Mini Shengeni Ballkanik, e ftuar Mimi Kodheli

11 Tetor 2019, 12:59

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm parlamentar Mimi Kodheli e ftuar në studion e emisionit "45 Minuta" të drejtuar nga Denis Minga deklaroi se nëse javën tjetër nuk do të hapen negociatat, humbja do të jetë e BE-së dhe jo e shqiptarëve. "Humbja do të jetë e atyre dhe jo e shqiptarëve. Shqipërisë do i bëjë vetëm mirë. Le të ndodhë cfarë të ndodhë javën tjetër" tha Kodheli.

Ajo kishte edhe një këshillë për themeluesit e Europës. "Finlanda ka kërkuar pa asnjë kusht hapjen e negociatave. Themeluesit e Europës duhet të reflektojnë, janë duke e ekstremizuar qëndrimin në raport me ata që janë ndryshe nga feja, prejardhja apo gjuha. Po lulëzojnë partitë e ekstremit të djathtë. Të gjitha politikat e viteve të pasluftës u ngritën bazuar në parime dhe vlera që ne duam ti përfaqësojmë. Vijmë te skeptikët tani.

Presidenti Macron foli për një Europë ndryshe. Sot Britania e Madhe është jashtë Europës, Merkel është në fund dhe tani është Macron.  Ndërsa qeveria holandeze rri në këmbë me një votë plus, imagjino që ai të kalojë në krahun tjetër pasi mund të kundërshtojë negociatat. Holanda e ka për konsum të brendshëm. Di që edhe Macron ka pasur një Europë të një ideje tjetër" tha ajo.

Në fund Kodheli komentoi edhe mini shengenin Ballkanit, që kryeministri Rama tha sot nga Serbia se në 2021 do të bëhet realitet. "Është një ide e hedhur pak kohë më parë dhe e mbështetur nga vendet e tjera. Shqipëria në vete, por edhe vendet e tjera të Ballkanit  në vete janë tregje të vogla.

Kështu që si e bëjnë këtë qoshe të Europës më tërheqëse. Kostoja e të ndenjurit në kufi na kushton kohë dhe kosto. Kjo e ndihmon rrugën e integrimit. Ndërtimi i një hekurudhe, rruge, një aeroporti që e përdorin dy vende, apo lehtësia në dogana nuk e pengon integrimin e vendeve" tha socialistja.