Viktor Zhusti letër për Robert Ndrenikën: Urime Vitin e Ri 2021, kemi akoma motive për të qëndruar në këtë botë

Ndonëse, këtë Vit të Ri urimet kanë qenë të shumta mes të afërmve, miqve edhe kolegëve, por një letër emocionuese ka shkruar edhe artisti i njohur Viktor Zhusti për Robert Ndrenikën. Dy artistët që gjatë udhëtimit artistik jo vetëm janë ngjitur në skenë përkrahë njëri-tjetrit, por edhe kanë mbështetur njëri-tjetrin në këtë udhëtim të bukur. Zhusti teksa përshkruan këto momente, ndalet edhe tek arsyet, se përse Vitin e Ri 2021 duhet që ta mirëpresin me optimizëm dhe jo me trishtim.

Letra e plotë!

(Sivëllait dhe kolegut fisnik ROBERT NDRENIKA )

    Robert i dashur !

Unë, përgjithësisht shkruaj urime dhe për Krishtlindje dhe për Bajram dhe për ditëlindje dhe për ndonjë festë tjetër. Shkruaj pse, urimet në të tilla raste, si një urë e brishtë më lidhin me jetën, pasi, më pëlqen a jo, pensioni dhe mosha, vendosin një kufi të dhimbshëm me njerëzit, botën, artin...

     Do desha, i dashur Bert, më këtë rast, sëbashku me ty, emër për emër, të uroj dhe dhjetra miq, kolegë, aktorë e regjisorë, brenda e jashtë vendit, por siç fort mire e di dhe ti, kjo “dreq raca jonë”, ka kujtesë njerëzore kur është rasti për të justifikuar harresat e veta (qoftë dhe të tekstit gjatë shfaqjes), por nëse “guxon” të harrosh pa përmendur qoftë dhe njeri prej tyre, (siç dhe më ka ndodhur), ke lënduar keqazi sedrën e tij dhe, ky “mëkat i ububushëm”, jo vetëm që nuk të falet, por as dhe të fshihet më kurrë nga CiVi-ja, (siç dhe e kam provuar), pasi në të tilla raste, kemi kujtesë elefantësh... Prandaj, duke mos dashur të rregulloj një gabim bëj një më të madh, urimi për të gjithë, ndonëse tepër i përzemërt, është i përgjithshëm.

     I miri Bertuç! I nisëm studimet së bashku, në të njëjtën klasë, në Vitin e hershëm 1960 dhe 60 vjet pas tyre, nuk u lodhëm as nga humori dhe as nga hallet e njeri-tjetrit. Ka rastisur që dhe ta kemi mërzitur njeri-tjetrin, por kurrë nuk iu mërzitëm njeri-tjetrit.

Diferenca jonë në moshë është 10 muaj (e ke ndjerë, besoj, respektin ndaj teje si më i madh...) e megjithë këtë diferencë të vogël, çdo herë, në skenë t’i luaje “babanë e dhimbshëm”, unë “djalin plëngprishës”, ti të mirin, unë të keqin, kur luajtëm një akt nga Shekspiri, ti zgjodhe Otellon, mua më le Jagon, unë (nga respekti siç të thashë), të kam thirrur më shkurtime miqësore: Bert, Bertuç, (së fundi me shkurtimin amerikan) Bob, kurse ti (si me karakter më të qëndrueshëm), vazhdimisht me nofkën “ e grek-o”, e prapë nuk u keqkuptuam si njerëz, nuk u ndamë si shokë, nuk nguruam të bashkëpunojmë si kolegë.

     Po bëhet gati një vit që nuk jemi takuar, ti në atë-dhe, unë në mëmë-dhe. Na distancoi (s’më vjen për mbarë të them “n’a ndau”) Covid 19-ta e megjithatë qetësohem sa herë dëgjoj emrin dhe zërin tënd dhe në atë zë, shquaj nuance humori e gjallërie, pasi edhe pse “bir plangprishës”, më shqetëson shëndeti jot, “baba”...

S’ka pse nxitohemi dhe as të mërzitemi se u lodh duke n’a pritur Shën Pjetri, kemi akoma motive për të qëndruar në këtë botë, në këmbë, të gjallë, energjikë, hajde, po shtoj dhe: optimistë... Pastaj ti vetë e ke pohuar (sa kam qeshur kur tek “Thëniet filozofike”, krahas atyre të Aristotelit, Konfucit, Comeniusit etj, lexova të shtuar dhe thënien tënde) “S’ka pse nxitohesh, nëse është fat, herët apo von, do të ndodhë” !

     Dhe kështu, Bob i dashur, të uroj që motmotin e ri 2021 ta kalojmë gëzueshëm, mes dashurisë (reale a virtuale) të të afërmve, miqve, kolegëve edhe pse në horizontin tonë dhe të këtij vendi sherrxhinjsh ku u rritëm, në këtë fillim dimri, shfaqjen herë pas here, re të zeza..

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndrenika: 02/01/2021 12:51

    Viktor e Robert, jeni dy gjigandë në profesionin tuaj. Keni lënë vepra pafund, njëra më e bukur nga tjetra. Mos u lodhshi kurrë së vazhduari të na kënaqni me veprat tuaja.duartrokitje pafund për Ju

    Përgjigju
  • Tirona: 02/01/2021 09:57

    Te gjith ajtoret jan qylaxhinj..vdesin per raki edhe qyl..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja