Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me oriz dhe pulë / Supë me kos dhe miell orizi / Gjizë e freskët shtëpie.
Me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka do të ndalemi çdo javë tek ajo që shpesh na ngatërron më shumë se vetë dieta: mitet mbi shëndetin dhe ushqimet. E vërtetë apo mit? Këtë javë kemi përzgjedhur 3 mite që dëgjojmë shpesh, por që jo gjithmonë qëndrojnë shkencërisht: Sheqer kaf apo i bardhë? / Kërcitja e gishtave shkakton artrit? / Djersitja e tepërt djeg yndyrën?... Zbulojmë të vërtetën pas këshillave “popullore” dhe për të kuptuar si të bëjmë zgjedhje më të zgjuara për shëndetin tonë.
Në botën moderne, shëndeti i zemrës shpesh shihet përmes prizmit të kolesterolit të lartë dhe stilit të jetesës sedentare. Por, a është ky vërtet shkaku kryesor i infarkteve? Sipas disa studimeve të reja, rrënjët e shumë problemeve kardiovaskulare mund të gjenden në një organ që shpesh neglizhohet: mëlçia. Mëlçia është qendra metabolike e trupit, e ngarkuar me një sërë funksionesh jetike, nga përpunimi i yndyrnave dhe glukozës, deri te detoksifikimi dhe prodhimi i kolesterolit. Kur ajo fillon të "lodhet", pasojat nuk prekin vetëm tretjen ose energjinë, por shpesh manifestohen edhe në sistemin kardiovaskular. Pikërisht për këtë arsye, sëmundja e mëlçisë yndyrore po quhet sot “sëmundja e heshtur” e shekullit. Në "Rreze Dielli" me nutricionistin dhe ekspertin holistik Altin Joka, do të ndalemi pikërisht në këtë temë jetike, eksplorojmë pse shumë pacientë me analiza të mëlçisë "brenda normales" mund të jenë ende në rrezik, çfarë testesh duhet të bëhen për një pasqyrë më të plotë të shëndetit metabolik dhe cilat janë sinjalet që nuk duhen injoruar. Do të flasim për ngurtësinë metabolike, një term ende pak i njohur për publikun, por me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e zemrës. Për më tepër, do t’i përgjigjemi edhe një pyetjeje që shumë njerëz ia bëjnë vetes: Nëse unë ha shëndetshëm dhe nuk pi alkool, pse duhet të shqetësohem për mëlçinë? Dhe mbi të gjitha, a jemi realisht të sigurt kur analizat rutinë dalin “në rregull”?
A është rrushi i shëndetshëm apo thjesht një frut plot sheqer? Në kohën e vjeljes, rrushi mbush tregjet dhe tryezat tona, por bashkë me të, lindin edhe shumë pyetje. A na shëndosh rrushi? Duhet ta shmangim nëse jemi në dietë, apo është një “superfrut” me vlera të jashtëzakonshme për shëndetin. Në këtë pjesë me nutricionistin Altin Joka do të flasim për vlerat ushqyese të rrushit, ndikimin e tij tek pesha trupore dhe arsyet pse ky frut modest është një aleat i fuqishëm i trupit, sidomos për zemrën, qelizat dhe sistemin imunitar. Si çdo ushqim i pasur me sheqerna natyrale, tregojmë si t'a konsumojmë me zgjuarsi dhe cilat janë kombinimet më të mira për të përfituar të gjitha vlerat ushqyese.





















