Pas ikjes së opozitës zyrtare nga Parlamenti Shqipëria ndodhet sot në një situatë të paprecedentë.
Ndodhet në një krizë të provokuar nga një opozitë e cila pas aktit të dorëzimit të mandateve ka hedhur në det edhe çelësat e mundësive që do ta bënin faktor të një zgjidhjeje të mundshme.
Nuk ka asnjë dakortësi të hipotetike që do krijonte mundësinë e rikthimit të opozitës në Parlament përveç zgjedhjeve të parakohshme, të cilat përjashtohen si opsion nga maxhoranca, por edhe nga çdo artikulim ndërkombëtar deri tani. Dhe sot nuk ka asnjë analist e asnjë fallxhor që të jetë në gjendje të thotë se si do dilet nga kjo situatë.
Si erdhëm deri këtu ?
I pari ndër opozitarët që ka deklaruar mundësinë e djegjes së mandateve është Sali Berisha. Por deklarata e Berishës ishte më shumë emocionale, pasi nuk ishte e shoqëruar nga ndonjë strategji e qënësishme opozitare që do të startonte me ikjen nga Parlamenti.
Dukshëm dhe qartë opozita sot po ndjek teoritë e një grupi analistësh me në krye Andi Bushatin e Armand Shullakun.
Prej kohësh tashmë këta dy analistë bëjnë thirrje për djegie mandatesh me arsyetimin se opozita po shërben vetëm si fasadë e një demokracie jofunksionale dhe me ikjen nga Parlamenti opozita do e linte Edi Ramën përballë shqiptarëve pa fasadën false të një demokracie normale.
Ideja e tyre është radikale, e paplotë dhe kontradiktore. Së pari duhet sqaruar se çdo të thotë të lësh Edi Ramën përballë shqiptarëve? Që Edi Rama të përfundojë mandatin pa një opozitë në Parlament duke pritur që populli të revoltohet nga kjo farsë? Që qeverisja të vazhdojë edhe me një opozitë pa shumë moral por gjithsesi të ligjshme si ajo që mund të formohet nga listat? Apo që Edi Rama të jetë përballë protestave opozitare deri sa maxhoranca të rrëzohet si pasojë e tyre, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë në këto tre dekada pluralizëm?
Teoria vazhdon duke parashikuar se fillimisht ndërkombëtarët (siç kanë bërë gjithmonë) do godasin fillimisht aty ky filli është më i dobët. Pra opozitën. Por nëse kjo qëndron dhe e përballon presionin , atëherë trysnia do ushtrohet në krahun tjetër dhe çështja opozitare do të marrë përkrahje ndërkombëtare.
Por edhe këtu arsyetimi nuk vazhdon. Edhe sikur të marrim të mirëqenë që do ketë ndërkombëtarë që do përkrahin çështjen opozitare, nuk thuhet se cila formë do i jepte zgjidhje një krize që ka për bazë hedhjen në erë të sistemit. Këta ndërkombëtarë do i imponojnë një maxhorance të cilën e kanë quajtur legjitime të bëjë zgjedhje të reja për të rifutur në lojë një opozitë e cila ka bërë një veprim kamikaz të pakonceptueshëm dhe të papranueshëm nga një fuqi demokratike? Kjo do të kërkonte ndërkombëtarë që do të ishin në gjendje të vinin shkelmin mbi çdo parim mbi të cilin ngrihen demokracitë prej nga ata vijnë.
Opsioni dhunë
Në protestat e opozitës është parë një tendencë dhune e cila ka mbetur e izoluar në disa dhjetra njerëz të cilët janë ideuar si detonatori i një shpërthimi që do të provokonte shpërthimin e masës së madhe të protestuesve. Por fatmirësisht masa nuk i është përgjigjur as provokimit të dhunuesve e as provokimit që vinte nga thirrjet e Bashës drejtuar policisë duke shpallur se nuk do e njohin më policinë e krimit dhe duke e kërcënuar të mos prekë qytetarët me shpresë se kjo thirrje do bënte turmën të besonte se protestuesit po dhunoheshin nga policia dhe do reagonte.
Mirëpo Andi Bushati ka një teori tjetër. Ai flet për një domosdoshmëri dhune. Si shembuj sjell dy. Jelekverdhët në Francë dhe vitin 97. Sipas tij në një demokraci tradicionale si Franca vetëm dhuna bëri që zëri i të papërfillurve të dëgjohet dhe për këtë arësye dhuna është e ligjshme. Në shkrimin e tij ai iu përgjigjet edhe atyre që do i kujtonin se jelekverdhët janë një lëvizje e popullit rural dhe nuk dirigjohen nga ndonjë parti politike. Ngjashmëria sipas Bushatit qëndron në faktin se edhe këtu tek ne opozita është e papërfillur dhe se zëri i saj nuk dëgjohet.
Frojdi thotë se krahasimet shpesh çalojnë. Mirëpo ky krahasim i Bushatit është fare invalid. Të krahasosh protestat e një pjese të popullsisë fare të papolitizuar e që ka kërkesa qartësisht ekonomike me protestat gjysmës së një kaste politike që akuzon gjysmën tjetër të kastës për krime elektorale (që edhe sipas Bushatit) i ka bërë edhe vetë në të kaluarën, do guxim të madh.
