Pa Gjurme-Tragjike/15-vjeçe fqinji e la shtatzënë familja e dëboi, nënës i ‘rrëmbejnë’ fëmijën (30 maj 2023)

30 Maj 2023, 18:31

Një nënë është në kërkim të djalit të saj 20-vjeçar, i cili erdhi në jetë si fryt i dashurisë në adoleshencë mes Zamirës dhe djaloshit që ajo dashuronte. Bëhet fjalë për Kristianin, i cili deri në moshën 2-vjeçare u rrit nga prindërit e tij, atëherë kur dhuna e vazhdueshme e babait ndaj nënës, do të ndryshonte përgjithnjë fatin e jetës së tij. Zamira ishte vetëm 18 vjeçe, kur vendosi t’i thoshte mjaft vuajtjeve të shkaktuara nga bashkëjetuesi, të cilin e denoncoi për dhunë. Gjykata e la në “arrest shtëpie” ndërsa do duhej të vendosej edhe për fatin e të voglit. Familja e babait kërkoi kujdestarinë e djalit, edhe Zamira ishte dakord pasi nuk kishte mundësi ta rriste e vetme, por çuditërisht gjykata e Burrelit vendosi që fëmija të shkojë në jetimore. Zemra e nënës gati u copëtua kur mësoi se vogëlushi ishte larguar nga fshati. E pushtoi ndjenja e frikës se nuk do mund ta shtrëngonte më në gji të voglin e saj. Familjen nuk e kishte krah, ndaj e vetme bëri çmos që të binte në gjurmët e tij. Asnjë dritë në fund të tunelit, vetëm kur pas 16 vitesh luftë me institucionet, kur Kristiani mbushi 18 vjeç, Zamirës iu vendos në dispozicion dosja e tij, ku mësoi se në moshën 4-vjeçare ishte birësuar nga një çift italian, Giovani Ventura dhe Partizia Parati… Sot 36-vjeçarja ka krijuar familjen e saj dhe është nënë e tre fëmijëve, të cilët mezi presin ta takojnë e të përqafohen me vëllain e tyre, Kristianin…