Gjendet pa ndjenja në korridorin e spitalit/Të gjithë e dinin sirian, ishte Pjerin Shestani

16 Shkurt 2023, 21:07

Pasditen e kësaj të enjte ‘Pa Gjurmë’ gjeti 42-vjeçarin të humbur para nje jave në Tiranë. Pjerin Shestani u zhduk mengjesin e 9 shkurtit dhe kishte përfunduar pa ndjenja pas nje aksidenti në spitalin e Traumës. Uniformat blu dhe bluzat e bardha kërkonin ndihmë për identifikimin, pasi dyshonin se ishte shtetas sirian. Stafi i ’Pa Gjurmë’ u nis menjëherë drejt spitalit të Traumës, me dyshimin se bëhej fjalë për Pjerin Shestanin, që po kërkohej nga i vëllai në program. Në spitalin e Traumës në Tiranë, 42-vjeçari u gjet i shtrirë në krevat, jashtë dhomave në korridorin e një pavioni të katit të dytë. Sapo video u shfaq në ekran Leonardi njohu menjëherë të vëllanë. ’Pa gjurmë’ zbuloi çfarë kishte ndodhur me 42-vjeçarin. Ai ishte dërguar me fraktura të rënda në trup, mëngjesin e së shtunës të datës 11 shkurt dhe prej 5 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Traumës, ndërsa familjarët nuk kishin asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Ata e kishin denoncuar të humbur, më datë 9 shkurt në komisariatin nr. 2 në Tiranë. Pjerini ishte aksidentuar nga një automjet në zonës e Vaqarrit. Ishte drejtuesi i mjetit ai që njoftoi autoambulancën, e cila me urgjencë e kishte transportuar në spital. 42-vjeçari me probleme të shëndetit mendor, i pamundur për të folur fillimisht për të u dyshua se ishte një shtetas sirian. Që nga momenti kur 42-vjeçari 5 ditë më parë përfundoi pa ndjenja në spital, policia e kryeqytetit ishte në kërkim të familjes për ta identifikuar. Falë publikimit në ’Pa Gjurmë’ pak para përfundimit të emisionit, në ambjentet e Report TV, mbërritën oficerë të policisë së komisariatit numër për të shoqëruar të vëllain e Pjerinit drejt spitalit. Ai do të vijojë të qëndrojë ende në spital, pasi do t’i nënshtrohet një operacioni në krahun e majtë për shkak të dëmtimeve që ka marrë në momentin e aksidentit.