Pogaçe me djathë nga zonja Albana

3 Nëntor, 11:21 | Përditesimi: 3 Nëntor, 11:21

Pogaçe me djathë

Përbërësit:

  • 600 gr miell
  • 330 ml qumësht i ngrohtë
  • 10 gr maja e thatë / 25 gr maja e freskët
  • 1 lugë gjelle sheqer
  • 1 vezë e plotë
  • 50 gr gjalpë i shkrirë
  • 30 ml vaj luledielli
  • 1 lugë çaji kripë
  • 250 gr djathë i bardhë
  • 1 vezë për lyerje sipër
  • Pak vaj ose gjalpë shtesë për petët

Përgatitja:

Në një tas të madh hedhim qumështin e ngrohtë, majanë dhe sheqerin. E përziejmë dhe e lëmë 10 minuta që majaja të aktivizohet. Shtojmë vajin, gjalpin e shkrirë, vezën dhe kripën, e përziejmë mirë. Më pas shtojmë gradualisht miellin, duke e punuar fillimisht me lugë druri e më pas me dorë, derisa të formohet një brumë i butë, pak ngjitës por elastik. E mbulojmë me një pecetë kuzhine dhe e lëmë të fryhet për 1 orë në vend të ngrohtë. Pasi të fryhet, brumin e ndajmë në 4-5 pjesë të barabarta. Marrim një pjesë, e hapim me okllai në formë drejtkëndore, e lyejmë me pak gjalpë të shkrirë ose vaj, shpërndajmë sipër djathin e bardhë të grirë dhe e mbështjellim si role (nga gjatësia) dhe e rrotullojmë në formë spirale si kulaç i mbështjellë. E vendosim pogaçen në qendër të tavës ku kemi shtruar një letër pjekje. Kështu vazhdojmë njësoj me pjesët e tjera të brumit: i hapim, i lyejmë me gjalpë, djathë dhe i mbështjellim. I vendosim rrotull spirales qendrore njëra pas tjetrës, duke krijuar një si “byrek të rrumbullakët” të plotë. Në fund e shtypim pak me duar që të bëhet e rrafshët dhe e njëtrajtshme, e lyejmë sipër me vezë të rrahur dhe e lëmë të pushojë rreth 15 minuta para pjekjes. Më pas e vendosim në furrë të parangrohur në 180°C për 25–30 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë të thellë.

Këshilla nga Albana:  Nëse do ta bësh më të butë, lëre të pushojë edhe 10 minuta brenda furrës së fikur para se ta nxjerrësh. Mund të përdorësh përzierje djathi, i bardhë me kaçkavall ose djathë dhie për aromë më të fortë.

MC/Shqiptarja.com