SPECIALE 2019/ 'Tërmetet' e politikës, bilanci i ngjeshur i vitit që lamë pas

Viti që lamë pas do të mbahet mend gjatë jo vetëm për tërmetin tragjik të 26 nëntorit që la pas dhjetra viktima e qindra të plagosur, por edhe për lëkundjet e forta që tronditën jo pak politikën shqiptare.

Përgjime, korrupsion, shit-blerje votash, arrestime, vendime gjykatash, protesta e mitingje, janë kryefjala e një viti politik që duket se zgjati më shumë se 365 ditë.

Shuplaka e studentëve që solli furtunë në qeveri

Viti 2019 e gjeti qeverinë shqiptare të riformatuar, me një kabinet thuajse të ri. Ishte protesta e studentëve ajo që i dha shuplakën më të madhe qeverisë. Rama largoi Nikollën, Ahmetajn, Gjiknurin, Bushatin, Peleshin, Qaton, Mesin dhe Kumbaron.

Ministrat lanë karriget e tyre për tu zëvëndësuar me emra të tjerë, disa të njohur për kontributin në politikën shqiptare, e disa të tjerë anonimë.  Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Etilda Gjonaj, Ogerta Manastirlliu, Blendi Klosi dhe Sandër Lleshaj, i shpëtuan furtunës në "Qeveri".

Vetë kryeministri në 28 dhjetor të 2019-ës paralajmëroi një fillim të ri të domosdoshëm, por që sipas tij nuk vinte kurrsesi si rezultat i dështimeve nga ministrat që tashmë kishin lënë karriget e tyre, disa me lot në sy . Qeveria mori disa nisma në zotim, ku më e rëndësishmja, pakti i Universititetit, nga i cili pritej plotësimi i disa kushteve për studentët.

Strategjia e PD, protesta për rrëzimin e qeverisë dhe djegia e mandateve

Ky vit do të mbahët mend për një precedent të parë dhe të paparë në historinë e politikës shqiptare; opozita dogji mandatet duke bërë që mazhoranca të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit: VETËM!

Paralajmërimi i protestës së parë, asaj në 16 shkurt do të ishte vetëm fillimi i trazirave të mëdha. Nëpërmjet një turi në Shqipëri, kryedemokrati Lulzim Basha ftoi qytetarët ti bashkoheshin protestës për të rrëzuar, sipas tij, të ashtuquajturën “qeveri krimi”.

“Po ngrihemi për t’i dhënë fund një shteti grabitqar, dhe për të ndërtuar një tjetër kontratë sociale me të gjithë shqiptarët që duan atdheun e tyre, vendin e tyre! PD nuk do të lejojë asnjë të ri të mos shkollohet për shkak të kushteve të ulëta ekonomike” ,-ishte thirrja e Bashës nga Kavaja.

Vetëm një ditë pas tubimit të parë të opozitës, Basha bëri paralajmërin që supozohej të ishte faza e fundit e përshkallëzimit të protestave, aktin më ekstrem të ndërmarrë nga ndonjë parti në vend, djegia e mandateve.

“Protesta mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen e ofruar nga opozita. E kam lexuar vullnetin tuaj, kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve me te larta politike djegien e mandateve te deputeteve tanë!", - ishte lajmërimi i Bashës nga selia blu, që do të ndryshonte më pas të gjithë rrjedhën e politikës shqiptare.

Ndërkohë, një vendim të tillë kishte marrë dhe aleatje e Bashës në gjithë këtë rrugëtim,. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

“Grupi Parlamentar, vendosi djegjen e mandateve dhe mandatoi Kryetaren e LSI për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi”, deklaroi Kryemadhi.

Mes turmës dhe brohorimave deputetët e opozitës së bashkuar, me në krye Lulzim Bashën dorëzuan mandatet në Kryesinë e Kuvendit.

Dorëzimi i mandateve nga opozita e bashkuar nuk mori mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Departamenti Amerikan i Shtetit, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Gjermania, Austria dhe shumë shtete të tjera kanë kërkuar që opozita të tërhiqet nga djegia e mandateve.

Thirrjet e ndërkombëtarëve nuk u morën në konsideratë nga opozita, pasi në një total për më shumë se 5 muaj, opozita numëron rreth 10 protesta kombëtare të cilat shënuan një nivel të lartë dhune.

Përleshje, molotov, fishekzjarrë dhe gaz lotsjellës është gjithcka që kujtojmë për një periudhë 5 mujore në Shqipëri.

Me nje levizje të pakalkuluar nga opozita, deputetë nga listat e Bashës dhe Kryemadhit u ulën në Kuvendin e Shqipërisë, shumica prej të cilëve shërbyen për mazhorancën për të kaluar ligje të rëndësishme në Kuvend.

Shumica prej tyre pa asnjë kontribut në politikën shqiptare, u betuan në seancën plenare për respekt të denjë ndaj popullit dhe për bindje ndaj Kushtetutës dhe ligjeve.

Në një situatë tensioni dhe bojkoti, hapin e parë për dialog e hodhi kryeministri Rama i cili nëpërmjet një letre publike i kërkoi liderit demokrat Lulzim Basha, dialog pa kushte, por pa diskutuar datën e zgjedhjeve.

Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha iu përgjigj prerë me një “JO” propozimit të kryeministrit Rama. Kjo marrëdhënie virtuale mes Bashës dhe Ramës numëroi plot 8 letra publike të drejtuar njëri-tjetrit.

30 qershori, dekreti i kthyer që ndezi politikën shqiptare

Në një vendim të papritur në datën 8 qershor, presidenti Ilir Meta anuloi dekretin e firmosur prej tij duke shfuqizuar 30 qershorin 2019, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore për kryebashkiakët e rinj, dhe duke mos përcaktuar një datë të re zgjedhjesh. Ky veprim nga ana e presidentit, do të ishte dhe pikënisja e një konflikti të gjatë dhe ende të papërfunduar mes, Kuvendit, mazhorancës dhe Presidencës.

Për 45 minuta, Ilir Meta sqaroi para gazetarëve arsyen pse vendosi të kthejë dekretin për 30 qershonin, i bindur që kishte respektuar Kushtetutën.

“Në Shqipëri vendi po shkon drejt votimeve një partiake që do të bënte një regres për të ardhmen europiane të vendit. Nëse zgjedhjet do bëhen pa garë do përcillte një mesazh të gabuar se Shqipërisë është orientuar në një qasje të ndryshme nga ajo që ka ndjekur deri më tani. Më 2020 Shqipëria kryeson OSBE dhe duhet t'i paraprijë kryesimit të kësaj organizate me shembullin më të keq. Me vetëdije të plotë se kushtet nuk mundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me bindjen se ky vendim është mënyra e vetme për zgjedhjen e saj, si kreu i shtetit në përputhje me kushtetutën kam vendosur që të dekretoj shfuqizimin e dekretit dhe anulimin e datës 30 qershor”, u shpreh Meta.

Kryeministri Rama, i cili kishte nisur fushatën zgjedhore, iu përgjigj Metës nga Berati, i vendosur qy qytetarët shqiptarë do ti drejtoheshin kutive të votimit, të dielën e 30 qershorit.

Përpjeket për të shkarkuar Presidentin e Republikës

Zhdekretimi i 30 qershorit do të sillte një rast të paprecedentë në historinë e politikës shqiptare. Për herë të parë, pati një përpjekje për të shkarkuar presidentin e Republikës ende pa i mbaruar mandati. Në 17 qershor, 55 deputetë të mazhorancës depozituan në Kuvedn kërkesën për të shkarkuar Ilir Metën.

Kuvendi i Shqipërisë ngriti një Komision të Posacëm Hetimor për shkarkimin e Metës, duke lënë si afat për të vlerësuar shkeljen e Metës deri më 8 tetor. Socialistët ishin të bindur se Ilir Meta ka shkelur të paktën 9 herë kushtetutën.

Nga ana tjetër opozita joparlamentare jo vetëm që nuk regjistroi asnjë kandidat, por ishte e sigurt që  zgjedhjet nuk do të realizoheshin. Këtë siguri, lideri i opozitës së bashkuar e shoqëronte dhe me kërcënime të vazhdueshme për mazhorancën, se nëse do kishte zgjedhje, do kishte përballje në cdo qendër votimi.

E teksa Basha dukej i palëkundur, PS vijonte fushatën e saj.  Qytetarët nuk patën mundësi të dëgjonin asnjë platformë dhe as të bënin krahasime kandidatësh.

