Bardhosh Gjonzeneli, dy dënime në Spaç dhe tortura në arkivol

7 Dhjetor 2021, 07:15

Bego Gjonzeneli, ishte ndër profesorët më të ndritur të Tregtares së Vlorës. I diplomuar në Romë për Financë, ai u emërua nga mbreti Zog dhe ministri Mirash Ivanaj më 1934 si profesor i Gjimnazit të Gjirokastrës, e më tej nga 1936 profesor i Tregtares së Vlorës, deri ditën që komunistët e arrestuan. Kalvari i tij i vuajtjeve në të gjithë kampet e vdekjes, në kenetat e Maliqit, Tërbufit, etj, do të mbyllej me pushkatimin e tij me 1 prill 1950. Atë kohë, djali i tij i madh Bardhosh Gjonzeneli do të ishte ende pa i mbushur 10 vjeç. Ai do të përjetonte prej atij momenti tragjedinë e dyfishtë, atë që ishte mbyllur me vdekjen e të atit dhe atë që po niste me vvuajtje të panumërta për të, për nënën e tij Dudën, për vëllain Isa, një talent i rrallë në futboll, por që do të çmendej prej torturave të Sigurimit të Shtetit dhe për gjithçka tjetër që do i ndodhte atij vetë në jetë: tre dekada burg, duke kaluar gjithë kampet e punës, torturat gjatë ridënimit në procesin e Xhelal Koprenckës, Vangjel Lezhos e Fadil Kokomanit, ku e kishin mbajtur për dy muaj çdo natë në një arkivol, e që ai as vetë nuk e mori vesh kurrë se si I shpëtoi pushkatimit. Por kjo jetë e mundimshme në diktaturë, pas tre dekadave burg, do të triumfonte më pas. Ai do të dilte i gjallë nga burgjet e diktaturës, do të shihte familjen e tij teksa rritej e i zbukuronte jetën çdo ditë, me fëmijët që çanin me sukses në biznez dhe shkollim. Të gjitha këta e bënin krenar dhe i jepnin pa kursim gëzimin e mohuar të 45 viteve persekutim. Kjo është vetëm pak nga historia epike e këtij ati dhe biri, që me qëndresën e tyre, bënë të mos humbasë por të triumfojë geni i ndritur i familjes së tyre. Kjo është pjesa e dytë e këtij dokumentari.