Receta e ditës - Bullgur me mish viçi dhe zupë / Pjesa e parë

3 Dhjetor 2019, 15:03

Bullgur me mish viçi 

Përbërësit:

1 lugë gjelle gjalp

2 lugë gjelle vaj ulliri

300 gr tul viçi (në minikubikë)

1 qepë

2 thelpinj hudhër

2 speca jeshil

1 lugë gjelle salcë

2 gota bullgur

1 lugë gjelle trumzë

½ lugë çaji nenexhik

Kripë dhe piper I zi

4 gota ujë ose lëng mishi

1 domate në kubikë të vegjël

Përgatitja:

Shkrijmë gjalpin dhe vajin dhe kavardisim mishin e prerë në minikubikë derisa të marrë pak ngjyrë. Shtojmë qepën të prerë imët dhe I kavardisim së bashku derisa qepa të zbutet, hudhrat e prera imët, specat në kubikë dhe vazhdojmë përzierjen duke shtuar 1 lugë gjelle salcë. Shtojmë bullgurin dhe e skuqim pak me përbërësit e tjerë dhe para se të shtojmë ujin shtojmë erëzat e tjera, I trazojmë duke shtuar ujin e nxehtë ose lëng mishi, e trazojmë bullgurin, I vendosim kapakun dhe I lëmë të ziejë për 15 minuta në temperaturë mesatare. Pas 5 minutash shtojmë tulin e domates (jo lëngun), të prerë në kubikë të vegjël, e lëmë të ziejë dhe për 10 minuta të tjera e më pas e largojmë, I vendosim tenxheres një picetë e më pas kapakun, e lëmë kështu dhe 15 minuta sa të qetësohet e më pas e shërbejmë të ngrohtë.