Ndërkohë që Elbasani vijon të jetë nën sundimin e krimit dhe pothuajse çdo ditë po dëgjohen krisma, kryetarja e gjykatës së qytetit Enkeleda Kapedani bën ‘modelen’ në Tik Tok, duke e kthyer zyrën në një pasarelë modelingu.
Kapedani duket pashqetësuar nga e gjithë situata e rëndë që mbizotëron në qytet dhe gjen kohën të argëtohet në TikTok me video nga më të ndryshme duke ekspozuar edhe veshjet e saj. Ndonëse në ambientet e gjykatës duhet të punohet për të futur pas hekurave kriminelët, duket se gjyqtarja i ka kthyer në pasarelë, pasi në një prej videove shihet të sfilojë në korridorin e gjykatës deri në zyrën e saj
Siç shihte dhe nga pamjet në njërën prej shumë videove të publikuara në profilin e saj, ajo dëgjohet të thotë në sfond: ‘Jam mafia, mafia, mafia’. Duket sikur kjo gjyqtare në vend që të drejtojë luftën ndaj krimit në këtë qytet, loja me mafia i duket një “film”.
Report Tv është interesuar në ILD lidhur me këtë skandal dhe mëson se nesër do të zhvillohet një mbledhje posaçërisht për Kapedanin. Kapedani ndodhet në këtë gjykatë në tetor të vitit 2015, ndërsa ajo u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes si kryetar gjykate të gjyqtarit Zihni Shahu. Në dhjetor 2019, Kapedani bëri bujë ne medie pasi ka liruar nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait.
Prej shumë kohësh Elbasani është cilësuar si qyteti i bandave dhe nën sundimin e krimit. Kjo pasi qyteti është kthyer në kasaphanë me ekzekutime të njëpasnëshme. Dhjetëra persona janë ekzekutuar vetëm muajt e fundit në Elbasan, shumë prej tyre të lakuar për përplasjet e forta mes bandave të drogës. Para rreth një muaji qyteti u trondit nga një përplasje me armë ku humbi jetën Pjerin Xhuvani e u plagosën katër persona të tjerë, një ngjarje e rëndë që ndodhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit dhe në prani të dhjetëra efektivëve të policisë.
41-vjeçari Everest (Ibrahim) Çaka është ekzekutuar me armë me silenciator më 11 maj në makinë në sy të gruas së tij në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan. Shkak i vrasjes dyshohet se është e shkuara tij, kjo pasi Çaka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë. Më konkretisht, atij i është ekzekutuar vëllai në Barcelonë si edhe kushëriri Ardit (Arjan) Spahiu në Belgjikë. Ky i fundit është vëllai i kunatit të Erion Alibej, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve. Erion Alibej, organizatori i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik, ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan.