Tirana nderon Ali Ahmetin me titullin 'Qytetar Nderi', Veliaj: Ali Ahmeti, frymëzues dhe misionar! Do mbetet në historinë e gjatë të kombit dhe qytetit tonë

 

Bashkia e Tiranës nderoi sot në një ceremoni të posaçme kreun e Partisë së BDI në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të cilit i dha titullin "Qytetar Nderi".

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri.

“Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana, siç e përmendim ne në zhargonin tonë, i ka me pikatore qytetarët e nderit. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit shqiptar, por posaçërisht të kryeqytetit shqiptar.

“Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion shkurt në rrugët e saj, por pastaj dalin siç hyjnë, pa lënë asnjë shenjë, pa ngulitur asnjë gjurmë, pa lënë asnjë vepër në kujtesën e njerëzve. Disa i hyjnë politikës duke e përfytyruar si një aksesor, me të cilën thjesht do të shtojnë edhe një medalje në xhaketën e tyre apo një rresht në CV e tyre. Edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga një vokacion i brendshëm dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë që Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe sot posaçërisht të qytetit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe i një aktivisti të vërtetë. Ky është modeli i Ali Ahmetit, politikanit për të cilin liria është një substancë e shpirtit dhe qenies së vet, sipas parimit të Hegelit, të atyre që e kuptojnë domethënien e lirisë. E dëshmon rruga e tij, jo thjesht e gjatë dhe intensive, por sidomos gjurmëlënëse”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Ali Ahmetin nuk e ka ndalur askush, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet.

“Ky është miku i jashtëzakonshëm që është me ne sot, herë petrit, që fluturon lartësive të qiejve në kërkim të lirisë dhe herë burim jetëdhënës i shqiptarisë dhe atyre që e duan kombin tonë. Siç duket, edhe pseudonimet e tij Petrit dhe Burim në kohën e Luftës, nuk kanë qenë edhe aq të rastësishme. Në qëllimet që i ka vënë vetes Ali Ahmeti asgjë s’e ka ndalur asnjëherë, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet mes nesh, edhe kur armikun s’e kemi jashtë. Fati që e ka udhëhequr rrugëtimin e tij, duke mos e lënë kurrë në baltë, ka qenë gjithnjë madhështia rëndësia dhe domosdoshmëria e qëllimit që duhej arritur. Sepse qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët të meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriotë dhe atdhetarë”, tha Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ky titull nuk nderon vetëm mikun e madh të shqiptarëve, Ali Ahmeti, por nderon po aq edhe Tiranën tonë.

“Në këtë nderim të ndërsjelltë nuk është vetëm Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin qytetar nderi, por është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni ne, duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë. Nuk është vetëm Tirana që e nderon burrin që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vet, por njëherësh Tirana vetë nderohet, duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme si miku ynë, vëllai ynë, Ali Ahmeti”, përfundoi Veliaj.


Lajmi kryesor:

Ali Ahmeti 'Qytetar Nderi' i Tiranës: Na keni mbështetur! Edhe Rama në ceremoninë e bashkisë: Vetëm ai më kthente këtu! Veliaj: Politikani model


SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

Naomi Campbell vesh të njëjtin fustan pas 3 dekadash dhe duket mahnitëse

Naomi Campbell vesh të njëjtin fustan pas 3 dekadash dhe duket mahnitëse