Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 12 Nëntor 2025 – Receta/ Lythat, shkaku &trajtimi / Karafili, ilaç në kuzhinë

12 Nëntor, 15:54 | Përditesimi: 12 Nëntor, 15:54

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Ëmbëlsirë me niseshte e bajame / Pite tigani të mbushura me spinaq / Supë me mish pule dhe perime të stinës.

Çfarë tregojnë lythat për shëndetin tonë? A janë ato thjesht një shqetësim estetik apo sinjal që trupi ynë po na dërgon për ndonjë problem të fshehur shëndetësor? Çfarë janë në të vërtetë lythat dhe nga se shkaktohen? A lidhen ato me sistemin tonë imunitar apo me mënyrën se si ushqehemi çdo ditë? Mund të ndikojë ushqyerja në shfaqjen ose zhdukjen e tyre? Dhe a ekzistojnë mënyra natyrale për t’i trajtuar, pa përdorur ilaçe apo ndërhyrje mjekësore? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve dhe për të kuptuar më mirë se çfarë fshihet pas kësaj problematike shëndetësore flasim në "Rreze Dielli" me nutricionistin holistik Altin Joka, duke dhënë një pasqyrë të plotë mbi shkaqet, ndikimet dhe mënyrat e trajtimit të tyre.

A e ke menduar ndonjëherë se ilaçi më i fuqishëm për shumë probleme shëndetësore mund të jetë fshehur në dollapin tënd të kuzhinës? Një prej tyre është karafili, erëza e vogël me aromë të fortë që përdoret prej shekujsh jo vetëm për shije, por edhe si mjekim natyral. Karafili është i pasur me vajra esencialë, antioksidantë dhe përbërës antibakterialë që mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve, përmirësimin e tretjes, forcimin e imunitetit e në shumë gjendje të tjera. Por si mund ta përdorim në mënyrën e duhur për të përfituar maksimalisht nga vetitë e tij? A është më i efektshëm si çaj, vaj esencial apo si përbërës në receta natyrale shtëpie? Pikërisht këto pyetje do të shqyrtojmë në "Rreze Dielli" me nutricionistin Altin Joka, duke zbuluar pse karafili është quajtur me të drejtë “ilaçi që fshihet në kuzhinë".

MC/Shqiptarja.com