Lezhë -  Një sasi tritoli shpërtheu rreth orës 03:30 të mëngjesit në një vilë 2 katëshe në fshatin Rrilë të Lezhës. Nga shpërthimi i fuqishëm pati dëme të konsiderueshme në banesë, ndërsa çifti i bashkëshortëve që ishin brenda, shpëtuan mrekullisht. Pronari i vilës, Mirash Marashi thotë se nuk ka konflikte, ndërsa deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar.

“Mos e provoftë kush, mos i ndodhtë më, ishalla jam unë i fundit”, thotë ai.

Me zërin që i dridhet, Mirash Mirashi, e përshkroi të frikshëm shpërthimin në vilën e tij në fshatin Rrilë të Lezhës, gjatë orëve të natës.

Ai ishte në gjumë së bashku me bashkëshorten, por mrekullisht shpëtuan pa dëmtime.

Shpërthimi i ishte aq i fuqishëm sa u krijua një krater i madh në murin e betonit, ngjitur me derën hyrëse të katit të parë të vilës dy katëshe.

Nga vala goditëse dëmet janë të konsiderueshme, nga jashtë në oborr, deri në çati.

Dritaret janë thyer dhe dëmtuar të gjitha, Copëza të murit gjenden gjithandej në oborrin e banesës, bashkë me elementë metalikë të dritareve e dyerve.

Edhe një makinë tip “Volkswagen” në oborr u shkatërrua.

Dëmet shfaqen edhe në brendësi të dhomës së ndenies.

Mirashi tregoi për dëmet e konsiderushme në vilën e tij.

“Të gjitha pajisjet e gjërat, me derë të blinduar, i kanë hedhur në erë. Derën sipër, tjegullat lartë, komplet”, tha ai.

Pronari i vilës pretendon se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk ka idenë kush fshihet pas.

“Nuk më shkon mendja te askush, unë përnatë dal me shok, vij, nuk kam pas konflikte që kur kam lindur. Nuk e di ku ta çoj mendjen. Nuk kemi probleme, zero. Drejtësia të bëjë punën e vetë”, shtoi ai.

Policia deri më tani nuk ka rënë në gjurmë të personave të dyshuar.