Miqësia me çiftin anglez mban 'peng' të vërtetën e zhdukjes së 51-vjeçarit, vëllai dhe motra rrëfejnë telefonatën e fundit në radio

1 Tetor, 18:01 | Përditesimi i fundit: 2019-10-02 08:26:09

Bashkim Xhina telefonoi për herë të fundit vëllanë nga Franca në fund të gushtit të vitit 1998, duke i thënë se dëshironte të kthehej në Shqipëri, por nuk ishte i pajisur me letra.

Familjarët bëjnë apel për ndihmë në emisionin ’’Pa Gjurmë’’ në Report Tv me shpresën se ai do të bëhet i gjallë. 51-vjecari kishte marrë nënshtetësinë greke, aty ku kishte jetuar 5 vite. I njohur me një tjetër identitet si Kristo Xhima ai kishte përdorur pasaportën greke për të lëvizur jashtë kufirit. Në ishullin grek ku ka qëndruar për 5 vite, Bashkimi ishte njohur me një çift anglez, me të cilët kishte krijuar një miqësi të ngushtë.

Nga kjo miqësi lindin edhe dyshimet tek familjarët duke fajësuar këtë çift anglez për zhdukjen e elbasanlliut. Ai humbi kontaktet me familjarët e tij në vitin 1998, nga qyteti Nicë i Francës. Bashkimi dhe vëllai i tij Dylaveri kishin emigruar që herët drejt tokës helene, ku qëndruan 5 vite sëbashku deri kur u ndanë në vitin 1995. Destinacioni i radhës i Bashkimit do të ishte Franca. I pajisur me pasaportë greke, me një tjetër identitet si Kristo Xhima ai vendoset përfundimisht në Nicë, të Francës ku punonte si kuzhinier në një restorant atje.

Ai pati kontakte të rregullta me familjarët në Shqipëri. 22-vjeçar asokohe la të fejuarën në Shqipëri dhe vetë nuk u bë më kurrë i gjallë. Në dijeninë e familjarëve ai nuk ka pasur konflikt me askënd, që të mund të lidhin kësisoj zhdukjen e tij pa lënë asnjë gjurmë. Sot, familjarët vijnë në ’’Pa Gjurmë’’ ende në kërkim të tij edhe pse ka kaq shumë mister zhdukja e elbasanlliut, i cili në telefonatën e fundit ishte i vendosur për t'u kthyer në atdhe.

Motra e tij, Lavdie Cehu thotë se pas tentativës së parë të dështuar për të kaluar në Angli u shkëputën kontaktet me vëllanë. Një dritë shprese u rikthye në vitin 2001 kur disa të afërm të familjes dëgjuan një telefonatë të tij nga një burg, por nuk janë të sigurt nëse ishte në Australi apo Angli.

"Ai donte të ikte në Francë, por nuk e dimë se kush e ka pritur atje në fillim. Nuk gjeti punë brenda pak ditëve, por me kalimin e kohës u vendos në restorant ku punonte si kuzhinier. Komunikonim në telefon, ka qenë shumë i rregullt. Edhe me vëllezërit dhe prindërit ka qenë i rregullt, familjes u ka sjellë lekë. Ai donte me kaluar në Angli.

Por herën e parë u kap në kanalin e La Manshit, ndërsa më pas nuk e dimë më si vijuan ngjarjet. Këtë na e komunikoi vetë, kjo ndodhi dy vite pasi arriti në Francë dhe punonte sërish aty ku ishte në restorant. Ai ishte i fejuar, e la në Shqipëri dhe iku për një jetë më të mirë, por nuk e dimë përse u shkëput në 1998.

I ati ndërroi jetë në 2001, por ne nuk morëm asnjë informacion. Babai iku me pengun e madh me Bashkimin. Jeton edhe nëna që është 87-vjeçe me shpresën për të mësuar të vërtetën. Ai thoshte se do të vinte që të shikonte prindërit dhe të ikte sërish në Francë. Përsa i përket adresës së restorantit në Francë, ne na thanë se ky numër nuk ekziston se restoranti është mbyllut.

Në vitin 2001 vëllai ka bërë një përshëndetje te Top Albania Radio ku thoshte se ndodhej në një burg në Australi. U prezantua se është Bashkim Xhina dhe se kërkoj ndihmën e shtetit shqiptar, por shkoi vëllai te radio, por nuk morën vesh asgjë. Nëse është gjallë apo ka krijuar familje të re, ne duam vetëm një telefonatë që është gjallë dhe nuk ndërhyjmë" tha motra Lavdie Cehu.

Vëllai i tij, Naim Xhina thotë se çifti anglez mund ta ketë ndihmuar për të kaluar nga Franca në Angli, ndërsa shton se një emigrant nga Librazhdi që jeton Angli ka deklaruar se e ka parë atje.

"Pasaporta greke që ai ka marrë nuk ka qenë e rregullt, ka qenë false. U mërzit në Greqi, erdhi dhe iku në Francë me avion, por nuk e dimë si kaloi. Nuk besoj që zhdukje, por besoj se cifti anglez mund ta ketë tërhequr. Në Greqi u njoh me anglezët, të cilët shprehën dëshirën për ta marrë.

E pagëzoi një prift në Greqi, që ndryshoi edhe emrin nga Bashkim në Kristo. Unë dy herë kam folur kur ishte në Francë, por më shumë nëna. Një telefon kishte atëherë në fshat, ku ai linte orarin dhe shkonte nëna për të folur.

Ai shprehte dëshirën për t'u kthyer, pasi ishte i fejuar. Një emigrant nga Librazhdi që ndodhet në Angli ka dhënë disa të dhëna për vëllanë tim. Ai ka thënë se e ka takuar, jetonin bashkë. Bëhej fjalë para 5-6 viteve. Arsye të forta që të bëhet i humbur nuk ka pasur.

Mendoj se ka përfunduar në burg, por nuk jam i sigurt. Duam vetëm të na thotë se është gjallë dhe le të rrijë atje ku është se nuk duam gjë tjetër" tha vëllai Naim Xhina. Emisioni 'Pa Gjurmë' verifikoi adresën e restorantit në Francë, por nuk figuron asnjë person me këtë emër. "Ky person nuk na kujton asgjë" thanë punonjësit e restorantit pas kontaktit nga gazetarët e emisionit 'Pa Gjurmë'.

Programe të tjera