Dhuna mes adoleshentëve, përse nuk flasin të rinjtë shqiptarë?

12 Shkurt 2019, 14:27

Bisedat mbi seksin apo marrëdhëniet intime vazhdojnë të mbeten tabu në familjet shqiptare. I këtij mendimi është studiuesja Mirela Arqimandriti, e cila tha sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TVse shumë prindër nuk janë të informuar se çfarë bëjnë fëmijët e tyre adoleshentë. E ftuar në emision për të folur mbi studimin e fundit të realizuar nga “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri” (AWEN) sipas të cilit 22 % e adoleshentëve kanë përjetuar dhunë në marrëdhëniet intime, Arqimandriti u bëri thirrje prindërve të kontrollojnë mediat sociale të fëmijëve të tyre adoleshentë.

Patjetër që është tabu në familjet shqiptare dhe është turp të flasësh për seksin, ndërkohë që të gjithë të rinjtë janë të mbytur nga emisionet e ndryshme, media apo rrjetet sociale. Por akoma nuk janë ndërgjegjesuar pjesa tjetër e shoqërisë , prindërit të cilët duhet patjetër të kontrollojnë telefonat dhe mediat sociale të fëmijëve të tyre adoleshentë. Për një adoleshent 14 vjeç prindi patjetër duhet ta bëjë këtë. Të gjithë prindërit duhet të gjejnë anën për të kontrolluar rrjetet sociale, është e bëshme. Unë dhe shoqet e mia e bëjmë, sepse është e domosdoshme. Me ritmet që ka jeta, problemet e mëdha ekonomike që kanë prindërit, mungesën e kohës, nuk kanë kohë të shohin se çfarë bën fëmija i tyre dhe mendojnë ua sa mirë po qëndron urtë në dhomë përpara kompjuterit.