Anglia kundër tabusë, dy finalistet e fundit humbën në shtëpi, por 'Wembley' është si fortesë për ta, 15 fitore në 17 ndeshje! Italia nuk humbet kurrë në turne madhorë ndaj 3 'luanëve'

9 Korrik 2021, 12:41

Itali-Angli është finalja e shumëpriur e Euro 2020 që do të luhet të dielën në Londër ku do të kurorëzohet ekipi më i mirë në Europë.Në fushë do zbresin lojtarët ndërsa në pankina do jetë një lojë shahu mes dy trajnerëve Roberto Mancini e Gareth Southgate por edhe precedentët e përballjeve të kaluara dhe kuriozitetet mund të ndikojnë në rezultatin e finales së “Wembleyt”. Italia dhe Anglia përballen për herë të parë në finalen të një turneu madhor.

Italia nuk ka humbur kurrë ndaj Anglisë në fazat finale të një Europiani apo Botërori dhe është kampione e Europës vetëm një herë në vitin 1968-të. Por në total bilanci i përballjeve Itali-Angli është gati i balancuar. Këto dy skuadra janë ndeshur 27 herë mes tyre ku të kaltërit kanë fituar 10 sfida ,8 i kanë fituar anglezët dhe 9 janë mbyllur në barazim.Nga ana tjetër Anglia e ka për herë të parë në finalen e një Europiani dhe kërkon dëshpërimisht një trofe madhor pas Botërorit të vitit 1966-të fituar plot 55 vite më parë. “Tre luanët” e kanë kthyer “Wembley” në një fortesë pasi në 17 ndeshjet e fundit në këtë stadium 15 i kanë fituar. Por Anglia duhet të thyejë edhe një tabu.