Që Edi Rama do të fitonte kaq thellë këtë askush s’e besonte, përveç vetë Ramës. Por besonte diçka tjetër qysh në krye të herës: që Berisha e Meta do të fajësonin Ramën (e jo veten) për humbjen elektorale, që në 15 maj, cilado të ishin përmasat e saj. Të mos dish të humbësh është një sëmundje kronike në politikën shqiptare dhe dy krerët e mësipërm janë figurat klasike që e kanë formësuar këtë kulturë të mohimit ekstrem dhe mosmbajtjes së asnjë përgjegjësie në kohë disfatash.
Këto orë pas rënies së tmerrshme në 54 nga 61 bashkitë e vendit, rrjeti po qesh me deklaratat që Sali Berisha e Ilir Meta kishin bërë pak orë para votës. I krahasojnë premtimet e tyre për fitore measive nëpër studiot televizive, me daljet qesharake të Lulit të nesërmen e zgjedhjeve të humbura parlamentare të vitit 2021, kur deklaronte “beteja tani fillon”!.
Siç ndodh rëndom me politikanët shqiptarë, këto orë pas zgjedhjeve nuk po përdoren (qoftë larg!) as për të përgëzuar fituesit, e as për të bërë mea culpa-n publike që kërkohet prej humbësve. Në të kundërt, inatçorë dhe sfidues Berisha dhe Meta po akuzojnë votuesit që nuk u vajtën pas, por jo veten për faktin që pakkush u vajti pas!
Refreni “m’i vodhën” është togëfjalëshi më i dëmshëm dhe hipokrit në kushtet ku ndodhet sot opozita. Nuk mund të ecet dhjetë vjet me këtë justifikim nga Basha tek Berisha, sepse ka kohë që vetë justifikimit i vjen era myk.
Sot në opozitë nuk flet askush përveç dy shefave të pikëlluar që frynë me premtime miletin vetëm pak orë para zgjedhjeve. Sali Berisha është i njëjti person edhe kur i deklaronte mediave para zgjedhjeve se “do t’ja ze në fyt vjedhjen, shënojeni”, edhe kur pak orë pas daljes së rezultateve deklaroi se “më vodhi narko-shteti”! Ilir Meta vizatonte trekëndësha imagjinarë “Durrës-Tiranë-Elbasan” para zgjedhjeve, ku sipas tij fitorja e opozitës ishte punë e mbyllur, e më pas, pasi heshti 24 orë pas mbylljes së kutive, doli e tha me gjysëm zëri se na vodhi partia-shtet e Edi Ramës.
Do të mjaftonin fjalët që kanë thënë vetë në harkun e pak ditëve, që sot këtyre dy krerëve politikë t’u kërkohet llogari për humbjen më të rëndë elektorale të një opozite në 32 vjet demokraci. Do të mjaftonin ëndrrat në beze, siç thonë shkodranët, me të cilat Berisha dhe Meta kanë ushqyer përkrahësit e tyre, që sot ata të largoheshin urgjentisht nga anëtarësia e partive që drejtojnë.
Politikanët dhe pelenat e fëmijëve duhen ndërruar sa më shpesh, për të njëjtën arsye, thotë Mark Tuen. Sali Berisha i cili tani fajëson shqiptarët “që u shitën”, mesa duket ka ndërmend të kapet edhe një herë fort pas karriges, siç bëri kur e goditën amerikanët. Ka vendosur ta marrë partinë teposhtë dhe rrotull tij kori i servilave duket se do të bëjnë edhe një herë murin mbrojtës rreth Doktorit.
Alibia tetëvjeçare “Basha” tani ka rënë. Tani nuk ka humbur më “i shituri” Lulzim, por legjendarët dhe qëndrestarët Berisha e Meta. Kanë humbur shumë më rëndë se Luli, i cili me këto shifra paradoksalisht mund ta konsiderojë veten fitimtar brenda oborrit të opozitës shqiptare.
Humbja e Berishës dhe Metës në 14 maj do të mbetet historike. Ra Shkodra dhe Kamza, ranë bashkitë e qarkut Dibër dhe Libohova, ra Tropoja dhe Shijaku. Ranë të gjitha llogoret e të djathtës dhe ajo që mbeti janë bashki të vogla e pa asnjë peshë politike, të cilat në hartën kombëtare vlejnë sa një grusht miza. Si mund të fshihesh tek alibia e narkoshtetit, kur ke humbur në mënyrë kaq kumbuese dhe të hatashme në sytë e gjithë shqiptarëve?!
Nesë sindroma e qorrit dhe e shurdhit fiton edhe këtë herë brenda opozitës, siç po duket se do të ndodhë, në 2025 nuk do të mbeten më as Hasi e Fusharrëzi në ngjyrë blu. Po e bëjnë Edi Ramën mbret me duart e tyre. Luizi pati Big Brother si histori suksesi, Rama ka Berishën e Metën…