Gjoks pule me limon dhe erëza shoqëruar me kuskus e spinaq nga zonja Albana

14 Nëntor, 12:28

Gjoks pule me limon dhe erëza shoqëruar me kuskus

Përbërësit:

  • 500 gr gjoks pule
  • Lëngu dhe lëvorja e gjysmë limoni
  • 4-5 thelpinj hudhre
  • 1 lç mente e tharë
  • 1 lç kopër
  • 500 gr spinaq
  • 100 gr kuskus
  • Vaj ulliri
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Marrim një enë dhe shtojmë hudhrat e grimcuara, limonin dhe të gjitha erëzat. Vendosim gjoksin e pulës mbi tryezën e punës dhe i bëjmë disa vija me thikë së pari në formë horizontale, pastaj në formë vertikale, duke u kujdesur për thellësinë e prerjeve. Më pas mishin e marinojmë me masën e përgatitur dhe e vendosim në një qese për ngrirje dhe e lëmë të marinohet së paku një orë. Pasi mishi të jetë gati, e pastrojmë nga erëzat dhe e skuqim nga të dyja anët për 3-4 minuta me vaj ulliri. Në të njëjtën enë ku është skuqur mishi, skuqim spinaqin për 3-4 minuta duke i shtuar kripën, piperin dhe hudhrën pluhur. Në enë shtojmë kuskusin me pak kripë dhe të njëjtën sasi ujë të vluar, e mbulojmë me qese plastmasi dhe e lëmë të pushojë 3-4 minuta. Në fund mishin e servirim me kuskus dhe spinaq.