Shqipëria 60 vite në UNESCO. U përkujtua sot nëpërmjet një konference festa e anëtarësimit  të trashëgimisë sonë, nga Butrinti, Gjirokastra dhe Berati, apo edhe isopolifonia, si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, të Arsimit Lindita Nikolla dhe ministri për Europën edhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë konferencës që u mbajt sot ndalën tek puna e bërë ndër vite nga specialistët e trashëgimisë, deri tek diplomatët që kanë lobuar që këto vlera unike të jenë pjesë e UNESCO-s

Ishte e vështirë vendosja e kësaj rruge komunikimi me UNESCO-n në lëmin e para viteve nëntëdhjetë. Ishte komunikim i pjesshëm, i cunguar dhe i pavërtetë. Kjo ishte edhe arsyeja pse hapi i parë domethënës me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore.

Mirela Kumbaro, ministre 

Berati dhe Gjirokastra janë pjesë e UNESCO-s, si një sit i vetëm. Gjirokastra është anëtarësuar në vitin 2005, ndërsa Berati në vitin 2008.

Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture në vitin 1948. Në vitin 1992 u përfshi në listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.

Kodiku i Purpurt i Beratit është pjesë e UNESCOS, si Memoria e botës. Isopolifonia shqiptare, pjesë e trashëgimisë shpirtërore është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të UNESCO-s më 25 nëntor të vitit 2005.

Ndërkohë, është dorëzuar edhe dosja për t’u pranuar në UNESCO edhe një pjesë e Liqenit të Ohrit që shtrihet në Republikën e Shqipërisë. 

Një pjesë e Ohrit dhe Prespa, janë biosferë, brenda pasurive në UNESCO, ndërsa liqeni i Ohrit është dosje për trashëgiminë mikse natyrore dhe kulturore, dhe dosja është përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedit dhe Ministria e Kulturës.