Jo të gjithë e kanë parë, perlat e fshehura në Kukësin ‘e harruar’ nga harta e turizmit! Qyteti i bekuar nga natyra e historia që po mrekullon turistët e huaj

9 Korrik 2023, 11:06

Mosnjohja e këtyre bukurive dhe kurioziteve e kanë shndërruar sot Kukësin në një perlë të fshehur për turistët e huaj, vendas, madje edhe për vetë kuksianët.

Destinacioni i parë turistik është qyteti i nëndheshëm.

Është pothuajse i vetmi që u serviret grupeve turistike nga  agjencitë e turizmit.

Frika nga ndonjë sulm i mundshëm e detyroi shtetin komunist të Enver Hoxhës, të ndërtonte paralelisht me Kukësin e ri, një qytet të nëndheshëm që rrallëkush e di se ekziston.

Qyteti i nëndheshëm është 2.4 kilometra , aq sa është edhe shtrirja e qytetit sipër. Ai ndodhet më shumë se 30 metra nën atë ekzistuesin dhe ka një kapacitet prej 30 mijë banorësh. Me shkallët në formë rrethore që nuk kanë të mbaruar në zbritje si dhe kryqëzime e tunele si një labirint.

Ka 5 hyrje të vendosura në lagje dhe në qendër të tij janë institucionet, e në momentet e një alarmi për sulm, i gjithë Kukësi do të kishte mundësi të mbrohej nga qyteti i nëndheshëm, i tëri i  ndërtuar në beton e i fortifikuar për t’u bërë ballë shpërthimeve atomike.

Në Kukësin e nëntokës, poshtë këmbëve të qytetarëve të saj janë të vendosura, spitali, materniteti, furra e bukës, shtypshkronja, ujësjellësi, komiteti ekzekutiv, ai i partisë, sallë e madhe për mitingje apo takime me popullin, burgu, hetuesia si dhe komiteti i partisë.

Për Kukësin nëntokësor është shpenzuar me miliarda lekë e punuar gati 20 vite.

Deri në vitin 1991 qyteti i nëndheshëm është ruajtur dhe mirëmbajtur nga strukturat shtetërore, ndërsa pas saj nisi degradimi.

Në qytetin e nëntokës mungon ndriçimi e ka dëme të konsiderueshme.

Të apasionuar pas historisë së të kaluarës dhe qyteteve që ende ruajnë gjurmë të trashëguara të sistemit komunist, këta turistë të huaj kanë udhëtuar nga Gjermania për të vizituar Shqipërinë dhe qytetet e ndërtuara në periudhën ish komuniste.

 Kukësi është ndalesa e tyre e parë, ku veç arkitekturës së ngjashme me modelet e qyteteve të bllokut të Gjermaninë Lindore dhe vendeve komuniste ajo që i tërheq vizitorët gjermanë në këtë qytet është mikëpritja e shqiptarëve.