Tavë me patëllxhan, domate dhe djathë nga zonja Albana

4 Mars, 11:32 | Përditesimi: 4 Mars, 11:32

Tavë me patëllxhan, domate dhe djathë

Përbërësit:

  • 2–3 patëllxhanë
  • Vaj për skuqje
  • 1 qepë mesatare
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 domate e freskët
  • 300 ml salcë domateje (pure)
  • 1 lugë gjelle sheqer
  • 1 lugë çaji paprika
  • 1 lugë çaji erëza miks
  • 1 tufë majdanoz
  • 30 gr djathë parmixhan
  • 3 vezë
  • 2 lugë gjelle pana
  • Pak vaj ulliri
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Presim patëllxhanët në feta rreth 1 cm, i kriposim lehtë dhe i lëmë 15–20 minuta të nxjerrin hidhësinë. Më pas i fshijmë me letër kuzhine dhe i skuqim me pak vaj derisa të marrin ngjyrë të artë. I vendosim mbi letër kuzhine që të kullojë vaji, ose mund t’i vendosim në tavë në furrë të parangrohur në 180 gradë. Ndërkohë kaurdisim qepën e grirë në pak vaj ulliri, shtojmë hudhrën, domaten e grirë dhe purenë e domates. Vijojmë me kaurdisjen pak minuta duke shtuar më pas kripë, piper, erëza dhe pak sheqer. E lemë të ziejë 10–15 minuta derisa salca të trashet pak. Në fund shtojmë majdanoz të freskët. Në një tas rrahim vezët me panën dhe djathin e grirë. Në fund të tavës vendosim pak salcë, shtojmë një shtresë patëllxhanësh, përsëri salcë, patëllxhanë, duke bërë disa shtesa. Në fund hedhim përzierjen me vezë sipër dhe e vendosim tavën në furrë të piqet në 180°C për rreth 25–30 minuta.

MC/Shqiptarja.com