1/8 e Euro 2020 nisin me Uells-Danimarkë, entuziazëm tek skuadrat dhe shans i artë për të qenë surpriza

26 Qershor 2021, 12:24

Uells-Danimarkë është ndeshja që do të nis fazën e 1/8 të Euro 2020. Sfida mes dy ekipeve që ëndërrojnë për një objektiv madhor do të luhet në Amsterdam duke nisur nga ora 18:00.Të dyja skuadrat kanë një shans të artë për të avancuar më tej dhe pse jo për të qënë surpriza e kompeticionit.Britanikët në 2016-tën shkuan deri në gjysmëfinale dhe trajneri Rob Page thotë se e ka një strategji për t’a mundur Danimarkën dhe ekipi i tij mund ta fitojë këtë sfidë. Bale dhe Ramsey janë dy futbollistët që ashtu si në ndeshjet e kaluara pritet të marrin për dore ekipin. Uellsi në tetë përballjet e kaluara ndaj danezëve ka shënuar vetëm 5 gola.

Danimarka nuk i ka fituar dot dy ndeshje në fazën finale të një Europiani që kur u shpallën fitues në 1992. Por këtë herë duket se gjithçka është ndryshe. Entuziazëmi në skuadër është shumë i madh dhe futbollistët janë të bindur që mund të shkojnë larg. Rasti Eriksen fillimisht e shokoi skuadrën por më pas u dha një forcë të madhe. Ndaj Uellsit do të luajnë të njëjtët që mposhtën Rusinë dhe siguruan kualifikimin. Trajneri Kasper Hjulmand thotë se skuadra e tij është përgatitur dhe ndihet plotësisht gati për çdo skenar.Në Uells-Danimarkë drejtësi do të vendosë gjermani Daniel Siebert./Përgatiti Andi Kapxhiu