Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Makarona me mish të grirë dhe salcë të kuqe / Patëllxhanë me vezë dhe djathë në furrë / Supë me bizele.
Pjeshkët, nektarinat dhe kajsitë nuk janë vetëm fruta të shijshme dhe freskuese që na rikujtojnë ditët e ngrohta të verës, ato janë gjithashtu një thesar i vërtetë ushqyes për shëndetin tonë. Të pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë të fuqishëm, këto fruta luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit nga sëmundjet dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Mjekësia holistike i ka përdorur për shekuj si pjesë e trajtimeve natyrale, duke shfrytëzuar vetitë e tyre pastruese, qetësuese dhe rigjeneruese. Por çfarë i bën këto fruta kaq të veçanta përtej shijes së tyre? A janë të përshtatshme për diabetikët dhe cilat janë mënyrat më të shëndetshme për t’i konsumuar? Dhe më e rëndësishmja, cila nga këto fruta qëndron në krye si burimi më i fuqishëm antioksidant? Me nutricionistin Altin Joka zbulojmë më shumë rreth vlerave të pjeshkëve, nektarinave dhe kajsive, duke eksploruar jo vetëm aspektet ushqyese, por edhe përdorimin e tyre në kuadër të mjekësisë natyrore.
Borziloku, kjo bimë aromatike e njohur për shijen e saj të veçantë në gatime mesdhetare, është shumë më tepër se një erëz kuzhine. Përtej kuzhinës, borziloku ka një histori të gjatë përdorimi në mjekësinë popullore dhe natyrore si një bimë me fuqi të jashtëzakonshme shëruese – për trupin, por edhe për mendjen. Thuhet se aroma e tij ka aftësinë të qetësojë shpirtin dhe të balancojë emocionet, dhe kjo nuk është vetëm një mit i vjetër: sot, edhe shkenca po i hedh dritë këtyre ndikimeve. Cilat janë vërtet vetitë shëndetësore më të fuqishme të borzilokut? Si përdoret ai për të trajtuar ankthin, problemet me tretjen, inflamacionin apo lodhjen mendore? A është çaji apo vaji esencial më efektiv? Dhe a duhet treguar kujdes në përdorimin e tij, veçanërisht tek fëmijët apo gratë shtatzëna? Me nutricionistin Altin Joka do të zbulojmë më shumë rreth “fuqisë së gjelbër” të borzilokut, si një aleat natyral për mirëqenien, me përdorime që shkojnë shumë më larg se kuzhina.
Goja është pasqyra e shëndetit tonë të përgjithshëm, dhe dhëmbët janë ata që tregojnë historinë e vërtetë të mirëqenies sonë. Një higjienë orale e saktë është çelësi për një buzëqeshje të bukur, por edhe për një trup të shëndetshëm. Megjithatë, shumë prej nesh bëjnë gabime të zakonshme gjatë larjes së dhëmbëve, që mund të shkaktojnë probleme serioze si gjakosja e mishrave, inflamacioni apo infeksione. Gjakosja e mishrave të dhëmbëve është një sinjal alarmi që shpesh ne e injorojmë, por ajo është thirrja e trupit për ndihmë. Në studion e “Rreze Dielli” me mjeken stomatologe Etlinda Muçaj Sulo flasim pikërisht për gabimet më të zakonshme gjatë higjienës orale, si t’i evitojmë ato dhe çfarë na tregojnë mishrat tanë për shëndetin tonë.





