“Nuk jemi në kohën e Haxhi Qamilit. Por edhe ky është shfaqur në zyrën e preisdentit me kostum, me kravat dhe bën edhe shqiponjën. Ai është shpirti i rrëmujës dhe është shpirti i kundërshtisë pa lidhje dhe me vetë perëndimin që ka pushutar Ilir Metën. Fallxhorja në vend që të shohë filxhan si të shpëtojë Shqipërinë, të shoh fixhan të shpëtojë Metën, nga shpirti që e ka poseduar komplet”, -u shpreh kryeministri në një nga takimet elektorale, ku në të shumtën prej tyre mbizotëronin fjalët filxhan dhe fallxhore.

Një moment delikat për politikën shqiptare do ishte dhe publikimi i përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, ku zyrtarë të lartë të politikës ishin përfshirë në diskutime për shitblerje votash. Përgjimet e publikuara janë pjesë e dosjes 184 të prokurorisë për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale në Dibër.

Në 16 sekuencat e publikuara nga gazetari gjerman Piter Tiede, rezultojnë kryeministri i vendit Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-deputetet Pjerin Ndreu dhe Artan Gaçi, Arben Keshi, drejtor në ministrinë e brendshme, shefi i komisariatit numër 5 Sali Skura, si dhe drejtori i zyrës arsimore të Dibrës. Për kryeministri Rama, e gjitha kjo ishte një sallatë aspak e këndshme.

PAS ZGJEDHJEVE, NJE DATË E RE ZGJEDHJESH

Ilir Meta do të merrte sërish protagonizmin duke dekretuar një datë të re zgjedhjes, 13 tetorin, 3 ditë para votimeve të 30 qershorit.

Kryeministri Rama nuk e pranoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh, ndërsa opozita e bashkuar ishte ende e paqartë. Nga njëra anë kreu i PD-së i cili ende nuk kishte një qendrim të prerë, e në krahun tjetër kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila  tashmë kishte nisur fushatën.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita joparlamentare nuk mbeti vetëm me deklarata. Ndërkohë që vazhdonte fushata zgjedhore opozita vendosi në zbatim skenarin për të sulmuar KZAZ-të, kryesisht në ato bashki që drejtoheshin nga zyrtarë të opozitës. 

Sulmi nisi në qarkun e Shkodrës, bastion i PD-së, i vënë në krye të sulmeve të dhunshme të procesit zgjedhor të 30 qershorit. Shumë fletë votimi u dëgjon dhe në Vaun e Dejës.

Edhe ky qëndrim i opozitës u kundërshtua ashpër nga faktori ndërkombëtar ku nuk munguna as paralajmërimet tepër serioze ndaj dyshes opozitare Basha Kryemadhi.

 “Çdo akt dhune nga sot deri në 1 Korrik i bërë apo nxitur nga ju do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!,”  u shpreh  Shefi i Misionit në Detyrë i Ambasadës Amerikane, Daniel Koski

E ndërsa i afroheshin 30 qershorit, qytetarët ishin të pasigurt për gjithcka do të ndodhte.

Ndryshe nga opozita parlamentare, faktori ndërkombëtar mbështeste zgjedhjet e 30 qershorit. Madje, Ambasada Amerikane nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ftonte qytetarët ti drejtoheshin kutive të votimit. Për këtë arsye 30 qershori ishte një nga ditët më të qeta zgjedhore që kishte kaluar Shqipëria.

Pas votimeve, kryeministri Rama e cilësoi 30 qershorin një fitore të vështirë.

“Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarjeje të rëndë politike, të frymëzuar nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara. Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës që u kthye muaj pas muaji në ditën kulmore të një përplasjeje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes hrbutërisë dhe qytetarisë, mes pandëshkueshmërisë dhe Kushtetutës”, u shpreh i emocionuar kryeministri Rama.

E ndërsa fitorja e socialistëve në 61 bashkitë ishte krejtësisht e pritshme dhe më e lehtë për ta pasi garonin pa kundërshtarin duket se problemet me socialistët do të vinin më pas.

Fillimisht ishte Valdrin Pjetri, i dalë fitues nga zgjedhjet për të drejtuar Shkodrën, i cili do të akuzohej nga PD se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Kryeministri Rama do të përballej me një disfatë pikërisht në Shkodër, qytetin që ai vetë e quajti një sfidë personale.

