Avokati Beqiri për Report Tv: Meta u soll si kriminel ordiner, na bëri armik me SHBA! S'ka Gjykatë Kushtetuese që e shpëton!

6 Qershor 2021, 12:50

Ndërsa na ndajnë vetëm 3 ditë nga seanca ku Parlamenti do të votojë për shkarkimin e Ilir Metës nga roli i Kreut të Shtetit, për avokatin Idajet Beqiri kjo gjë do të ndodh dhe se nuk ka Gjykatë Kushtetuese që mund ta shpëtojë atë nga shkarkimi, pasi sjellja e Ilir Metës në krye të shtetit ishte e ngjashme me atë të një krimineli ordiner. Në një intervistë për Report Tv, Beqiri tha se Meta doli totalisht nga roli i tij i Presidentit dhe u soll si një kriminel rrugësh që nxiste dhunë dhe vetëgjyqësi me preje duarsh nëse prekej vota e lirë. Për Beqirin këto përbëjnë vepra penale dhe beson se do të ndiqen nga SPAK dhe nëse provohen, Ilir Meta rrezikon minimumi 10 vite burg.

"Presidenti nuk ka qenë në rolin e kryetarit të shtetit që nga 2017 dhe në mënyrë të posaçme gjatë 2020-2021 ai doli komplet nga shinat e kryetrarit të shtetit dhe të qeniet faktor i unitetit të popullit, nuk e vuri dot veten mbi palët por u pozicionua politikisht në opozitë dhe doli në luftë të hapur kundër qeverisë. Presidenti ka bërë thirrje për dhunë, ka arritur sa të bëhet në kuptimin e vërtetë të fjalëve të bëhet një kriminel ordiner ku kërkon prerje të dorës. Nuk është kjo gjuha e kryetarit të shtetit, por gjuha e kriminelit të rrugës. Ai ka bërë thirrje për dhunë dhe në një rast të tillë është një vepër penale që e ndjek SPAK dhe jam i bindur që nëse provohen Meta dënohet me minimumi 10 vite burg", tha Beqiri.

Avokati Beqiri tha se Meta për shkak të konflikteve personale arriti t'i bëjë shqiptarët armiq me aleatin më të madh që i ka mbrojtur gjithmonë ndër vite.  

"Të arrish të më bësh armik shqiptarët me aleatin më të madh të kombin shqiptar me SHBA qe na dhanë pavarësinë e Kosovës, na futën në NATO, na mbajnë në gjirin e tyre, është e paprecedentë. Të futesh në një luftë personale kundër interesave të shqiptarëve dhe vendit tënd, është normale që një parlament nuk mund ta mbajë atë më president dhe nuk ka gjykatë Kushtetuese që të shmang shkarkimin e tij", tha Beqiri.

Seanca parlamentare ku do votohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta do të mbahet më 9 qershor ditën e mërkurë, në orën 10:00. Vendimi u mor nga Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen ku u diskutua për votimin e raportit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, që u miratua më 28 maj. Report Tv ka siguruar raportin prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar, në të cilin propozohet jo vetëm shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit, por kërkohet angazhimi i organeve hetimore për të nisur hetimet kryesisht ndaj Presidentit për nxirrje të dhunës dhe urrejtjes para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.