Por historia nuk mbaron këtu. Levizja e jelekverdhëve në Francë ka zhvillime interesante. Pikërisht ajo levizje që fillimisht u pa me simpati ng francezët sot rrefuzohet nga shumica dërmuese e francezëve. Sipas një sondazhi të bërë dhe publikuar nga Odoxa në muajin shkurt 55% e popullit francez dëshiron që lëvizja e jelekverdhëve të ndalojë. Shkak për këtë rënie të popullaritetit për jelekverdhët është pikërisht dhuna. Një grua franceze e intervistuar tha se ajo kishte votuar për Emanuel Makron dhe jo për jelekverdhët, duke na kujtuar në fakt se si duhet të funksionojë demokracia. Falë dhunës së jelekverdhëve edhe sondazhet e presidentit Makron janë në ngritje.
Argumeni i dytë dhe më flagranti i Bushatit është se dhuna e ushtruar në 97 na prodhoi një Shqipëri më të mirë. Kësaj deklarate mendoj se nuk ia vlen t’i bëhet koment..
Drejtësia, thembra e Akilit
Askush nuk kundërshton faktin se problemet që ky vend ka mund të zgjidhen vetëm nga një sistem drejtësie i pavarur dhe i pa korruptuar.
Por problemi sipas teoricienëve të opozitës është se reforma në drejtësi po i shërben vetëm kapjes së sistemit nga Edi Rama.
Kjo në fakt është edhe maskarada më e madhe e kësaj historie.
Për ta besuar këtë së pari duhet të pranojmë se amerikanët u investuan këtu me të gjithë forcën e tyre për implementimin e një reforme në sistemin e kalbur të drejtësise që ky sistem të bjerë në dorën e Edi Ramës. Ose së paku duhet të pranojmë se Amerika dhe Bashkimi Europian kishin vërtet qëllim të reformonin sistemin, porse përpjekjet e tyre u sabotuan nga dyshja e ambasadorëve Lu e Vllahutin. Këta të dy ishin të korruptuar nga maxhoranca dhe e devijuan reformën në favor të saj.
Në secilin nga dy rastet teoricienët nuk duhet të bëjnë thirrje për protesta për rrëzimin e Edi Ramës, por duhet të bëjnë thirrje për protesta tek ambasada amerikane për shporrjen e imperialistëve nga Shqipëria. Kështu biem dakort edhe me pjestarin tjetër të teoricienëve të opozitës, Fatos Lubonjën, i cili thotë në një nga shkrimet e tij të titulluar ‘’Shpresa e humbur tek Amerika’’ se kjo arrogante nuk ka asnjë të drejtë të bëjë në Shqipëri një lloj para-prokurorie duke i mohuar vizën amerikane ndër të tjerë edhe Sali Berishës. Pra shkurt i duhet vënë kufiri te thana Amerikës dhe Shqipëria duhet bërë nga shqiptarët, kupto Luli dhe Monika.
Përpjekja më titaneske për manipulimin e opinionit publik bëhet pikërisht për të deligjitimuar reformën në drejtësi. Ka shumë propagandë, por shembujt që sjellin deri tani janë vetëm tre.
I pari është zgjedhja nën tym e Arta Markut. Pra Rama e filloi kapjen e reformës me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme të përgjithshme. Thanë një kryeprokurore e përkohshme, por po na del se Arta Marku u bë kryeprokurore e përhershme. Është i vërtetë fakti se Arta Marku po rri në atë post shumë më shumë se ç’ishte parashikuar. Mund të jetë i vërtetë edhe fakti se kjo mund t’u konvenojë socialistëve në pushtet. Por këtë nuk duhet të përpiqesh t’ua shesësh shqiptarëve si një kapje të reformës dhe kjo vetëm për faktin e thjeshtë se Arta Marku nuk ka asnjë lidhje me reformën në drejtësi dhe asnjë rol në të. Kryeprokurorja aktuale nuk është pjesë e strukturave të reformës. Pra mund ta akuzosh atë se po u shërben socialistëve, por ta përziesh këtë me reformën në drejtësi është manipulim i pastër. Kryeprokurori që do zgjidhet në funksion të reformës në drejtësi do të propozohet nga strukturat e reja të drejtësisë të cilat janë në formim e sipër.
I dyti është kalimi i vetingut nga prokurorja e komanduar e krimeve të rënda, Donika Prela. Këtu këta thërrasin skandal, pasi Donika Prela ka blerë dy apartamente me vlerë nën atë të tregut dhe se i shoqi nuk ka paguar taksa për pagën e tij si inxhinier.
Donik Prela justifikohet duke thënë se uljen e çmimit (e cila nuk është një ulje jashtë çdo logjike) e ka marrë pasi i shoqi punonte në atë firmë (këtë e konfirmon edhe firma), ndërsa mospagimin e taksave e justifikon me funksionimit të tregut shqiptar.
Skandal thërrasin analistët. Një gjyqtareje tjetër i kërkohen taksat e djalit të tezes ndërkohë që kësaj i justifikohet mospagimi i taksave të të shoqit.
