Reforma Zgjedhore e ftuar Rudina Hajdari

20 Dhjetor 2019, 15:12

TIRANE-Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë dhe njëkohësisht bashkë-kryetare e reformës zgjedhore, Rudina Hajdari ishte e ftuar në emisionin "45 Minuta" të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv. Sot është zhvilluar mbledhja e radhës e komisionit të reformës zgjedhore lidhur me infrastrukturën e administrimit zgjedhor. "Sot pati një mbledhje tjetër të parashikuar rreth një drafti të ri të sjellë nga ekspertët tanë lidhur me infrastrukturën e administrimit zgjedhor. Në këtë proces do të kemi disa risi që kanë lidhje me transparencën e plotë që do u ofrohet të gjithë subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë.

Duhet të kemi mekanizma të reja në administrimin e zgjedhjeve, për t'u ankuar pranë KQZ për të depozituar ankimimet për abuzimet e ndryshme, si shit-blerja e votës. Do të ketë dy shkallë për ankimet, do të jetë edhe gjykata e Lartë. Kushdo që të abuzojë do të dënohet. Plaga e shit blerjes është shumë e thellë, kjo zgjidh vetëm një pjesë të problemit. Ka ndikime sidomos në fshatra. Aksioni ynë është në lidhje me ndryshimin e sistemit, pasi qytetarët do të votonin personat e preferuar dhe ata që kanë dëshirë dhe jo të shkojnë të votojnë për një parti. Do rriste përgjegjësinë e cdo kandidati" tha ajo.