Italia e rekordeve pret rivalin mes Ukrainës e Austrisë, Xherdan Shaqiri golashënuesi më i mirë i Zvicrës në një turne madhor

21 Qershor 2021, 10:29

Italia bëri një fazë perfekte të grupeve në Euro 2020. Me fitoren e djeshme 1-0 ndaj Uellsit të kaltërit e mbyllën me 9 pikë të plota grupin A me 7 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Siç thotë edhe trajneri Mancini më mirë se kaq kjo skuadër nuk mund të bënte. Një ekip që forcën më të madhe e ka tek grupi e jo tek individët dhe që di të fitojë edhe kur në formacion ndryshohen jo pak por 8 lojtarë. Italia është kualifikuar si e para e grupit A dhe pret rivalin e fazës së 1/8 që del sot nga ndeshja e grupit C Ukrainë-Austri. Nëse fiton Ukraina apo ndeshja del barazim Italia përballet me skuadrën e drejtuar nga Shevchenko. Nëse fiton Austria të kaltërit të shtunën në mbrëmje në “Wembley” do të përballen me skuadrën austriake. Italia e Roberto Mancinit arriti rekordin e 30 ndeshjeve radhazi pa humbje që mbahej nga Vittorio Pozzo mes viteve 1935-1939. Mes Botërorëve dhe Evropianëve kjo është hera e katërt që Italia i fiton të treja ndeshjet e grupit. Statistikat janë të jashtëzakonshme për këtë ekip ku përveç 30 ndeshjeve pa humbje shënon edhe 11 ndeshje pa pësuar gol ku ka shënuar 32 të tillë. Uellsi po ashtu u kualifikua për në 1/8 ku do të përballet me të dytën e grupit B.

Zvicra e mposhti 3-1 Turqinë dje në Baku dhe me 4 pikë ka shanse të mëdha të kualifikohet si një nga të tretat më të mira. Helvetët fituan nën shenjën e Xherdan Shaqirit që dje realizoi dy gola shumë të bukur. Kosovari bëhet golashënuesi më i mirë i Zvicrës në fazat finale të Botërorëve apo Europianëve me 7 gola ndërsa numëron edhe 16 ndeshje të luajtura.