Ushqimi është një nga pjesët më të rëndësishme të jetës sonë, por edhe një nga temat për të cilat dëgjojmë më shumë këshilla, ndalime dhe kontradikta. Një ditë na thuhet se kafeja duhet shmangur esëll, një ditë tjetër se një filxhan kafe mund të jetë pjesë e një rutine të shëndetshme. Po buka? Po darka? Po qumështi, mishi apo vaji i kokosit? Dhe sa prej këtyre bindjeve që kemi krijuar ndër vite qëndrojnë vërtet? Sot do t’i shohim këto pyetje përtej miteve dhe zakoneve të përditshme, për të kuptuar se çfarë i përshtatet realisht organizmit tonë dhe nëse ekziston një formulë e vetme për të gjithë. Për t’i diskutuar këto dilema me nutricionistin dhe specialistin e mjekësisë holistike, Altin Joka, flasim për ushqyerjen, metabolizmin dhe zakonet që ndikojnë çdo ditë në shëndetin tonë.
A duhet ta pimë kafenë esëll dhe sa filxhanë në ditë janë të përshtatshëm? A është mëngjesi vërtet vakti më i rëndësishëm i ditës? A na bën dëm darka? A duhet ta heqim bukën nëse duam të ruajmë peshën? Mishi dhe qumështi – të domosdoshëm, të kufizuar apo për t’u shmangur? Dhe çfarë ndodh me ritualin e ujit me limon në mëngjes, vajin e kokosit apo agjërimin? Janë pyetje që i bëjmë shpesh, por ndoshta përgjigjet nuk janë aq bardhë e zi sa mendojmë.




















