Siguria rrugore - A duhet të gjobiten këmbësorët?

6 Nëntor 2018, 15:25

Prej disa vitesh tashmë diskutohet nëse edhe këmbësorët duhen gjobitur njësoj si drejtuesit e automjeteve kur shkelin rregullat e qarkullimit, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, ata vetë bëhen burim i aksidenteve rrugore, duke rrezikuar në radhë të parë jetën e tyre. Por një ligj i miratuar që prej vitit 1998 duket se pengon zbatimin e masave administrative edhe ndaj këmbësorëve. I ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Shefi i Trafikut Urban, Taulant Gjoka u shpreh se nevojitet një dispozitë ligjore që të rregullojë mënyrën e vendosjes dhe arkëtimit të gjobave ndaj këmbësorëve.  

Cilido këmbësor që nuk respekton normat e sjelljes të përcaktuara në kodin rrugor ndëshkohet me një vlerë nga 500 deri në 2 mijë lekë të reja. Nuk mund të themi saktësisht që kemi marrë masa sipas kodit rrugor për kategorinë e këmbësorëve, kjo për faktin se mungon një akt normativ se si do të rregullohet mënyra e trajtimit dhe arkëtimit ndaj një këmbësori. Procesverbali i konstatimit që kemi ne sot të miratuar me ligj lidhur me përpilimin e kundravajtjeve administrative nuk parashikon rrugën se si do të arkëtohet një masë kur kalon afati i parashikuar ligjor. Pra nëse ti je drejtues automjeti dhe ke marrë masë administrative por nuk i shlyen dot detyrimin, policia mund të ndërmarrë si masë shtrënguese bllokimin e automjetit deri në momentin e shlyerjes së detyrimit. Ndërsa ndaj këmbësorit nuk parashikohet se çfarë masë shtrënguese do merret nëse ti nuk shlyen detyrimin. Dhe në këto kushte një masë e vendosur ndaj një shkelësi për të cilin ligji nuk parashikon se si do të arkëtohet, nuk do të japë impaktin që ne kërkojmë përveç se do të ketë një reagim social negativ ndaj policisë. Flasim për një ligj që është miratuar në 98-ën dhe sot jemi në 2018-ën. Ka 20 vjet që nuk ka gjetur zbatim, ndaj skemi pse nxitohemi sot pa e rregulluar formën deri në fund që të jemi korrekt në raport jo vetëm me këmbësorët por edhe me ligjin.

Programe të tjera

Shiko të gjitha