2 ditë më pas, Vadrin Pjetri jep dorëheqjen për të lënë në detyrë Voltana Ademin, dhe një ngërc të madh politik në Shkodër.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Por PD nuk e la me kaq. Agim Kajmaku, tashmë i shkarkuar nga KQZ, ishte shenjestra e radhës për Partinë Demokratike.

Në akuzat për të shkuar kriminale, u përfshi dhe kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani, për të cilin PD-ja pretendonte se është me precedent të lartë kriminalë.

Ende dy  bashkitë në vend, Shkodra dhe Vora ndodhen në situatë paradoksale, Shkodra me kryetar me mandat të përfunduar e Vora pa kryetar.

Shatori riktheu edhe njëherë vëmendjen te PS. Saimir Tahiri doli nga politika. Kampioni i dikurshëm i kryeministrit u la vetëm në dyert e Gjykatës, e cila e dënoi me 3.4 vite shërbim prove.  Edhe pse Apeli nuk e ka thënë ende fjalën e fundit, ish-ministri i brendshëm nuk u pa më në dyert e partisë ku hyri student e doli ministër.

Sesioini i ri parlamentar solli edhe njëherë në vëmendje përplasjet mes mazhorancës dhe Presidencës.  Komisioni hetimor thirri në një seancë dëgjimore presidentin.  Ky i fundit coi në Kuvend informacionin sekret mbi të cilin argumentonte zhdekretimin e 30 qershorit, paralajmërim për djegien e Kuvendit të Shqipërisë.

Sfidat e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian

Por cështjet e nxehta të politikës do të liheshin mënjanë kur të vendosej në diskutim edhe njëherë hapja e negociatave me Bashkimin Europian. Ky proces u shoqërua me vizita të shumta të kryeministrit Rama në Gjermani. Ndonëse Bundestagu Gjerman votoi pro hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut më Bashkimin Europian, ditën e votimit gjithcka u përmbys, dhe jo pa paralajmërim. Disa shtete si Franca, Holanda, Danimarka kishin deklaruar se nuk e kishin parë Shqipërinë gati për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane. E kështu liderët e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Aspak surprizë: Presidenti francez Emannuel Macron vendos veton përkundrejt shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i bindur se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së.

Por teksa Këshilli Europian nuk doli dot me një vendim, çështja e negociatave nuk mbyllet këtu. Zgjerimi do të vazhdojë të diskutohet që para samitit të Zagrebit në maj 2020, i cili do të jetë destinacioni i radhës ku do të diskutohet nga ana e Këshillit Europian për çështjen e integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, ku pritet të unifikohet qëndrimi i krerëve të unionit për çështjen e zgjerimit.

Negociatat, përplasjet institucionale, shkarkime dhe protestat gjithcka do të mbetej pas kur mëngjesi i 26 nëntorit Shqipëria do të goditej nga një tërmet i fuqishëm.

51 viktima, qindra të plagosur ishte gjithcka që la pas 26 nëntori i tmerrshëm, duke gjetur të gjithë të papërgatitur.

E gjithë tragjedia që kishte kapluar vendin tonë do të ulte dhe tonet e politikës shqiptare. Por armëpushimi nga ana e opozitës do të zgjaste shumë pak, pasi kryedemokrati Lulzim Basha vijoi akuzat kundrejt qeverisë. Sipas tërmeti i 26 nëntorit ishte provë që tashmë shteti jonë ka dështuar.

Tërmeti riktheu në qeveri Arben Ahmetajn, ish-ministrin e Financave i larguar nga kryeministri Rama një vit më parë. Ahmetaj u emërua ministër i shtetit për rindërtim.

Ndërkohë qeveria shqiptare po e mbyll 2019-n me sfidën më të madhe që mund të jetë përballur ndonjëherë. Rimëkëmbja e zonave të dëmtuara nga tërmeti, dhe rikthimi në normalitet për qindra familje që jetojnë në cadra.

Ky vit po mbyllet, por politika shqiptare i ka ende letrat e hapura. 2020 pritet të jetë akoma më e nxehtë pë ata që kanë në dorë fatet e këtij vendi shpeshherë të pafat.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja