Musaka me patate dhe presh nga zonja Albana

7 Nëntor, 11:25 | Përditesimi: 7 Nëntor, 11:25

Musaka me patate dhe presh

Përbërësit:

  • 1 kg patate
  • 300 gr presh
  • 2 qepë mesatare
  • 500 gr mish i grirë
  • 1 lugë gjelle salcë domate
  • 70 gr djathë i grirë
  • 500 ml qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 100 ml vaj
  • 1 lugë gjelle gjalpë
  • 2 lugë gjelle miell
  • Kripë, piper i zi
  • Arrë moskat
  • Rigon dhe majdanoz (sipas dëshirës)

Përgatitja:

Në një tigan skuqim preshin dhe qepën e grirë me vaj derisa të zbutet. Shtojmë mishin e grirë, kripën, piperin dhe e përziejmë derisa të marrë shije. Shtojmë salcën e domates dhe rigonin, hedhim pak ujë të ngrohtë dhe e lëmë të ziejë për rreth 5 minuta. Në fund shtojmë majdanozin dhe provojmë shijen. Qërojmë dhe presim patatet në rrathë. Shtrijmë gjysmën në tavë duke i spërkatur me kripë. Mbi to shtojmë mishin me qepë e presh të përgatitur dhe e shpërndajmë mirë. Hedhim pak ujë të nxehtë që të mbulohen vetëm patatet. Vendosim shtresën tjetër me patate sipër, e lyejmë me pak kripë dhe vaj dhe e vendosim musakanë në furrë në 250°C për 30 minuta. Ndërkohë përgatisim beshamelin: shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim miellin derisa të skuqet pak. Shtojmë qumështin e ftohtë gradualisht duke e trazuar që të mos bëhen kokrra. Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe pak arrë moskat. E heqim nga zjarri dhe shtojmë vezët e rrahura me pak qumësht. E shpërndajmë beshamelin mbi patatet e pjekura, hedhim sipër djathin e grirë dhe e vendosim sërish në furrë për 15 minuta të tjera.

MC/Shqiptarja.com