Liljana Luani, mësuesja e fëmijëve të ngujuar

8 Mars 2019, 10:24

7 marsi i gjen të gjithë mësuesit duke marrë dhurata nga nxënësit e tyre, por kjo gjë nuk ndodh për Liljana Luanin, mësuese e cila çdo ditë e shfrytëzon për të mësuar fëmijët që janë të ngujuar. Falë dashurisë dhe përpjekjeve të saj, Luani e ka shndërruar profesionin e mësueses në një mission të shenjtë. Në Malësinë e  Dukagjinit, vend në të cilin Liljana punon, mohimi i të drejtës për të jetuar i lirë është fenomeni më i dhimbshëm. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report tv, mësuese Liljana është shprehur e revoltuar ndaj sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Në ditën e mësuesit, Liljana shpreson fort që fenomeni i gjakmarrjes të ndalojë së ekzistuari në vendin tonë, e kjo sipas saj vjen nëse drejtësia vendoset në vend.

Që nga viti 2005, Liljana Luani filloi të shkonte derë më derë tek femijët e ngujuar  për ti mësuar ata vullnetarisht. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur Liljana Luanit i është dashur të ecë me orë të tëra për të mësuar nxënësit e saj që shumicën e kohës i sheh të veshur nga trishtimi, megjithatë pavarësisht rrethanave të vështira, mësuesja e tyre nuk është ndakur asnjëherë.

Shumë shpesh në këmbë, shumë shpesh me varka, me veshtirësi të mëdha , por ia dal. Unë shpresoj që gjakmarrja të shuhet në Shqipëri përpara se të dorëzohet Liljana Luani. Unë nuk dorëzohem kollaj, do ta vazhdoj me të gjithë forcën e shpirtit sat ë kem fuqi. Do të luftoj kundër këtij fenomeni me të gjitha forcat e mia.

Liljana Luani, mësuese