Hapet Panairi i Librit, të ftuar botuesja Arlinda Dudaj dhe kritiku letrat Agim Baçi

19 Nëntor 2018, 09:15

Ka ngjallur diskutim dhe reagim në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report TV, deklarata e dy ditëve më parë e kreut të shoqatës së botuesve Petrit Ymeri i cili foli për mungesën e mbështetjes institucionale në organizimin e edicionit të 21-të të librit në kryeqytet që hapi dyert një ditë më parë. Botuesja Arlinda Dudaj u shpreh kritike ndaj organizatorëve të cilët, sipas saj e kanë shndërruar panairin në një lloj tregu të librit, por kjo nuk mjafton për të afruar lexuesin. 

Mbështetja e institucioneve sigurisht që duhet, por për çfarë duhet? Ne kemi 21 vjet dhe unë di që ka raste kur është mbështetur panairi, por unë njësoj e kam paguar çmimin, kam paguar 70 euro për metër katror. Mua nuk më bën asnjë diferencë këtu. Dhe Petrit Ymeri apo organizatorët e tjere nuk është se kanë bërë ndonjë gjë speciale për ta promovuar sepse mbështetja duhet dhënë për të promovuar libra, për të ftuar shkrimtarë. Ne s’kemi shkrimtarë të ftuar, janë vetëm shkrimtarët shqiptarë, por janë shtëpitë e tyre botuese që i marrin përsipër. Një panair libri funksionon jo thjesht si tregje, se dakord njerëzit blejnë, i shohin gjithë librat nëpër vitrina së bashku, por panairi duhet të jetë për të promovuar.