• VIDEO

    Interpelanca/ Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit, ndryshimet ligjore nuk cenojnë asnjë direktivë europiane

    Në interpelancën e sotme në Parlament për zonat e mbrojtura, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e tyre.

    “Për çdokënd që mund të çojë nëpër mend se palës përballë i interesojnë zonat e mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 Agjencite e saj rajonale, një institucion që sot na bën krenar sepse kujdeset për çdo park kombëtar e natyror, për çdo monument natyre e peizazh, falë një armate pasionantësh që janë çdo ditë në terren, inxhinierë mjedisorë, inxhinierë pyjesh a veterinerë që punojnë me shpirt për xhevahiret tona natyrore, e pra kjo agjenci - u krijua vetëm në vitin 2015! Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin shmangur. Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen  e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance! Dhe nuk ka qenë një vendim aspak i lehtë,plot  vende të tjera më të mëdha e kanë shumë më të ulët dhe askush nga vendet e rajonit nuk e ka marrë një të tillë vendim mbrojtës. Është vendim i rëndësishëm sepse Shqipëria, ka një sipërfaqe të kufizuar, ku duhen harmonizuar patjetër nevojat e komuniteteve, e njerëzve për zhvillim e mirëqenie me vizionin dhe synimin për të mbrojtur natyrën si pasurinë më të çmuar që i lëmë brezave! Pikërisht kjo mazhorancë që ndjek cdo ditë zhvillimet në territor, për ta ruajtur atë ekuiliber realist, mes zhvillimit të qendrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit, sic ka përditësuar studimin e zonave të mbrojtura përditësoi ligjin e vitit 2017 në krye të këtij viti, sepse duhet t’u përgjigjemi realitetit, nevojave demografike që të mos vijojnë boshatisje të pjesëve të territorit! Pikërisht kësaj Shqipërie që ecën shumë më shpejt se kjo opozita juaj pa kokë e me gjymtyrë të hallakatura!”, tha Kumbaro.

    Ministrja hodhi edhe akuza mbi qeverinë Berisha, duke thënë se ka shkaktuar dëme në zonat e mbrojtura dhe në biodiversitet.

    “Pasuritë dhe burimet natyrore, aty kanë qenë ndër dekada, por për gjithë ato dekada as ka dashur të merret njeri, dhe as i ka pasur njeri në vëmendje se në prioritet jo se jo! Për t’i abuzuar, shkatërruar, ndërtuar kuturu pa koke, pa plan e me babëzi sic na kanë parë sytë jo më larg por deri 10 vite më parë gjatë qeverisjes së kaluar deri në vitin 2013 kur mijëra e mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor, në zona natyrore e kulturore, në shtrate lumenjsh e plazhe me rërë…. Po, këtë na latë trashëgim ju! Kjo ka qene historia në 25 vite! Dhe nuk do përmend Bathoren, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër në Zonë të mbrojtur e degraduat në Bathoren e bregdetit, duke i hequr çdo arsye dhe argument për biodiversitet që ne me programet e rikualifikimit urban po e sjellim në terezi, duke ekuilibruar edhe problemet sociale të popullsisë me rrugë, ndriçim, kanalizime, me restaurime dhe rikualifikime të hapësirave publike, duke ua rritur vlerën edhe objekteve që tashmë janë vetëm pjesë e Historisë, por edhe duke sinkronizuar ndërhyrjet e investitoreve privatë në sinergji me territorin, por me kritere të rrepta dhe vetëm me vendim të KKT”, u shpreh Kumbaro.

    Në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, Kumbaro qartësoi se përkundër pretendimeve ligji nuk cenon asnjë Direktivë Europiane dhe respekton parimet e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

    “Siç jua kam thënë, ligji i ri e mban të përqëndruar tek Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin në territor te këtyre zonave! Ligji nuk cënon asnjë Direktive europiane, dhe respekton parimet e IUCN – organizmi sipëror kur vjen fjala për ekseprtizëm në administrimin e zonave të mbrojtura, i cili në udhërrëfyesin e menaxhimi te zonave të mbrojtura e thotë shumë qartë: “Janë shtetet ato që kanë tagrin e vendimit final dhe përgjegjësinë për administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të tokës dhe të ujit, prandaj jane vetë këto shtete që vendosin edhe për kategorinëhe administrimin e një zone të mbrojtur. Por ju këto as nuk i lexoni dhe as nuk doni t’i dini, sepse kërkoni dezinformim!”

