Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e 5 shkurtit të këtij vitit, kur në automjetin e Mirash Gjikola në Konispol u konstatua se ishte vendosur një sasi prej 6 kallëp tritol.

Fatmirësisht lënda eksplozive nuk shpërtheu, teksa nuk kishte funksionuar lidhja mes kapsollit dhe lëndës eksplozive, montuar në sediljen e pasme të automjetiti të Gjikolës.

Policia bënë të ditur se ka shpallur në kërkim Griseld Taullaj persona ku u ble numri i telefonit përmes të cilit do të realizohej shpërthimi i telekomanduar dhe Xhafer Bajo, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarje.

Mirash Gjikolaj i cili shpëtoi mrekullisht pas këtij atentati ka depozituar në Polici dyshimet e tij, teksa ngjarjen e lidh dhe me një plagosje të realizuar nga ai në Lezhë shumë vite më parë. Ka qenë pikërisht kjo ngjarje për të cilën ai thotë se ka vendosur dhe të zhvendoset në drejtim të Konsipolit, ndërkohë që ka kryer dhe dënimin për plagosjen në fjalë.

Sipas policisë, Griseld Taullaj dhe Xhafer Bajo pritet të gjykohen për vrasje me paramendim dhe mbajtje të armëve dhe municioneve luftarake.

39 vjeçari Bajo dyshohet se hyri në oborrin e banesës së Mirash Gjikolaj ku dhe ka montuar lëndën eksplozive. Një javë para ngjarjes se 5 shkurtit, Gjikola nga Lezha me banim në Konispol kishte konstatuar dhe helmimin e qenit në oborrin e banesës së tij.

Për zbulimin e kësaj ngjarje duket se kanë ndihmuar dhe kamerat e sigurisë në banesën e Gjikolës.

Njoftimi i plotë:

Si rezultat i një pune intensive hetimore nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, pas provave të grumbulluara dhe informacioneve të siguruara, u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasve:

G. T., 39 vjeç dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.

Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M. Gj., 57 vjeç, me qëllim vrasjen e tij.

Strukturat e Policisë vijojnë punën intensive për lokalizimin, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë