Babai e akuzoi për zhdukjen e të vëllait/I biri:Edhe unë jam i humbur (05 korrik 2023)

5 Korrik 2023, 21:21

Zhdukja e papritur e Almir Kalemajt nga banesa në fshatin Buzëmadh i Cakranit në Fier ka ngritur pikëpyetje të mëdha për familjarët. Kampioni i pëshëngritjes në ekipin e Panathinajkos në Greqi, humbi gjurmët më 14 maj të vitit 2009, një muaj pasi ishte kthyer në Shqipëri. Nga studion e emisionit ’Pa Gjurmë’ familjarët kanë bërë apel për ndihmë, ndërsa pas publikimit të rastit ata kanë marrë kërcënime nga persona të panjohur. Një fakt të tillë e dëshmon në një lidhje me skype nga Greqia motra e të humburit Ardiana Kalemaj. Përpos shantazheve që ka marrë, ajo nuk ka hequr dorë së kërkuari vëllanë. E motra tregon për të gjitha kërkimet që ka bërë, ndërsa ka zbuluar nxjerrjen e një pasaporte me nënshkrimin Vasil Kalemaj, emër me të cilin njihej në tokën helene Almiri. Rasti i zhdukjes së Almir Kalemaj është bërë publik edhe në emisionin analog në Greqi ’Fosto Tunel’. Shkatërrimi i një marrëdhënie me vajzën që ai dashuronte, por dhe ardhja në jetë e një fëmije pas ndarjes, që Almiri ka besuar se është djali i tij, rëndoi edhe më shumë gjendjen psikologjike të të riut.