Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 26 Nëntor 2025 – Receta/ Me këngëtarin Bekim Ibrahimi/ Helikobakter Pylori/ Dardha, vlerat shëndetësore

26 Nëntor, 16:32 | Përditesimi: 26 Nëntor, 16:32

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin Jahni me patëllxhanë dhe Trahana me fasule e pastërma.

Jemi në atmosferën e festave të nëntorit, një periudhë me rëndësi të veçantë për popullin shqiptar, ku kremtohen vlerat, historia dhe identiteti ynë kombëtar. Në këtë kuadër, këngëtari Bekim Ibrahimi sjell këngën ‘Jam Skëndërbe’, një dedikim të veçantë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai rrëfen jetën e tij në Zvicër, sfidat e mërgimit dhe mallin e pashuar për atdheun, duke treguar se lidhjet me rrënjët kurrë nuk zbehen.

Me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, ndalemi tek bakteri më i rrezikshëm i stomakut dhe jo vetëm, Helicobacter pylori, i njohur ndryshe edhe si “bakteri mashtrues” i stomakut. Si ndodh që rreth 70% e popullsisë e bartin atë pa e ditur, ndërkohë që tek disa shkakton probleme serioze shëndetësore? Cilat janë shenjat dhe simptomat që nuk duhen neglizhuar, sidomos kur ky bakter ka aftësi të fshihet pas manifestimeve të zakonshme si fryrje, urth, dhimbje barku apo lodhje kronike? A është e mundur që H. pylori të kontrollohet ose të zvogëlohet pa përdorur antibiotikë, dhe si qëndron në fakt e vërteta me antibiotikët? A mund të ndihmojnë ushqimet, mënyra e të ushqyerit dhe një regjim i shëndetshëm në dobësimin e tij, në lehtësimin e simptomave apo madje në eliminimin e pranisë së tij në stomak? Këto janë pyetjet kryesore që lindin kur flasim për një nga bakteret më të përhapura dhe më të nënvlerësuara që prekin sistemin tretës e më pas gjithë organizmin. Në "Rreze Dielli" hedhim dritë mbi rrezikshmërinë e tij, simptomat më tipike dhe rolin e dietës dhe stilit të jetesës në përballimin e këtij infeksioni.

Dardhat janë përdorur prej shekujsh në mjekësinë popullore për shërim dhe qetësim duke u konsideruar si një nga frutat më 'kurues' të natyrës. Pse ky frut i thjeshtë, i ëmbël dhe i butë cilësohet si një aleat i fuqishëm për shëndetin, sidomos gjatë stinëve të ftohta? Cilat janë vlerat e saj të vërteta që e bëjnë kaq të veçantë? "Dardha është shumë më tepër se një frut sezonal, ajo është e pasur me fibra të tretshme, antioksidantë të fortë, vitamina dhe minerale që ndihmojnë imunitetin, shëndetin e zorrëve, stomakut, dhe madje edhe hidratimin e trupit", thekson nutricionisti Altin Joka në Rreze Dielli, i cili na zbulon pse dardha konsiderohet një frut 'kurues', cilat janë përfitimet e saj më të rëndësishme dhe si mund ta përfshijmë në dietë kombinuar dhe me elementë të tjerë ushimor për të marrë maksimumin e vlerave ushqyese.

MC/Shqiptarja.com