Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj dhe anëtari i Grupit Koordinues të protestave që po zhvillohen në Tiranë, Përparim Gjeka, kanë diskutuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv mbi ecurinë e protestave dhe platformën politike të shpalosur gjatë tubimeve.
Deputeti Malaj tha gjatë fjalës së tij se sot në protestë po mbizotërojnë oportunistët politikë, oportunistët mediatikë dhe ata që kanë qëllime të caktuara apo i shërbejnë interesave të caktuara, për të dëmtuar në disa fusha vendin, veçanërisht në atë të turizmit.
Malaj theksoi se kërkesat politike që kërkojnë protestuesit, duhen kërkuar dhe realizuar përmes zgjedhjeve, pasi sipas tij nuk mund të fitohen nga rruga.
“Të gjitha protestat marrin gjithmonë vëmendjen e duhur. Por nëse do një mendim timin përsa i përket, është ajo që e kam thënë që në ditën e dytë apo të tretë të protestës, që kam thënë se duhet parë si do vijojë protesta. Nëse do arrijnë dot që këtë protestë ta mbajnë qytetarët, apo mes tyre dhe të tjerëve do të mbizotërojnë oportunistët. Sot fatkeqësisht kanë mbizotëruar oportunistët e të gjitha kategorive.
Ka oportunistë politikë, që shkojnë aty për të marrë vota dhe që tentojnë të flasin në emër të protestës, që nuk mund të flasin në emër të protestës. E dyta janë oportunistë mediatik, oportunistë të një kategorie tjetër do i quaja ata që kanë nevojë për vëmendje. Janë edhe ata oportunistë që kanë qëllime të caktuara për të dëmtuar në disa fusha vendin, siç është ajo e turizmit. Asnjëherë nuk është thënë që në protestë ka iranianë, por është thënë që ka njerëz të shtyrë nga të gjithë ata në rajon apo edhe përtej rajonin, që kanë interes që Shqipëria të mos ketë zhvillim përsa i takon investimit në Zvërnec.
Ato kërkesa politike që kërkojnë ata aty, në fakt ka një rrugë tjetër për t’u kërkuar. Por ato kërkesa politike që kërkohen aty, kanë një rrugë tjetër për t’u kërkuar dhe e vetmja rrugë janë zgjedhjet. Nëse ke një kërkesë politike, duhet të përballesh në zgjedhje dhe t’i kërkosh qytetarëve çfarë mendimi kanë. Nuk mund ta fitosh nga rruga”, tha mes të tjerash Malaj.
Nga ana tjetër, anëtari i Grupit Koordinues të protestave që po zhvillohën në Tiranë, Përparim Gjeka, është shprehur se protestat që po zhvillohën në Tiranë kanë ndryshuar balancat politike në vend, si dhe kanë rritur kurajon dhe besimin se Shqipëria mund të bëhet.
Gjeka tha gjatë fjalës së tij se në protestë dalin qytetarët që sipas tij janë nëpërkëmbur dhe u është marrë e ardhmja dhe atdheu nga qeveria.
“Kjo protestë është një protestë që ka ndryshuar balancat politike në vend, ka ndryshuar shumë gjëra në perceptimin e njerëzve, ka rritur kurajon dhe besimin se ky vend mund të bëhet. Në fakt aty nuk ka asnjë lloj oportunizmi. Aty jemi të gjithë që kemi shkuar për të protestuar me ato parulla që janë shumë të qarta. Nuk mundet që dhjetëra mijëra njerëz në shesh, me një zë, me një dëshirë, të artikulojnë të njëjtat kërkesa. Aty janë vetëm ata njerëz që janë nëpërkëmbur, ju është marrë e ardhmja dhe atdheu. Ky kryeministër dhe kjo mazhorancë ka pasur 4 mandate rresht, ka pasur mundësi që t’i zgjidhi, ne po shikojmë edhe këtë vizionin që po na shitet tani me Albanian Files, ndërkohë që nuk ka siguruar ujin e pijshëm. Ndërkohë se ku do e gjejnë ujin këto resorte. Këtu është një problem shumë i madh”, tha mes të tjerash Gjeka.
Më tej Gjeka tha se protestat në Tiranë janë një lëvizje anti-sistem që kërkojnë t’i japin fund tranzicionit.
Sipas Gjekës, kjo mund të arrihet jo duke u futur menjëherë në zgjedhje, por duke krijuar kushtet sipas tij, për zgjedhje të drejta dhe të barabarta.
Gjekaj tha se kërkohet një kontratë e re mes shtetit dhe qytetarëve, si dhe ndoshta edhe një Kushtetutë e re.
“Ne jemi shumë të qartë, sepse e kemi parë përditë në protestë. Jam dakord që kjo është një lëvizje anti-sistem. Synon t’i japë fund tranzicionit. Kjo vjen jo direkt duke u futur në zgjedhje, por duke pasur një start të barabartë për të gjithë ata që duan të hyjnë në zgjedhje. Ne nuk kemi një Kushtetutë që të garantojë barazinë në zgjedhje. Ne nuk po kërkojmë që nga protesta të dalë një lëvizje politike. Ne po kërkojmë që të krijohen kushtet, të ketë një kontratë të re nga fillimi, ndoshta edhe një Kushtetutë të re, me dispozita më të favorshme për popullin”, shtoi Gjeka.
Në përfundim Gjeka tha se prioritet i protestës është bashkimi i të gjitha forcave opozitare në një front të gjerë, për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Lidhur me platformën e protestës dhe planin për një Kuvend Kombëtar me 150 anëtarë (që do zgjedhë më pas qeverinë tranzitore), të paraqitur nga një prej organizatorëve të protestës, Edviol Kulluri, Gjeka tha se ato janë teknikalitete që duhet të shihen në një tjetër moment.
“Institucionet e reja janë teknikalitete. Protesta tani ndodhet në një fazë tjetër, që në momentin që u artikuluan kërkesat, sepse u tha... Kuvendi Kombëtar është një teknikalitet që në një fazë tjetër të protestës, sepse dikush duhet t’i realizojë këto gjëra. Duhet vendosmëri, duhet një forcim dhe hapje e protestës, një bashkëpunim më i gjerë midis gjithë forcave opozitare në Shqipëri. Këto pika për Kuvend Kombëtar janë, por ky është një proces”, përfundoi Gjeka.
Komente








Të rëzofeshin qeveritë siç thonë këta talebanët nuk do kish mbetur shtet në botë. Qeveritë në demokraci rrëzohen me votë prandaj këta derra NOC RROKUN e kanë në xhep.
Përgjigju