    Kumbaro përmendi edhe punën për Vjosën, që pasi u shpall Park Kombëtar, tanimë po avancon puna për përfshirjen e saj në UNESCO.

    “Aty ka qenë Vjosa ndër shekuj e dekada, asnjë qeveri paraardhëse nuk pati as idenë më të vogël ta mbronte! Dhe Vjosa nuk mbeti i fundit lumë i egër në Europë se u mbrojt, por përkundrazi, sepse pa asnjë vizion për gjithë atë zonë që përbën 1/3 e Shqipërisë, e zbrazët duke i bërë njerëzit të largohen sepse nuk shihnin asnjë mundësi për të krijuar ekonomi e për të jetuar aty ku prindërit e gjyshërit e tyre kishin lindur. Aty ku sot po rikthehen, nga Memaliaj në Tepelenë, nga Përmeti në Libohovë, nga Bënça në Këlcyrë, nga Darëzeza në Vlorë. 480 kilometra të Vjosës, bashkë me Drinon, Bënçën dhe Shushicën, i shpallëm Park Kombëtar, jo thjesht prej emocionit, por përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi ekselent me shoqërinë civile në Shqipëri, me partnerë të huaj si Patagonia, me Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës IUCN, duke krijuar një model dinjitoz që u shndërrua me shpejtësi në kartivizitë prezantuese të Shqipërisë. Me Vjosën, me të cilën i kemi dhënë Europës të vetmin Park Kombëtar të një lumi të egër, shkojmë në një tjetër stad: Përfshirjen e Vjosës në UNESCO, në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera”, një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.”

    Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe shifrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura.

    “5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, - madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju - por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona!”

  • VIDEO

    Basha: Rama kërkon të pengojë punën e SPAK me çdo kusht, qeveria më e korruptuar në Ballkan

    Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit, është shprehur se qeveria e Edi Ramës më e korruptuara në Ballkan, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e SPAK. Basha theksoi se retorika mbështetëse për SPAK është vetëm për shoë, pasi veprimet e qeverisë, përfshirë ato të kryeministrit, zëvendëskryeministres, dhe ministrave, janë të fokusuar në pengimin e strukturave të drejtësisë.

    Një prej tyre, sipas tij është edhe bllokimi i propozimeve të Demokratëve Euroatlantikë që do të ndihmonin në forcimin e SPAK. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen masive të qytetarëve për SPAK, të cilët kërkojnë një fund të korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë.

  • VIDEO

    Kuvend/ Falja e gjobave, Bardhi akuzon Spiropalin dhe PS: Jeni në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, ka efekte financiare, duhen diskutime sipas afatit

    Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën qeverisëse se po fut me një procedurë antikushtetuese të përshpejtuar dhe pa konsultime dhe diskutime një projektligj për faljen e gjobave në disa kategori, që është pika më e rëndësishme e rendit të ditës në Parlament ditën e sotme.

    Deputeti i PD nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin nga kolegët e PS se kanë qëllime elektorale dhe se kryeparlamentarja Elisa Spiropali po kryente një shkelje të rëndë.

    “Shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të kalojë të paktën 2 javë nga momenti i propozimit, përveç rasteve të veçanta ku parashikon rregullorja. Pra duhet data 19 apo 20 ditë për të nisur shqyrtimi. Përveçse në procedura të përshpejtuara. Afatet janë dhënë që diskutimet të jenë sa më reale, deputetët të japin idetë e veta. Të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit, për ta bërë ligjin siç duhet. Je në shkelje të kushtetutës, është ligj me efekte financiare, është vendim i Këshillit të Ministrave, pa pasur vendim me firmë të Këshilllit të Ministrave, është shkelje e procedurës dhe e bën antikushtetues këtë projektligj. Së paku sa i takon procedurës parlamentare të procesimit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Propozime që janë në dobi të qytetarëve që do e prezantojmë kur të vijë momenti”, tha ai.

