ZDF-ja gjermane kërkon ndihmë,një vajzë e vrarë në pyll mund të jetë shqiptare/Pa Gjurme publikon... (17 Tetor 2023)

17 Tetor 2023, 18:46

 

Emisionin "Pa gjurmë" me moderatore Odeta Dume mund ta ndiqni nga e hëna në të premte në orën 16:00 në ekranin e Report Tv Mbrëmjen e 11 tetorit, në median gjermane ZDF, emisioni investigativ “Numri i dosjes” (Rasti XY i pazigjidhur) ka publikuar rastin e një gruaje të vrarë dhe të paidentifikuar, e cila dyshohet se është nënshtetase shqiptare. Ngjarja e ka zanafillën më 24 korrik 1997, ku në vendin e quajtur “Pylli i Zi” në afërsi të qytetit jugor Todtnau të Gjermanisë, pranë kufirit me Zvicrën dhe Francën, është gjendur e djegur pjesërisht një grua në moshë të re. Emsioni e prezantoi dosjen si një rast ende i pazgjidhur dhe kërkoi ndihmën e publikut për të zbardhur, jo vetëm identitetin e saj, por edhe gjithë ngjarjen që ishte e rrethuar me mister. Nga hetimet e kryera atëherë mësohet se trupi gjysëm i djegur i të resë ishte gjetur gjysëm i groposur mbrapa një parkingu në brendësi të pyllit pranë Todtnau. Disa metra larg trupit, polica ka gjetur në atë kohë edhe një çantë femrash që ishte bosh, si dhe një bisht cigareje që dyshojnë se i përkasin gruas në fjalë. Ndërsa ngjitur me çantën është gjetur edhe një lopatë e cila dyshohet se është përdorur nga autori i krimit për të mbuluar trupin e saj. Gjatë programit, eksperti mjeko-ligjor, nxorri të dhënat e trupit të paidentifikuar. Sipas tij, gruaja mund të ishte e moshës 20 vjec, dhe se vdekja e saj mund të kishte ndodhur rreth datave 10 deri 20 korrik 1997. Vajza ishte 164 cm dhe kishte të veshur një bluzë të bardhë dhe një fund të errët me lule, ndërsa mbante dhe një rrip lëkure në mes. Ngjyra e flokëve kafe dhe gjatësia e tyre shkonte në 34 cm. Policia gjermane që ështe ende duke hetuar mbi dosjen e gruas së paidentifikuar, ka bërë të mundur dhe rikonstruksionin e fytyrës së viktimës me anë të teknologjisë. Mesditën e 17 tetorit emisioni ‘Pa Gjurmë’ nxorri 9 dosjet e femrave shqiptare që figurojnë të humbura jashtë vendit nga viti 1990 deri në korrik 1997. Moderatorja e emisioni, Odeta Dume, komunikoi me një pjesë të familjarëve të vajzave të humbura gjatë kësaj periudhe, duke ripublikuar fotot e tyre dhe duke krahësuar me identikitin që policia gjermane kishte bërë.