ishte problem -data siç ai shprehej - por fakti që çdo proces zgjedhor duhet mbajtur pa Edi Ramën kryeministër. Tashmë ka edhe një kusht të ri. Vënien përpara drejtësisë të personave të përfshirë në shitblerjen e votave, në të famshmet dosje 184, 339, që vetë Lulzim Basha, siç Arben Imami u shpreh ditë më parë, i ka pasur në dorë që në kohën kur PD protestoi për 3 muaj në çadër para kryeministrisë. Në atë kohë,, 2017-ën, Basha ja doli të bëjë marrëveshje politike dhe të hyjë në zgjedhje në moment të fundit me marrjen e disa ministrive dhe posteve kyçe që i garantonin atij të kishte në dorë mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, të cilin edhe pse në atë kohë e njohu, tashmë e konteston si të vjedhur. Por tashmë situata duket shumë më e vështirë. Kryeministri Edi Rama u tregua mëse i vendosur për dialog me liderin opozitar, por pa pranuar asnjë kusht prej tij.

Në këtë situatë, Basha ju rikthye pas zgjedhjeve protestave kombëtare, e dhjeta kundër qeverisë. Edhe vetë demokratët i la në dilemë. Arsyeja e vërtetë përse kryedemokrati do të mbledhë në Tiranë simpatizantët nga gjithë Shqipëria, nuk është e kuptueshme. Ndoshta as vetë ai nuk e ka të qartë, teksa këtë të shtunë përmes një postimi në Facebook, i ftoi qytetarët në protestë.

"Të hënën, 8 korrik në ora 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës së krimit, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, bashkohemi kundër bandës që grabit gjithçka, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipërinë si Europa! Asnjë hap pas!", shkruan Basha.

Çka mbetet e njëjtë (e pandryshuar), si nostalgji për kohën e nisjes së protestave në shkurt kur kauza e Bashës ishte më e qartë,  është vetëm një slogan i vendosur me 'hushtag' në fund të thirrjes: Rama ik!..dhe "Shqipëria si Europa", që tashmë është kthyer në një slogan edhe të Presidentit të Republikës.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 07/07/2019 20:42

    Asnje ne proteste Kauza e PD ka vdekur keta Jane e keqja e shqiptareve ndaj abandononi te gjithe

    Përgjigju
  • hapu: 07/07/2019 16:20

    o Lul mbaje b*then drejt. mos bej shaka me elektoratin . se do ngelesh vetem

    Përgjigju
  • Mala: 07/07/2019 10:09

    Qe neser ne proteste duhet te ndryshon parolla e Militanteve dilettante te PD dhe LSI,te degjohet arsyeja verte kush duhet te IKEN?! Meta,narcisoidi Basha, Monika Ikni!!! te ikenin edhe ndihmaqaret-sherbetoret pa identitet politik personal.Paloka,Bardhi,Ali beja<Nishani dhe trabolina e Mtes dhe faxhores

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja