Musaka, tavë greke me patëllxhan nga zonja Albana

13 Prill, 11:39 | Përditesimi: 13 Prill, 11:39

Musaka me patëllxhanë dhe patate

Përbërësit:

  • 2 patëllxhanë të mëdhenj
  • 3-4 patate të mëdha
  • 5 lgj vaj ulliri
  • 1 qepë e madhe
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • 500-800 gr mish i grirë
  • 1⁄2 filxhan verë e kuqe e thatë
  • 2 lugë gjelle salcë domatesh
  • 800 gr domate të shtypura
  • 240 ml ujë ose lëng mishi
  • 1 gjethe dafine
  • 1 shkop kanelle
  • 1 lugë çaji piper i kuq
  • 1⁄4 lugë çaji karafil të bluar
  • 1 lugë çaji rigon i thatë
  • 1 lugë çaji sheqer
  • Kripë dhe piper i zi
  • Majdanoz i freskët

Për beshamelin:

  • 100 gr gjalpë i pakripur
  • 100 gr miell
  • 4 gota qumësht
  • 2-3 vezë
  • 200 gr djathë i grirë
  • Kripë, piper i bardhë, arrë moskat

Përgatitja:

Pritini patëllxhanët në feta, spërkatini me kripë dhe lërini të nxjerrin hidhësinë. Më pas shpëlajini dhe thajini. Ngrohni vajin në një tigan dhe skuqni fetat e patëllxhanit për 2-3 minuta derisa të marrin ngjyrë kafe të artë. Transferojini në leter guzhine për të kulluar vajin e tepërt. Kaloni më pas fetat e patateve të skuqen lehtë. Ose mund t'i vendosni dhe në furrë për disa minuta. Ndërkohë kaurdisni me pak vaj ulliri qepën e grirë imët, shtoni hudhrën dhe gatuajeni për një minutë, shtoni më pas mishin e grirë duke e përzier me lugë druri. Gatuajeni për 8-10 minuta derisa të marrë ngjyrë kafe mirë. Shuajeni me pak verë të kuqe, dhe sapo të avullojë alkooli shtoni domatet dhe erëzat. Vijoni me kaurdisjen duke shtuar dhe salcën koncentrat, pak sheqer, kripë e piper. Shtoni pak ujë, erëzat me rradhë sipas dëshirës dhe lëreni të lidhen shijet. Ndërkohë në një tigan mesatar, shkrini gjalpin mbi nxehtësi mesatare. Shtoni miellin dhe kaurdiseni për 2-3 minuta, më pas shtoni gradualisht qumështin e ngrohtë. Trazojeni derisa beshameli të lidhet, shtoni arre myshk, kripë dhe piper të bardhë. Në një tas të vogël, rrihni lehtë vezët dhe trazojini me beshamelin. Në fund shtoni djathin e grirë. Montoni musakanë në tavë, vendosni fillimisht fetat e patateve dhe të patëllxhanëve duke i spërkatur me pak kripë, piper, galetë dhe djathë të grirë. Përhapeni kimën në mënyrë të barabartë mbi perimet dhe kështu vazhdoni duke bërë 2-3 shtresa. Sipër hidhni salcën beshamel duke e përhapur në mënyrë të barabartë me një spatul për të mbuluar të gjithë sipërfaqen dhe për të arritur skajet. Spërkateni pjesën e sipërme me djathin e mbetur të grirë dhe vendoseni tavën në furrën e nxehur paraprakisht dhe piqeni për 45-60 minuta. Lëreni të pushojë mirë dhe më pas e keni gati për t'a servirur.

MC/Shqiptarja.com