    Më tej ai apeloi që t’i qëndrohej rregullores dhe Kushtetutës.

    “Detyra e Kuvendit është t’i qëndrojë strikt Kushtetutës dhe procedurës parlamentare. Keni shkelur çdo procedurë parlamentare me ligjin e faljes se gjobave. Nuk ka asnjë vendim të seancës plenare për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë ligj. Ju e keni fut në shkelje të rregullores. Afatet nuk janë vendosur kot, afatet janë vendosur që diskutimi të jetë real. Jeni në shkelje të Kushtetutës, është ligj me efekte financiare  dhe do duhej të kishte mendim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sa i takon thelbit të ligjit ne kemi bërë propozime reale”, tha ligjvënësi.

    A.Q/Shqiptarja.com

    •  
  • VIDEO

    Interpelanca me Kumbaron, Zhupa: Po betonizoni zonat e mbrojtura, qofteri në Butrint. Ministrja më duargjatë, keni dhënë 5,8 mln m2 tokë

    Po mbahet interpelanca me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa. Ligjvënësja akuzoi qeverinë dhe ministren se po betonizon me ligje zonat e mbrojtura duke ia dhënë investitorëve strategjikë klientelistë dhe gaztorëve të pushtetit.

    Madje ajo hodhi dyshime se Kumbaro u bë ministre për qëllimin e vetëm për t’i prishur zonat e mbrojtura, duke e quajtur “ministren më duargjatë”.

  • VIDEO

    Gonzato: SPAK sinonim i suksesit, por s’mund të flemë mbi dafina! S’duhet të jetë vetëm në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar

    Në 5 vjetorin e themelimit të SPAK, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato shprehur edhe njëherë mbështetjen e ndërkombëtarëve për reformën në drejtësi. SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri, tha Gonzato, ndërsa e cilësoi krijimin e SPAK-ut si një element kyç për të mundësuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

    Gonzato tha se SPAK është përballur me sfida të shumta, me kulturën e pandëshkueshmërisë dhe kulturën e ndërhyrjes së politikës në drejtësi, por thekson se po jep rezultate në mira në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Gjithsesi, Gonzato tha se ka ende punë për të bërë, duke u shprehur se nuk duhet të flemë mbi dafina, pasi rrugëtimi europian i Shqipërisë bazohet në rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

  • VIDEO

    5 vite SPAK/ Zëvendësndihmës sekretari amerikan: Zgjasni mandatin e prokurorëve, rrezikohet ndërpreja e përpjekjes më të sukseshme kundër krimit të organizuar

    Mesazhi i Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof dha një mesazh të qartë.

    Pavarësia duhet të mbetet vendimtare. Brenda 5 viteve SPAK është kthyer në institucionin public më të besuar në Shqipëri. Partnerët e huaj kërkojnë ekspertizën e SPAK për të luftuar krimin e organizuar shqiptar në vendet e tyre. Institucionet e tjera shqiptare duhet të tregojnë guxim e të veprojnë me pavarësi e integritet. Lufta kundër korrupsionit është detyrë e cdo qytetari shqiptar pavarësisht se ku punojnë apo kë njohin.

    Ne kemi besim se SPAK sapo ka filluar e do të vijojë të ngjallë besim tek shqiptarët, vizitorët e investitorët. Se një e ardhme më e sigurtë më e begatë është e mundur. PËr të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. 

    Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të sukseshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare. Rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre institucionale. SHBA feston përparimin e bërë nga SPAK në historinë e tij të shkurtër. Puna juaj na bën më të sigurtë si në Shqipëri ashtu dhe në mbarë globin. Ne kemi qenë me ju që kur keni ndezur dritat dhe presim me kënaqësi që të vijoni të mbani dritat ndezur në luftën tuaj

  • VIDEO

    Debate në Kuvend/ Shehaj akuzon Ballukun: Ka 6 muaj shmang interpelancën, 3 mld euro Thumanë-Kashar, skandal! S’ka lekë për pensione, por hedh valle në festat e PS

    Ka nisur me debate dhe akuza të forta seanca plenare në Parlament, ku janë në rend ditë 16 pika, mes tyre edhe ai i faljes së gjobave.

    Opozita akuzon mazhorancën se ka shkelur procedurat. Por ishte deputeti Agron Shehaj që nxori në pah një tjetër detaj, neglizhencën e një interpelance të kërkuar prej tij për rrugën Thumanë-Kashar, me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku.

  • VIDEO

    Rama me Diasporën: Vota e emigrantëve premtim i realizuar, Inteligjencë Artificiale për shërbimet, njohje e pensioneve! Sot, më e lehtë të thuash 'jam shqiptar'

    Kryeministri mori pjesë sot në takimin vjetor me Këshillin Kordinues me Diasporën, ku tha se shumë gjëra kanë ndryshuar nga koha kur mazhoranca erdhi në pushtet, në shërbim të emigrantëve. Këshillon shqiptarët në Gjermani ta rimarrin nënshtetësinë pas ndryshimit të ligjit. Kryeministri batuta edhe për ambientet e godinës, duke thënë se i kujtonte kohën ish-Sovjetike

  • VIDEO

    Sot 5 vite nga themelimi i SPAK, Dumani: Dhamë mesazh të qartë se drejtësia nuk ka anë e kah! Në ceremoni dhe zv.ndihmës sekretari për Ballkanin Perëndimor

    SPAK feston sot 5 vjetorin në një aktivitet të organizuar ku të pranishëm janë dhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof dhe ambasadori i BE-së.

    • VIDEO

      Skenari GREK, Mitsotakis kërkon VETËVENDOSJE për pakicat greke në Shqipëri. DEBATE të forta

      - Një deklaratë e kryeministrit grek Mitsotakis ditën e sotme se Greqia do i vendos kushte Shqipërisë për rrugëtimin e saj në BE, ka ngjallur diskutime dhe debate në studion e ‘Repolitix’. Sipas Mitsotakis Shqipëria duhet të përmbush detyrimin ndaj minoritetit grek, përfshi edhe të drejtën për ‘Vetëvendosje’.

      Pikërisht kjo fjalë e fundit u bë kryefjala e debatit të sotëm. Rezart Kthupi tha për Denis Mingën se Mitsotakis po e trajton këtë çështje sikur është diskutuar më parë mes Greqisë dhe Shqipërisë.

      'Vetëvendosje do të thotë, autonomi ndaj pushtetit qendror. Mitsotakis ka pretendime për etninë greke në Shqipëri, janë pretendime territoriale dhe të drejtash. Kur flasim për vetëvendosje nga një kryetar shteti nënkupton mbrojtje e veçantë përtej mbrojtjes së shtetit shqiptar. Mitsotakis e trajton sikur vetëvendosje është trajtuar më parë dhe tani po kalon në marrëdhëniet multilaterale.'

    • VIDEO

      Tiranë/ 7 objekte mësimore janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni

      Vazhdojnë punimet për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve në kryeqytet. Sipas kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni shtatë objekte të reja arsimore, përfshirë këtu çerdhe, kopshte dhe shkolla.

    • VIDEO

      Tiranë/ Këshilli Bashkiak miraton vendimin për dhënien e bursave për vitin shkollor 2024-2025 dhe ushqim falas në shkollat publike! 7 objekte mësimore në rikonstruktim

      Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2024–2025. Ky vendim synon të mbështesë financiarisht nxënësit që ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm në institucionet arsimore publike të kryeqytetit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin dhe edukimin e tyre.

    Për lajme të tjera kërkoni në arkiv