Divergjenca me LSI për financimin/ PD: PS s'e kundërshtoi! Hajdari: Me ndihmën e Metës referendum për sistemin

TIRANE-Prezenca e OSBE-së në Shqipëri arriti që të bënte bashkë sërish në një tryezë partitë politike në parlament dhe jashtë për Reformën Zgjedhore. Në takimin e sotëm, që ishte i dyti për këtë cështje pas atij të 25 shtatorit, në fokus ishte financimi i partive politike në zgjedhje. PD-ja që përfaqësohej në tryezë nga eksperti për cështjet zgjedhore Ivi Kaso shpalosi propozimet e selisë blu, ku pika kryesore është financimi 100% nga shteti i partive politike për zgjedhjet.

Por në këtë pikë mes opozitës jashtë parlamentit ka divergjenca të forta, pasi LSI-ja e kundërshton duke kërkuar një sistem miks duke detyruar Ivi Kason që të deklarojë se PD-ja është e hapur për një tjetër formulë. Megjithatë, nuk ishte vetëm LSI-ja kundër, pasi drafti u kritikua edhe nga ekspertët e huaj dhe opozita e re, Rudina Hajdari. Por Ivi Kaso në këtë pikë u ngushëllua me faktin se sipas tij 'PS-ja nuk e kundërshtoi draftin'. Një tjetër pikë që u diskutua ishin edhe reklamat e fushatës. Damian Gjiknuri tha se ndërkombëtarët duan ndalimin e reklamave politike.

Por, pavarësisht diskutimeve për financimet apo cështje të tjera, kryesorja për opozitën në parlament është ndryshimi i sistemit. Rudina Hajdari tha se do ta çojë deri në fund betejën për ndryshimin e sistemit dhe kërkoi ndihmën e Metës për referendum. "Referendumi është i vështirë, por ndoshta edhe me mbështetjen e Presidentit mund ta realizojmë" tha Hajdari.

Kujtojmë që pak ditë më parë Hajdari zhvilloi një takim me Presidentin Meta, por nuk dihet nëse është diskutuar për këtë cështje. Ndërkohë që edhe Meta kohët e fundit është shprehur se shqiptarët duhet të vendosin me referendume për cështje delikate. "Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Hajde bëni referendum. Po vjen 22 nëntori, do kërkoj që gjithë problemet në Shqipëri të zgjidhem me referendum. Ti zgjidhë populli” u shpreh Meta.

Por në çfarë faze ndodhet Reforma Zgjedhore? Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar qe reforma të realizohet nga PS dhe PD me praninë e ndërkombëtareve.  Deri tani Komisioni i Posaçëm Parlamentar me përbërje të deputetëve të shumicës dhe opozitës, që drejtohet nga Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri kanë punuar në dy drafte, depolitizimin e komisionerëve dhe financimin e partive politike. Ndërsa opozita në tryezën paralele ka zhvilluar disa takime ku ka diskutuar për votimin elektronik dhe financimet, por ende nuk është zbuluar drafti i plotë me propozimet. 

Kryeministri Rama ka deklaruar se reforma zgjedhore do të miratohet në dy faza, e para brenda dhjetorit me rekomandimet e OSBE-së (e dyta për sistemin dhe të tjerat vitin tjetër) me apo pa opozitën në Kuvend, ndërsa ka shtuar se nuk do të presë pa fund Lulzim Bashën (opozita ka një karrige në komision dhe të drejtën e vetos). Por pas kushtit të panegociueshëm të opozitës në Kuvend se nuk e japin votën pa u miratuar gjithcka në një fazë përfshirë ndryshimin e sistemit, Damian Gjuknuri e la hapur derën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:26
Tryeza për Ref.Zgjedhore/ OSBE: Lehtësoi dialogun mes të gjitha partive politike

Për OSBE-në, tryeza e sotme për Reformën Zgjedhore e vlerëson si lehtësim të dialogut mes palëve politike, teksa kanë vlerësuar pjesëmarrjen edhe opozitës jashtëparlamentare.

"Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Këshillin e Evropës/Bashkimin Evropian dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI), organizoi sot një tryezë teknike të rëndësishme për reformën zgjedhore, përqendruar te financimi i partive dhe i fushatave zgjedhore.

Prezenca përkrah reformat e rëndësishme në mënyrë gjithëpërfshirëse, në partneritet të ngushtë me organizatat ndërkombëtare, duke respektuar të gjitha institucionet dhe partitë politike shqiptare, dhe në dobi të qytetarëve të Shqipërisë. Ekspertët e OSBE/ODIHR-it, KiE/BE dhe NDI-it ndanë pikëpamjet e tyre për çështjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore me përfaqësues të shumë partive politike shqiptare, duke bërë që tryeza të sillte një shkëmbim pikëpamjesh dhe zgjidhjesh konkrete e me vlerë.

Veprimtaria lehtësoi dialogun mes të gjitha partive politike, me qëllim ndërmarrjen e hapave konkretë për përfundimin e reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat kanë mbetur të patrajtuara për një kohë të gjatë. Prezenca e çmon pjesëmarrjen e partive që u larguan nga Kuvendi, si dhe propozimet e bëra prej tyre në këtë tryezë.

Veprimtaria e sotme është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik, përmes ofrimit të ekspertizës teknike nga OSBE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtare, në përkrahje të reformave thelbësore. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të lehtësojë tryeza, takime pune dhe konferenca të tjera për reformën zgjedhore, si edhe të ofrojë ekspertizë teknike. Ne mbetemi të vendosur ta mbështetim Shqipërinë dhe të gjitha institucionet e saj në një dialog gjithëpërfshirës, sipas mandatit tonë në vend", shkruan OSBE.

Ora 13:54
Financim 100% partive? Hajdari kundër PD-së: Referendum me mbështetjen e Metës për sistemin (VIDEO)

Rudina Hajdari, bashkëkryetare e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore u shpreh kundër propozimit të PD-së për financim 100% të partive politike nga buxheti i shtetit Ajo tha se synimi kryesor i opozitës është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe këtë do të tentojnë ta realizojnë me cdo kusht dhe nëse do të jetë e nevojshme do ta cojnë në referendum me ndihmën e Presidentit. Kujtojmë që pak ditë më parë Hajdari zhvilloi një takim me Presidentin Meta, por nuk dihet nëse është diskutuar për këtë cështje.

"OSBE është shprehur gjithmonë e gatshme për të na ndihmuar, por edhe ekspertët që ishin aty. Propozimet nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare ishin konkrete. Ndryshe nga më parë, jemi të kënaqur që opozita jashtë parlamentare qëndroi deri në fund, pasi komunikim me zotin Kaso. Financimi 100% është një nga propozimet e tyre kyce, por t'u kërkohet shqiptarëve të paguajë për partitë  nuk është e drejtë. Mund të krijojë një treg të zi akoma më problematik. Duhet të ketë një vullnet të qartë për këtë propozim, nëse nuk bëhet do ta thellonim krizën për infiltrimin e lekëve të pista. Duhet të jemi më realist dhe konkret, mos i kërkojmë shqiptarëve të financojnë edhe buxhetin për partitë.

Ne duam vërtetë një reformim zgjedhor tërësor, por ndryshimi i sistemit është ai që do të zbuste rolet e kryetarëve të partive. Ligji i partive politike me përmirësime të mira për financimin e zgjedhjeve nuk i zgjidh të gjitha problemet tona. Kemi mbështetje nga shoqëria civile për ndryshimin e sistemit, dhe nëse është e nevojshme do ta çojmë deri në referendum. Ne jemi të vetëdijshëm që partitë kryesore nuk duan ndryshimin e sistemit. Referendumi është i vështirë, por ndoshta edhe me mbështetjen e Presidentit mund ta realizojmë" tha Hajdari.

Ora 13:49
PD divergjenca me LSI për skemën e financimit të partive/ Kaso: PS-ja s'e kundërshtoi (VIDEO)

Përfaqësuesi i PD-së në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore Ivi Kaso deklaroi se PS-ja nuk e kundërshtoi propozimin e selisë blu për financimin 100% të partive politike për fushatën. Por ndërsa ndërkombëtarët e kundërshtuan duke qenë skeptikë në disa pika, PD-ja pavarësisht se e cilëson si propozim të opozitës po has në kundërshtimin e LSI-së. Aleatja e PD-së kërkon që sistemi i financimit të jetë miks dhe jo i prerë 100% nga shteti. Për këtë arsye, Kaso tha se është i hapur edhe për formula të tjera.

Prononcimi i plotë i Ivi Kasos
Opozita i përgjigjet pozitivisht cdo ftese të partnerëve për të marrë pjesë në një tryezë që synon të japë zgjidhje të vërteta. Financimi i partive kërkon kontributin e të gjitha palëve. Propozimet janë detajuar edhe në nivel teknik dhe së shpejti nga ekspertët e opozitës së bashkuar në funksion të punës që mblidhen në selinë e PD do të materializohen me një draft konkret. Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre me pikat e dobëta që lidheshin me financimin dhe që duhet të adresoheshin. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre për 100% të financimit publik. I takon klasës politike që të miratohet dhe zbatohet.

LSI kërkon sistem miks?
Është edhe diskutim i brendshëm dhe qëndrim që kemi shprehur sot, që e rëndësishme është që të kufizohet dhe monitorohet. Propozimi ynë është drastik. Për sensibilitetin e aleatëve jemi shprehur gati për të diskutuar edhe formula të tjera, por qëllimi është të shkojmë drejt financimit 100% publik.

Po qëndrimi i shumicës?
Nuk është se ka shprehur ndonjë qëndrim të qartë. Fjala e mbajtur nga përfaqësuesja e shumicës, Gjylameti nuk e preku cështjen e financimit si duhet të ishte dhe nuk pati ndonjë reagim ndaj propozimit tonë. Nuk vërejta ndonjë mbyllje nga PS-ja.

Do ishit gati për zgjedhje me këtë reformë?
Mesa jam informuar Basha ka folur për zgjedhje të parakohshme, është qëndrim i konsoliduar nga opozita, që nesër, por reforma nuk mbaron nesër. Opozita ka përfunduar procesin e riorganizmit dhe ka besimin e shqiptarëve. Opozita me anë të ekspertëve do të bëjë cfarë është e mundur që propozimet e saj të detajuara të jenë në dispozicion të publikut sa më parë që të jetë  e mundur. Hapat e tjerë të miratimit formal që duhet të kalojë reforma dalin tej mundësive tona dhe nuk mund të parashikojmë.

Fjala e plote e Ivi Kaso

Ora 13:20
Financimi 100% nga shteti? Ekspertët e huaj kundër propozimit të PD-së

Burime për Report Tv nga tryeza e reformës zgjedhore pohojnë se ekspertët ndërkombëtarë janë shprehur kundër financimit 100% nga shteti të fushatës zgjedhore. "Ekspertët theksuan se është kundër standardeve ndërkombëtare, Këshilli i Europës dhe Komisioni të Venecias për të pasur vetëm financim publik" raporton gazetarja e Report Tv Klesiana Omeri, referuar burimeve nga tryeza e OSBE-së.

Ora 12:34
Financimi i partive/ Zbardhen propozimet e PD në tryezën e OSBE për reformën zgjedhore

Report Tv ka zbardhur propozimet e përfaqësuesit të PD-së Ivi Kaso në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore. PD-ja kërkon ndërhyrje ligjore që sigurojnë që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Gjithashtu selia blu kërkon ashpërsimin e kornizës ligjore që pengon financimin nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderash dhe koncensionesh si dhe ndalime nga përfitimi i tenderave apo koncensioneve, për një kohë të përcaktuar, nga kompani që kanë financuar partitë politike dhe kandidatët.

Propozimet e PD-së në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore
1.      Është koha t’i jepet fund fragmentarizimit të rregullimit ligjor financiar të partive politike. Korniza ligjore për financimin e partive duhet thjeshtuar dhe integruar në një ligj të vetëm, të posaçëm, që rrit efikasitetin të mbikqyrjes dhe verifikimit.

2.      Opozita e Bashkuar propozon si zgjidhje optimale dhe të dëshiruar, që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta apo legale.

3.      Opozita e Bashkuar propozon kriminalizimin e financimeve private, gjë që kërkon insitucione të forta investiguuese. Në pritje të ngritjes dhe funksionimit të plotë të  SPAK dhe BKH, opozita është e hapur të pranojë zgjidhje alternative të modeleve të financimit. Ato mund të variojnë nga preferenca jonë – zero financime private - në zgjidhje që tolerojnë financimin privat në një masë që nuk kalon masën e financimit që partitë marrin nga Buxheti i Shtetit.

4.      Përzgjedhja e ekspertëve kontabël duhet të jetë e detyrueshme për ekspertët që përcaktohen për të kryer ekspertimin. Refuzimi për të kryer ekspertimin duhet të përfshijë penalitete të forta. Një alternativë mund të jetë adoptimi i sistemit të verifikimit të ndërsjelltë të shpenzimeve të deklaruara nëpërmjet auditëve të caktuar nga partitë politike të cilët auditojnë subjektin politik rival (peer revieë) duke garantuar një auditim të ndërsjelltë të besueshëm.

5.      Duhet ashpërsuar korniza ligjore që pengon financimin nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderave dhe koncensioneve, si dhe duhet të ndalohet përfitimi i tenderave apo koncensioneve për një kohë të përcaktuar, nga kompani që kanë financuar partitë politike dhe kandidatët.

6.      Duhet rregulluar në mënyrë strikte përfitimi i donacioneve  në natyrë dhe shërbime apo favore nga partitë politike, kandidatët apo edhe institucionet shtetërore. Lista e donatorëve, shifra e donacionit ose shifra e përllogaritur e një donacioni në natyrë ose shërbime për institucionet shtetërore duhet bërë publike.

7.      Me qëllim uljen e kostove të fushatave, ligji duhet të vendosë kufizime të detajuara për tipologjitë e caktuara të aktiviteteve dhe infrastrukturës së përdorur apo mjeteve të propagandës.

Duhet kufizuar numri i zyrave elektorale në raport me popullsinë apo numrin e qendrave të votimit.

Duhet kufizuar numri i billbordeve posterave, banerave apo flamujve të përdorur nga një subjekt.

Duhen vendosur kufizime strikte për kohën totale dhe numrin e reklamave zgjedhore për çdo subjekt.

Duhet të përcaktohet ligjërisht dhe të unifikohet kostoja e nje reklame.

Duhen vendosur mekanizma që kostoja e reklamave të mos jetë e pagueshme drejtpërdrejtë, por të jetë e zbritshme nga detyrimet që i kanë shtetit transmetuesit televizivë dhe radiofonikë.

Duhet të kufizohet numri i aktiviteteve që transmetohen live apo në çdo formë tjetër dhe që përfshin kosto për transmetim mediatik.

Subjektet duhet të regjistrojnë në KQZ kontratat për konsulencë zgjedhore apo për marrëdhëniet me publikun dhe të deklarojnë kostot përkatëse.

8.      Duhet ngritur një sistem i pavarur verifikimi i lëvizjeve financiare të korporatave për një periudhë përpara dhe pas procesit zgjedhor. Subjektet e përfaqësuara në KQZ duhet të kenë mundësi të mbikqyrin levizjet financiare dhe bankare që raportohen në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

9.      Ligji duhet të parashikojë sanksione të ashpra, përfshirë sanksione penale për deklarime të pasakta apo të rreme në lidhje financimin dhe shpenzimet politike. Deklarimi i rremë i shpenzimeve duhet të passjellë humbjen e mandatit të zgjedhur dhe ndjekjen penale.

