Nevila, shoqja ime e ngushtë e shkollës së mesme dhe e Universitetit, vinte nga një familje ortodokse. Sa herë që shkoja në shtëpinë e saj, (ishin vitet e fundit të Shqipërisë së izoluar) më bënte shumë përshtypje se me sa kujdes mamaja e saj, Vasilika, e kishte sistemuar apartamentin. Me sa shije dhe sa bukur kishin vendosur edhe qilimat tanë tradicionalë. Në atë shtëpi qilimat ndriçonin, jepnin më të mirën e tyre; jetë dhe ngjyrë. Ishte e rrallë atëherë të shihje shtëpi të këndshme, përtej standarteve dy divanë një bufe dhe një tavolinë 2 mijë lekëshe, prandaj nuk e harroj. Është e vërtetë që ishim ateistë, por nëpër familjet tona, gjurmët e përkatësisë fetare ndjeheshin në zakone, në gatime, në mënyra të ndryshme jetese, ndoshta të holla e të padukshme për një sy të pavëmendshëm. Edhe pse pas universitetit rrugët tona u ndanë, ato vite të kaluara bashkë, kanë mbetur të pashlyeshme tek unë. Nevila ishte një shoqe shumë e edukuar, shumë e përgatitur, tepër e veçantë dhe e rrallë. Ishte deri në ditët e para të këtij janari, kur ndërsa mendoja se po bënte qejf e po ja kalonte shumë mirë në Kanada, ku ishte larguar për punë prej vitesh, mësova lajmin e tmerrshëm se nuk jeton më. E papritur dhe e dhimbshme për mua.
Ndërsa përditë e kujtoj Nevilën dhe më vijnë në mëndje vitet e jashtëzakonshme që kaluam bashkë, po ndjek njëkohësiosht dhe jetën, veprën dhe ceremoninë për Kryepiskopin Anastas, të cilit të enjten do t’i jpet lamtumira e fundit në Tiranë. Në një fotogaleri të publikuar nga Radio “Ngjallja” e Kishës Orthodhokse Autoqefale, shfaqet Kryepiskopi Anastas në një takim me përfaqësues kryesorë të 4 feve që bashkëjetojnë në Shqipëri. Është një takim i vjeshtës së kaluar, ndoshta ndër më të fundit të bëra nga përfaqësuesit fetarë bashkë me Hiresinë e tij; një takim në zyrën e Kryepiskopit Anastas, në rrugën e Kavajës, ku bie në sy një mobilim i thjeshtë, disa karrige, ndonjë ikonë e objekt fetar dhe… një qilim i bukur shqiptar.
Jo të gjithë i përfillin qilimat tanë. Moda e tapeteve sintetike apo pllakave e parketeve, i ka lënë mënjanë. Sidomos nga shtëpitë e elitave... që preferojnë madje mobilje e tapetë nga jashtë, rrallë i has. Bashkëpunëtorë të ngushtë të Fortlumturisë më thonë se kjo ishte zyra e preferuar e tij, edhe pse kishte një më të rëndësishme në Katedralen e re të madhe.
Personalisht më pëlqejnë shumë qilimat e bëra nga gratë dhe vajzat shqiptare, - një të tillë plot ngjyra e kam në dhomën ku aktualisht po shkruaj. Sidomos disa qilima të thurur në kohët e mëparshme që janë mbledhur nga shtëpitë e shqiptarëve dhe janë nxjerrë në shitje në dyqanet e antikuarëve, duken si objekte të endura me ëndrra, vuajtje, gëzime e dashuri krijuese.
Nga njerëzit e dashur që nuk jetojnë më duket se çdo detaj, sado i vogël, merr përmasa gjigande pas largimit të tyre, si qilimat e Nevilës, shoqes sime të rinisë, ashtu dhe qilimi në zyrën e Hirësisë së tij Janullatus i Shqipërisë.