Manipulim i pastër. Gjyqtares Alma Brati iu kërkuan taksat e djalit të tezes në Itali sepse kjo kishte deklaruar para të marra prej tij. Përndryshe gjyqtaren as që do e kishin pyetur nëse ka apo jo një djalë tezeje.
Për mospagimin e taksave të të shoqit të gjyqtares dua të sjell shembullin tim. Jam larguar nga Shqipëria në moshën 35 vjeçare. Mes punëve të tjera kam punuar edhe si gazetar e spiker në dy televizione. Por unë në shtetin shqiptar figuroj i siguruar vetëm dy muaj para se të largohesha. Kjo më bën kriminel e të korruptuar?
Kjo është Shqipëria. Në batërditë e bëra në drejtësinë shqiptare të shkarkosh një prokurore sepse i shoqi nuk ka paguar taksat është më shumë se luks. Kjo edhe për faktin se në sistemin shqiptar taksat e të punësuarit i paguan firma dhe jo individi. Individi në këtë rast është viktimë.
Askush nuk mund të pretendojë se në veting kanë kaluar edhe prokurorë e gjyqtarë mëkatarë. Aty shikohet vetëm se ç’provë ata kanë lënë për korrupsionin e tyre. Por natyrisht që ka edhe nga ata që kanë ditur të fshehin dhe e kalojnë testin. Cila është zgjidhja për ta? Mos duhet t’i vemë në torturë? Por të përpiqesh të deligjitimosh një proces gjigand vetëm me këto që thamë më sipër është as më pak e as më shumë se manipulim.
Shkëlqesia e tij Presidenti i Republikës
Në gjërat që i mungojnë teorisë opozitare është sigurisht edhe pozicioni i Presidentit. Shqipëria është republikë parlamentare. Pra nëse opozita konsideron të paligjshëm Parlamentin, atëherë i bie që Monika Kryemadhi ndan shtratin me një president të paligjshëm. Në këtë rast zonja Kryemadhi mund të thotë (siç e ka zakon) se ajo ndan shtratin me Ilir Metën dhe jo me Presidentin. Ateherë kjo nuk duhet ta pengojë që bashkë me protestat përpara Parlamentit të protestojë edhe përpara Presidencës, pasi nuk mund të jetë i ligjshëm një president i zgjedhur me votat e një Parlamenti të paligjshëm.
Epilog
Teoricienët parashikojnë se si në historinë e çadrë së lirisë, në fillim me problemin do merren ambasadorë e njerëz pa shumë peshë, por nëse opozita reziston heroikisht atëherë si me çadrën problemi do shkojë në zyrën e Merkel dhe të përfaqësuesve të lartë amerikanë. E vërtetë. Me çadrën në fillim u morën ambasadorët e vetëm më vonë këtu erdhi vetë Brian Lee.
Mirëpo harrohet të thuhet se angazhimi i zyrtarit të lartë amerikan nuk bëri gjë tjetër përveçse konfirmoi qëndrimin e deriatëhershëm të zyrtarëve më të vegjël. Ai thjesht e nxorri për veshi nga çadra Lulëzim Bashën. Ndaj është më shumë se naive të mendohet se angazhimi i zyrtarëve më të lartë do të sjellë ndryshim të qëndrimeve. Teoricienët e kanë futur opozitën në një rrugë pa krye.
Përfituesi më i madh i kësaj historie është padyshim Edi Rama. Kjo i jep konfortin që në vend se të përgjigjet për dhjetra afera korruptive,, të tregojë gishtin nga opozita që sheh ëndrra me revolucione. E këtu nuk folëm për konsideratat që këta teoricienë kanë për liderët e opozitës dhe se si mund të shpresohet që njerëz që po sipas këtyre teoricienëve janë të korruptuar deri në palcë do na shpëtojnë nga korrupsioni i maxhorancës.
Përderisa drejtësia e re të vihet në funksionim asnjë zgjidhje nuk mund të vijë nga kasta e korruptuar politike shqiptare majtas e djathtas, lart e poshte. Dhe unë do shpresoj se sistemi i ri i drejtësisë do flakë nga skena uzurpuesit e korruptuar të këtyre tre dekadave e do lerë hapesirë për njerëz të aftë e të ndershëm që e duan këtë vend. Dhe nëse kjo reformë në drejtësi dështon, që në momentin që do të kem provën për këtë, do të heq dorë nga marrja e lajmeve nga Shqipëria me bindjen e trishtë se ai vend nuk bëhet. Reforma në drejtësi është treni i fundit.
TURP MË TË MADH PËR SHQIPTARËT NUK KA KU TË SHKOI MË. TË JET MONA BUÇE FSHATARE KRYETARE PARTIE ËSHTË DISKRETITIM I PA FUND. TË JET AKOMA NË POLITIK KAMARJER LUL HAJDUT SHAL NGJITMI KRYETAR PARTIE KATASTROF . MË POSHT SHQIPËRIA SKA KU TË SHKOI. I PAFSHI HAJRIN KËTYRE LLOI MONSTRASH..
Përgjigju