10.  Duhet të rishikohet dhe forcohet korniza ligjore lidhur me raportimin mediatik të politikës në përgjithësi dhe, veçanërisht, të pasqyrimit të fushatave zgjedhore për të shmangur  çdo formë çensure.

Ora 11:25
Gjoni i shtrin dorën PD-LSI për zgjedhoren: Ejani të bashkojmë forcat (VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni në një prononcim për Report Tv u shpreh se opozita PD-LSI duhet të angazhohet në institucionet e parlamentit, referuar komisionit të posacëm të reformës zgjedhore. Ai kundërshtoi propozimin e PD-së për financim 100% të fushatës nga shteti, por tha se opozita është e mirëpritur në tryezë.

'Dua të shpreh vlerësimin për OSBE-së për tryezën. Pjesa e parë ishte te ekspertët ndërkombëtarë. Pjesa e dytë do të jetë nga partitë politike, sepse ne jemi ata që e njohim terrenin dhe e kemi jetuar më shumë se ndërkombëtarët financimin e errët të partive politike. Nuk mund flasim për pulla kamerdareje pa ndryshuar rrotën, beteja jonë është për ndryshimin e sistemit. Dora jonë ka qenë gjithmonë e shtrirë ndaj PD-së dhe LSI-së, ndodhi cfarë ndodhi, tani të bashkojmë forcat për një reformë tërësore në shërbim të vendit.

Është një hap i parë i mirë, PD-ja është e mirëpritur edhe në gjirin e komisionit, ku duhet të trajtojmë propozimet me seriozitet. Është prani e mirëpritur. Nuk e mbështes financimin e partive 100% nga shteti. Duhet një ekonomi miks, nga shteti dhe donatorët privatë. Por hajde të diskutojmë për modelin që i duhet Shqipërisë' tha ai.

Ora 11:11
Tryeza e OSBE, Gjiknuri: E mirëpresim PD! Ndërkombëtarët duan ndalimin e reklamave politike (VIDEO)

Bashkë-kryetari i reformës zgjedhore Damian Gjiknuri u shpreh në përfundim të pjesës së parë të diskutimeve me dyer të mbyllura në tryezën e organizuar nga OSBE-ja se e mirëpret praninë e PD-së. Ai deklaroi se në pjesën e parë të tryezës u diskutua për financimet e partive, por edhe propozimin e disa institucioneve ndërkombëtare për kufizimin apo deri në ndalim të reklamave politike.

"Projektet që kemi shfaqur duke bërë një kritikë apo sugjerime për ata që po miratojmë në komisionin e reformës zgjedhore. Po shikojmë financimet e partive politike. Ka diskutime të ndryshme dhe ide të ardhura nga disa institucione ndërkombëtare për të kufizuar reklamat politike apo ndaluar fare ato. Po shikojmë pluset apo minueset. Ne PD-në e presim të vijë me propozime konkrete, pasi tani nuk kemi parë, kur t'i shohim do të shprehemi. Roli i PD-së dhe prezenca është e mirëpritur. Po diskutohet edhe për financimet e partive, legjislacioni i ri për financimet politike do të përfshijë edhe partitë kryesore sikur është edhe PD-ja" tha Gjiknuri.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatmir: 19/11/2019 13:44

    PD nuk do zhjedhje.Kerkon para nga taksa paguesit sa here mbesin keq per leke.

    Përgjigju
  • une: 19/11/2019 13:08

    Partia demokratike e lului ka mbetur pa anetare, qe do te thote pa para. <B>Me taksat e mia nuk mund te financohen ata qe shkaterruan shqiperine<B/>

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

 Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës

Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës