Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Tetor 2025 – Receta/ Mit apo fakt/ Shëndeti i tiroides/ Hurmat, vlerat ushqyese

1 Tetor, 15:41 | Përditesimi: 1 Tetor, 15:41

Sot, Dita Botërore e të Moshuarve. Në këtë ditë japim një mesazh për brezin më të palodhur, “Le të kujdesemi me zemër” ishte thirrja që Moza Kalaja bëri në studion e Rreze Dielli.

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petulla të fshira / Gjellë me presh / Supë pule me oriz.

Me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka ndalemi çdo të mërkurë tek ajo që shpesh na ngatërron më shumë se vetë dieta: mitet mbi shëndetin dhe ushqimet. E vërtetë apo mit? Këtë javë kemi përzgjedhur 2 mite që dëgjojmë shpesh, por që jo gjithmonë qëndrojnë shkencërisht: Kafja esëll shkakton ulçër stomaku? Magnezi shëron depresionin?

Tiroidja shpesh quhet "orkestra dirigjente" e organizmit, dhe me plot të drejtë. Kjo gjëndër e vogël e vendosur në pjesën e përparme të qafës, luan një rol jetik në rregullimin e shumë funksioneve të trupit, nga metabolizmi e energjia, deri te temperatura trupore, rrahjet e zemrës dhe madje edhe gjendja emocionale. Por çfarë ndodh kur kjo "dirigjente" fillon të gabojë ritmin? Për fat të keq, problemet me tiroiden janë më të zakonshme nga sa mendohet, dhe shpesh mbeten të padiagnostikuara për vite me radhë. Por cilat janë shenjat që nuk duhen injoruar e që tregojnë se tiroidja nuk po funksionon siç duhet. Cilat janë shkaqet më të zakonshme që çojnë në probleme me tiroiden? A luan ushqimi një rol? Dhe cilat janë "miqtë" dhe "armiqtë" më të mëdhenj të shëndetit të tiroides në pjatën tonë të përditshme? Në këtë bisedë me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka, do të zbulojmë se si jodi dhe seleni ndikojnë në funksionin tiroide, cilat janë burimet më të mira natyrale të këtyre mikroelementeve, si dhe kur dhe nëse suplementet mund të jenë të nevojshme. Do të mësojmë gjithashtu si të ndërtojmë një pjatë të ekuilibruar për të mbështetur tiroiden në mënyrë natyrale, pa komplikime dhe pa mitet që shpesh ngatërrojnë më shumë sesa ndihmojnë.

Vjeshta sjell me vete jo vetëm ngjyra të ngrohta, por edhe një bollëk frutash sezonale që janë pasuri e vërtetë për shëndetin. Në mesin e tyre, një ndër më të veçantat dhe shpesh të nënvlerësuarat është hurma, një frut i ëmbël dhe i pasur me përfitime ushqimore. Hurmat, qoftë të pjekura mirë në degë apo të konsumueshme në formën më të fortë si "hurma farëzi", janë një burim i shkëlqyer antioksidantësh, fibrash, vitaminash dhe mineralesh. Por cilat janë ndryshimet mes llojeve të hurmave, a ndryshojnë vlerat ushqimore nga mënyra e konsumimit, dhe çfarë duhet të dimë para se t’i përfshijmë në dietën tonë? Me nutricionistin Altin Joka tregojmë përfitimet shëndetësore të hurmave, si t’i konsumojmë për të marrë maksimumin e vlerave ushqimore, dhe pse ky frut është një "superushqim" i fshehur i vjeshtës.

MC/Shqiptarja.com